Futboll Seria A Sport

NUK JANË NË PLANET E INZAGHIT/ Nga Vesino te Sanchez, Interi nis operacionin “fshesa” për të padëshiruarit

Interi e ka mbyllur si duhet fazën e parë të sezonit dhe tani e ka ndalur vrullin për të rinisur në janar me energji të reja dhe me qëllimin për të vazhduar me të njëjtin ritëm.

Por, nga ana tjetër punën nuk e kanë ndalur drejtuesit që gjithmonë kërkojnë t’i sigurojnë organikën më të mirë në dispozicion Simone Inzagit për të qenë kompetitiv, jo vetëm me anë të përforcimeve, por edhe me anë të largimeve.

Te zikaltrit ka nisur operacioni “fshesa” dhe në krye të tij qëndron Matias Vesino, mesfushori që e ka shprehur disa herë hapur pakënaqësinë e tij për minutat e pakta që i janë mundësuar.

Uruguaiani është në vitin e fundit të kontratës dhe zikaltrit kërkojnë të përfitojnë sadopak nga largimi i tij që në merkaton e janarit, diçka që do i leverdiste edhe vetë lojtarit për të siguruar sa më shumë minuta duke qenë se në horizont është Botërori i Katarit.

Leisteri i është shtuar listës së të interesuarve, pas refuzimit që iu bë Juves dhe Kaljarit gjithmonë të gatshëm. Të gjatë me Interin duket se nuk e ka as shoku i tij i repartit Stefano Sensi, që edhe pse ka ende dy vite kontratë, nuk po gjen hapësirat e duhura, karakterizuar edhe nga dëmtimet e shpeshta.

Për italianin në pritje janë Empoli e Specia, por ndryshe nga të tjerët zikaltrit nuk e kanë me ngut për të sepse po përpiqen ta përdorin si kartë shkëmbimi me futbollistë të tjerë që u pëlqejnë.

Arturo Vidal është një tjetër nga mesfushorët, e ardhmja e të cilit është e pasigurt.

Kiliani e ka vlerësimin e trajnerit, por kërkesat e tij për më shumë minuta dhe rroga e lartë prej 6.5 milionë eurosh, e bëjnë një nga ata që është me një këmbë jashtë Apianos.

MBROJTËS E SULMUES – Tek Interi me valixhe në duar janë edhe Aleksandër Kolarov e Andrea Ranokia, të cilëve përveçse u skadon kontrata në qershor, me 36 dhe 33 vitet respektive mbi supe e bëjnë të vështirë një tjetër sezon me fanellën zikaltër.

Në këtë listë “të padëshiruarish”, sulmi përfaqësohet nga Aleksis Sançez, që pavarësisht paraqitjeve të mira së fundmi, me 7 milionë eurot të cilat fiton dhe me kontratën që skadon në 2023- shin bëhet rëndesë për arkat e klubit, ndaj Marota po përpiqet të gjejë një destinacion tjetër për 33-vjeçarin.

Related posts

YLLI SUEDEZ U RIKTHYE TEK MILAN PAS 7 VITESH/ Shikoni postimin special të Ibrës në “Facebook” (FOTO)

Delo.autor

LIGA E KOMBEVE/ Kroacia për “hakmarrje” me Spanjën, formacionet zyrtare

F.autor

RRËFEHET GRIEZMAN/ Nuk flija dot gjumë gjatë kohës që mora ofertë nga ekipi i…

Isa.Autor

Leave a Comment