Futboll Sport

ATALANTA E COPËTUAR NGA DËMTIMET/ Por Gjimshiti di si t’u shënojë Interit

Ndërsa Interi vjen më i fortë se kurrë në duelin kundër Atalantës, edhe si rrjedhojë e fitores së Superkupës së Italisë kundër Juventusit në minutën e 121-të, nga ana tjetër bergamaskët duhet t’i bëjnë llogaritë me një lumë mungesash të rëndësishme ndaj kampionëve të Italisë.

Të dielën (nesër) në orën 20:45, trajneri Xhanpiero Gasperini duhet të bëjë pa portierin Sportielo, mbrojtësit Zapakosta, Gosens e Toloi, por mbi të gjitha pa shërbimet e bomberit Duvan Zapata. Këto mungesa do të ndihen jo pak në formacionin ku aktivizohet edhe Berat Gjimshiti, i cili do të jetë ai që do të udhëheqë prapavijën e Atalantës nga minuta e parë.

Dhe kur bëhet fjalë për Interin, për mbrojtësin e Kombëtares së Shqipërisë kujtimet janë më shumë se të bukura. Nëse kthehemi pas, konkretisht në 11 nëntor 2018, 28-vjeçari gjente golin e tij të parë në Serinë A pikërisht kundër milanezëve, në një ndeshje spektakolare të cilën skuadra e tij e fitoi 4-1 në shtëpi.

“Nuk do ta harroj kurrë këtë gol, pasi t’i shënosh Interit golin e parë në karrierë, në Itali, nuk është diçka që u ndodh të gjithëve”, do të shprehej Gjimshiti në atë periudhë. Prandaj, edhe mbrëmjen e së dielës stimujt dhe kujtimet e bukura për Beratin do të jenë motivimi më i mirë.

GASPERINI-INZAGI – Përveç dy skuadrave që veshin të njëjtat ngjyra dhe që kanë si objektiv titullin kampion, pa dyshim që suksesi do të kalojë nga strategjia e dy trajnerëve të tyre, të cilët adhurojnë të luajnë në sulm. Dhe jo më kot, në përballjet mes Xhanpiero Gasperinit dhe Simone Inzagit janë shënuar 47 gola në 11 përballje.

Më konkretisht, 4 fitore për Gasperinin (25 gola të shënuar nga skuadrat e tij), 3 barazime dhe 3 fitore për Inzagit (22 gola të shënuar nga skuadrat e drejtuara prej tij).

Gjithsesi, ajo që të bën më shumë përshtypje nëse thellohemi edhe më shumë në bilancin mes dy strategëve italianë është fakti se Simone ka pësuar gjithmonë gol përballë Gasperinit, ndonëse nesër do të kërkojë që të shmangë këtë tabu

Related posts

Arrihet marrëveshja, futbollisti shqiptar i bashkohet Liverpoolit

Q.Autor

FORMULA 1/ Ferrari në krizë: Nuk e kuptojmë ç’po ndodh, pilotët s’kanë më besim

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ Treshja e sulmit të Liverpool merr të gjitha meritat, por një tjetër lojtar…

Sadik.Autor

Leave a Comment