Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ KUKËSIT/ Partizani në ankth, Daja rrezikon dy elementët kyç të formacionit

Partizani ka nisur tash më përgatitjet për ndeshjen e së dielës ndaj Kukësit, por trajneri Daja është përballur me dy lajme aspak të mira. Dy nga titullarët dhe lojtarët kyç të ekipit, Egzon Belica dhe Zhunior, nuk kanë marrë pjesë në seancën e djeshme stërvitore dhe kanë shqetësuar jo pak stafin për praninë e tyre ndaj Kukësit.

Gjendja e Belicës duket se është disi më e paqartë. Mbrojtësi, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit në mungesë të Alban Hoxhës, po kalon një gjendje gripale dhe e ka pasur të pamundur të jetë në stërvitje, teksa po mjekohet për ta kaluar sa më shpejt këtë shqetësim shëndetësor.

Në klub kanë besim se Belica do të jetë i gatshëm ndaj Kukësit, gjithsesi mbetet të shihet ecuria e shërimit të tij, pasi të gjithë e dimë se gripi të shkakton këputje trupi dhe lodhje muskujsh të menjëhershme kur kryen aktivitet fizik. Mungesa e Belicës natyrisht do të ishte një goditje mjaft e madhe për Partizanin, pasi ai është padyshim lideri i difensivës dhe mosprania e tij do t’i prishte tërësisht balancat e këtij reparti, pavarësisht se Daja ka në dispozicion dy lojtarë me mjaft cilësi si Sota dhe Dajan Shehi, që presin mundësinë për të treguar aftësitë e tyre.

Kujtojmë se Belica ishte një nga më të mirët ndaj Dinamos dhe kishte jo pak merita për fitoren, pasi ishte kapiteni që ndali goditjen e Ibraimit mbi vijën fatale, duke i mohuar golin.

Më pak shqetësuese mund të themi se është gjendja për Zhuniorin. Braziliani ka pësuar një kontraktim muskulor dhe është stërvitur vetëm në palestër ditën e djeshme. Gjithsesi, sot ai do të zbarkojë në fushën e stërvitjes dhe pritet të trajnohet me pjesën tjetër të grupit, pa e rrezikuar praninë e tij në fushë nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Kukësit.

Duhet të themi se alternativat e Partizanit në sulm janë shumë të pakta dhe mungesa e Zhuniorit do e fuste Dajën në një dilemë mjaft të madhe. Nga ana tjetër, Gligorov, i dëmtuar në ndeshjen ndaj Vllaznisë, vazhdon të mos jetë pjesë e stërvitjes dhe me shumë mundësi nuk do të jetë i gatshëm as ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”.

Loti Celina ishte i vetmi lojtar i pranishëm në stërvitjen e djeshme, që u stërvit i veçuar.

Related posts

Gareth Bale larg Realit, duel PSG-Liverpool për uellsianin

Q.Autor

PO SHKËLQEN NË BUNDESLIGË/ “Pitbulli” Abrashi rigjen golin, vjen në formë para ndeshjeve të kombëtares (VIDEO)

Delo.autor

JUNAJTID PRANË GODITJES NË MERKATO/ “Djajtë e Kuq” gjejnë akordin me ish-mesfushorin e Interit

F.autor

Leave a Comment