Futboll Kategoria Superiore Sport

PËRFUNDON SHTRIMI I TAPETIT/ Luftë me kohën, ja opsionet e Kukësit për stadiumin e ri

Kukësi pret sa më parë rikthimin në shtëpi. Duket se gjithçka është gati në “Zeqir Ymeri” për të pritur ndeshjen që verilindorët do të kenë me Tiranën kryesuese. Beteja është programuar të luhet më 22 nëntor, koha prej 12 ditësh shihet e mjaftueshme për ta dërguar fushën brenda parametrave.

Burime të “Panorama Sport” konfirmojnë se ka përfunduar totalisht shtrimi i tapetit, i cili ishte edhe detaji i fundit për ta konsideruar stadiumin gati për ndeshje zyrtare dhe përgjatë 12 ditëve që kanë në dispozicion, në Kukës do të bëjnë të pamundurën për ta sjellë në kushtet e zhvillimit të një sfide.

Në fakt, do të bëhet maksimumi që të hapë dyert me Tiranën edhe për shkak të simbolikës që ka kjo ndeshje, sepse bëhet fjalë për sfidën me ekipin më të titulluar në vend dhe kryesuesen e Superiores. Interesimi i tifozëve pritet të jetë i madh, edhe për shkak se për më shumë se tri vite nuk kanë parë një ndeshje në qytetin e tyre.

Megjithatë, përpara se të merret dakordësia përfundimtare, këto ditë pushimi do të jenë vendimtare, sepse mbetet për t’u parë se si do të reagojë tapeti ndaj kushteve atmosferike përgjatë kësaj periudhe. Inaugurimi i impiantit është shtyrë disa herë, teksa fillimisht u shpresua për të qenë gati në shtator, më pas, në tetor dhe së fundmi në nëntor.

Për herë të fundit në Kukës skuadra ka luajtur në vitin 2018, pikërisht më 23 maj, në një barazim 2-2 ndaj Flamurtarit.

KUPA – Përpara Tiranës, Kukësi ka një sfidë akoma edhe më të rëndësishme, ku nuk i lejohet asnjë gabim, pasi mund të heqë shumë shpejt dorë nga Kupa e Shqipërisë. Eliminimi do të ishte goditje për ta, duke ditur se këtë kompeticion e kanë një objektiv real.

Bëhet fjalë për ndeshjen me Egnatian, e cila i mundi 3-1 në përballjen e parë. Sipas të gjitha gjasave, edhe pse nuk ka ende një lajmërim zyrtar, Kukësi do ta luajë këtë ndeshje në “Elbasan Arena”.

Ka qenë stafi teknik, që ka kërkuar një terren sa më optimal për t’i dhënë mundësinë skuadrës të tregojë maksimumin nga potenciali i saj. Duke njohur mënyrën se si Longo e hedh skuadrën në fushë, vetëm në një terren cilësor do të ketë mundësi për të bërë përmbysjen, ndaj, stadiumi i Elbasanit mbetet për momentin opsioni më i mirë për ta.

Related posts

LIVE/ Copa del Rey: Mbyllet ndeshja Vallecano-Barcelona. Rezultati 1-2

Delo.autor

E RRALLË/ Pepe Guardiola, siç nuk e keni parë kurrë (VIDEO)

Isa.Autor

Shqipëri-Norvegji, në Itali i intereson dueli brenda ekipit tonë

Sadik.Autor

Leave a Comment