Fitorja në derbin e Kupës mund të ketë entuziazmuar tifozët e Dinamos. Megjithatë trajneri i bluve, Bledi Shkëmbi, mendon se ekipi duhet të marrë komplimentet e merituara, por njëkohësisht duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë.
Në “SuperSport” ai tha pas sfidës se ekipi duhej të mendonte se nuk ka mbaruar asgjë akoma në Kupë, ndërsa në kampionat do të ishte një ndeshje krejtësisht e ndryshme.
“Nuk jam dakord me ulje-ngritje, por disa rezultatet nuk na kanë pëlqyer. Nuk është vetëm kjo skuadra që kam në mendje, por dhe ajo kur kam humbur. Komplimente djemve për paraqitjen, dhe kundërshtarit që është më i miri për momentin. Na ndihmoi fati dhe portieri, por treguam karakter.
Në fakt çdo trajner mendon ndryshe nga çfarë mendojnë jashtë, pasi i kemi lojtarët përditë në stërvitje. Ne sot me besim i dhamë mundësi Skukës dhe na u shpërblye.
Të rinjtë? Edhe Haxhiu e Skuka po bëjnë shumë mirë, sidomos Haxhiu po bën ndeshjen e tretë që vazhdon të bëjë mirë, po rritet e përmirësohet. Mihana duhet të bëjë më shumë se i ka mundësitë, ka cilësi. Çdo individ përmirësohet dhe shpreh maksimumin kur skuadra shprehet më meritë në grup.
Nuk është ndeshja e parë që ne luajmë me katër sulmues, pothuajse në të gjithë ndeshjet kemi luajtur kështu. Për fat të mirë në këto ndryshime të gjithë bënë mirë, sidomos do të veçoja edhe Siljanovskin që bëri një ndeshje shumë të mirë e na dha siguri në mesfushë. Ndonjëherë këto ndryshimet dalin për mirë e ndonjëherë për keq. Sot për fat të mirë, shkoi gjithçka mirë.
A ndikon për kampionatin? Ndikon ndoshta pak te ana psikologjike. Unë personalisht e di, besoj se edhe skuadra do e kuptojë që Tirana të shtunën do të jetë më e fortë. Sot në ndeshjet e futbollit nuk të ndihmon gjithmonë fati. Ndeshjet më parë kemi vuajtur në këtë pjesë. Por nga ana psikologjike do të jemi më të qetë për të përgatitur ndeshjen këto dy ditë. Ndeshja është afër, të rikuperohemi fizikisht dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë që Kupa ka edhe ndeshje kthimi. Të mos mendojmë se kaluam turin, por ndeshja e kampionatit jam i bindur se do të jetë diçka ndryshe”, tha Shkëmbi.