Futboll Seria A Sport

MILAN-INTER/ Giroud: Nuk jemi rastësisht në krye, “Kuqezinjtë” sivjet do të konkurrojë për…

Ndaj Interit për të harruar Champions-in e për të rritur distancën në renditje. Pavarësisht se është sulmues, golin personal e nxjerr në plan të dytë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka dëshirë të lërë gjurmë. Olivie Zhiru i tillë është, vendos ekipin para vetes, siç e dëshmoi në intervistën ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”.

Mund të prezantoheni si futbollist?

E konsideroj veten si një njeri bujar e i tillë jam edhe në fushë. Jam një finalizues i mirë të cilit nuk i duhen shumë raste për të shënuar një gol. Dua të luaj në dobi të ekipit, ndaj më quani “Njeriu Skuadër”.

Keni shumë besim te vetja. Po Milani duhet të ketë në Europë?

Aritmetika na e lejon. Kemi mundësi për të bërë mirë. Skuadra është projektuar me cilësi dhe unë synoj të fitoj diçka këtu. Atmosfera është pozitive dhe ajo që u pa ndaj Portos duket si reklamë për mbështetjen që do të kemi në derbi.

Filmi i Ibrës duket sikur s’ka nevojë për reklamë…

Jam kureshtar e do të shkoj ta shoh. Ibra është interesant dhe dua të njoh fëmijërinë e tij.

Si është raporti juaj?

Normal, si me të gjithë të tjerët. Ai është i këndshëm dhe shumë i gatshëm për të ndihmuar këdo. Është profesionit i madh dhe kemi një raport pozitiv. Nga jashtë mund të duket si i fokusuar te vetja, por Zlatani nuk është i tillë me ata që punojnë çdo ditë krah tij.

Ju do ta donit një film për jetën tuaj?

Ma kanë propozuar kur publikova autobiografinë time, megjithatë nuk m’u duk momenti i duhur. Ndoshta në të ardhmen mund ta bëj një film.

Meqë po flasim për momente, a mund të ketë Milani momentin e lavdisë në fund të kampionatit?

Përse jo. Jemi duke ecur mirë, luajmë një futboll cilësore dhe mundësia është. Jemi një grup i ri e që po rritet shpejt. Leaon e njihja, por nga afër talenti i tij është edhe me i dukshëm. Ai që nuk njihja ishte Tonali që më ka habitur për sasi e cilësi. Ka edhe djem si Gabia apo Daniel Maldini që po rriten shpejt.

Në cilin aspekt ju ka habitur Pioli?

Ka shumë energji. Na transmeton forcë pozitive, na qëndron pranë e na i thotë gjërat në sy. Taktikisht është shumë i zoti, por ka probleme me frëngjishten (qesh). Në fakt, edhe frëngjisht flet mirë.

Mund të jetë i zoti, por dyshen Ibra-Zhiru nuk po e propozon…

Unë dhe Zlatani e plotësojmë njëri-tjetrin, të paktën në disa lloj ndeshjesh. Trajneri bën zgjedhjet dhe ne i respektojmë, por sigurisht që dëshiroj të luaj krah Ibrës më shumë.

A është derbi një ndeshje vendimtare?

Nuk e di sa vendimtare është, por me siguri që ka shumë rëndësi sepse nuk do të ishte keq ta largonim Interin 10 pikë larg. Kampionati është ende i gjatë, por nëse luajmë siç dimë, atëherë mund të fitojmë. Jemi Milani dhe fakti që kemi 7 pikë më shumë se Interi diçka duhet të thotë apo jo?

Kujt i druheni më tepër te zikaltrit?

Lautaros, por Interi ka edhe lojtarë të tjerë niveli. Sidoqoftë, e kemi vetë në dorë dhe mendoj se mund të fitojmë.

E të mendosh që derbin mund ta luanit edhe me ekipin tjetër…

Karriera e një lojtari, ashtu si vetë jeta, ofron zgjedhjet e duhura në momentin e duhur. Milani ishte zgjedhja më e mirë që mund të bëja. Qyteti ka njerëz të dashur, ka pasion për futbollin e jetohet mirë, por si baba i katër fëmijëve nuk kam shumë kohë të lirë.

Zakonisht të huajt dashurohen me kuzhinën italiane, por për ju nuk ka qenë kështu apo jo?

Jam francez dhe preferoj kuzhinën e vendit tim, por kjo nuk do të thotë që nuk më pëlqen ajo italiane. Makaronat, rizotot, picat, proshuta e tiramisuja janë fantastike. Të dyja gjyshet e mia janë italiane dhe u martuan me dy francezë, sidoqoftë lidhja me Italinë mbetet. Gabimi im është që kam mbetur prapa me gjuhën. Dikur studioja 2-3 orë në javë, ndërsa tani mundohem të mësoj sa më shpejt kur jam me grupin.

Po ajo që keni bërë në fushë ju kënaq?

Nëse mendoj për problemet që kam pasur (shpinë dhe COVID), nuk mund të mos jem pozitiv. Sigurisht, pres të bëj më tepër e të rritem me skuadrën.

Keni në plan të qëndroni gjatë te Milani?

Zlatani është një shembull i mirë për jetëgjatësinë shpotive, por nuk habitem duke parë se sa profesional është në përditshmërinë e tij. Mendja komandon gjithçka, ndaj nëse nuk kam probleme të rënda fizike synoj të luaj edhe për ca vite.

E dini që miku juaj Shevçenko është ai që ka shënuar më shumë në derbi, plot 14 gola?

Sa shumë. Po sa vjet paska luajtur kundër Interit?

Shtatë!

Epo më jepni edhe mua të njëjtin afat. Bëj shaka. Rëndësi ka që në ndeshje të tilla të luajmë sa më mirë duke dhënë maksimumin. Unë mbetem besimplotë.

Nëse Milani fiton, ju si do të festoni?

Do t’i kërkoj kuzhinierit të Milanit një tiramisu. Kam besim se do ta bëjë si ajo që përgatiste dikur gjyshja ime.

Related posts

Homazhe për legjendën e Tiranës, nderohet figura e Skënder Hykës (FOTO)

Isa.Autor

KJO NUK PRITEJ/ McGregor provokon: HUMBËN duelin, por FITUAM BETEJËN. Lufta…(FOTO)

Isa.Autor

ATLETIKË/ Smajlaj zhgënjen në Berlin, nuk mbron dot titullin kampion

Isa.Autor

Leave a Comment