Futboll La Liga Sport

“ME PSG-NË NJË FINALE E PARAKOHËSHME”/ Courtois: Ëndërroj Champions-in me Realin

Te Reali i Madridit gjithçka shkon mirë në këtë sezon. “Los Blancos” kanë gjetur stabilitet në lojë e në rezultate dhe jo më kot kryesojnë kampionatin, pa harruar dhe kualifikimet në Kupën e Mbretit e në Champions, si dhe fitoren e Superkupës së Spanjës.

Një nga personazhet absolutë të Realit të deritanishëm ka qenë dhe portieri Thibaut Courtois. Belgu është një nga shtyllat e Madridit, duke qenë portieri që ka pësuar më pak gola në La Liga dhe i dyti më i mirë në Champions pas Mendi të Çelsit.

Në një intervistë për të përditshmen “AS”, Kurtua ka folur për sezonin e deritanishëm të Realit dhe për pikën kulmore të momentit që do të jetë sfida e dyfishtë në Champions kundër Paris SG-së.

Jeni portieri që ka pësuar më pak gola në Spanjë dhe i dyti në Champions pas Mendi. Çfarë komenti keni?
Jam krenar për veten time, sepse në këtë sezon po luaj në një nivel shumë të mirë Por duhet që të gjitha këto në fund të sezonit të konkretizohen me trofe. Edhe sezoni i kaluar ishte i mirë për mua, por në maj e mbyllëm duarbosh dhe kjo na la një shije jo të mirë. Këtë sezon e kemi fituar një trofe, Superkupën. Uroj të jetë e para nga shumë.

Keni një karrierë të mbushur me trofe, por nga ana tjetër nuk keni fituar asnjë titull në Europë me Realin. A përbën Champions-i për ju një ambicie sekrete?
Ëndrra ime e madhe është të fitoj Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit, por nuk mund të them se është një fiksim. Reali është vetë historia e Champions-it dhe të jesh pjesë e kësaj historie është kënaqësi e veçantë. Kam fituar tituj të rëndësishëm si Ligën, Premier Ligën, kam fituar dhe trofe në Europë, por për ta kompletuar muzeun tim duhet të fitoj dhe Ligën e Kampioneve përpara se të tërhiqem nga futbolli.

Çfarë ndjesie keni pak javë nga përballja me PSGnë në Champions?
Janë një rival i fortë dhe do të jetë një përballje shumë e vështirë për të dyja ekipet. Kjo do të jetë një finale e parakohshme. Por ne jemi Reali dhe besojmë se do t’ia dalim. Mendoj se do të jetë një përballje që do të vendoset nga detajet, ndoshta një pritje vendimtare, ndoshta një gol vendimtar. Çelësi është që të mbërrijmë këto dy sfida shëndosh e mirë dhe pa asnjë mungesë apo dëmtim.

Kush ju shqetëson më shumë, Mesi apo Mbape?
PSG-ja ka lojtarë të mëdhenj, Mesi, Mbape, Nejmar… por mendoj se është shumë më tepër se kaq. Janë një bllok mjaft i mirë me talente në çdo repart. Por në futbollin e sotëm vlen më shumë fryma e grupit, skuadra sesa individi. Një lojtar i talentuar mund ta nxjerrë një gol nga hiçi, por më së shumti fokusi duhet të jetë te kundërshtari në tërësi.

Cilat janë pikat e forta të Parisit sipas jush?
Janë një skuadër që i pëlqen zotërimi i topit, por kanë dhe lojtarë mjaft të shpejtë, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm veçanërisht në rastet kur humbasim topin. Por ne duhet të fokusohemi tek efikasiteti, që do të thotë të mbajmë portën e paprekur dhe nëse krijojmë tri raste të shënojmë në dy prej tyre.

Në 1/8-at e finaleve dominojnë klubet angleze me 4 përfaqësues. Cili mendoni se është sekreti i tyre?
Anglia ka një menaxhim mjaft të mirë dhe gjithashtu kanë një fuqi financiare të jashtëzakonshme. Kjo u pa dhe gjatë pandemisë, ku pavarësisht vështirësive janë shpenzuar miliona për të afruar lojtarë të rëndësishëm, por futbolli nuk është vetëm para.

Vjet Atletiko eliminoi Liverpulin, por nuk ia doli me Çelsin. Të shohim në këtë sezon, ne jemi të fortë dhe do të luftojmë deri në fund. Por në Angli është e vërtetë se gjenerohen shumë para. Po marr për shembull Njukasëllin e Noruiçin që fitojnë nga e drejta TV shumë më tepër se në Spanjë apo Itali.

Por, para Ligës së Kampioneve keni Kupën e Mbretit dhe kampionatin. A është Kupa një objektiv?
Nuk është e lehtë të luash në çerekfinale në San Mames. Por personalisht më shijon shumë Kupa, më pëlqen ky format me takim tek, e bën edhe më emocionues turneun si Kupa FA në Angli. Ne do të shkojmë në Bilbao me objektivin për t’u kualifikuar.

Ta lëmë Kupën, të flasim për Hazardin. Si e keni parë këto kohë?
E kam parë mirë. Për fat ka qenë më i qetë nga dëmtimet dhe po punon shumë fort. Por sigurisht për të qenë titullar, ky është një vendim që i përket trajnerit. Dhe nëse ke në të njëjtin krah një lojtar si Vinicius gjërat ndërlikohen. Por, gjithkush duhet të luftojë fort në stërvitje për të bindur trajnerin për të fituar vendin në skuadër. Sa më mirë të jetë Hazard aq më mirë për ne, sepse do të na ndihmojë për të fituar trofe.

Related posts

U ZËVENDËSUA NGA MOU/ Pochettino paralajmëron Tottenham: Jam i bindur që fatet tona…

Delo.autor

DORËZOHET REAL MADRID/ Modric largohet në janar

Isa.Autor

STATISTIKAT MBI TRIBLIMET NË SUPERIORE/ Skënderbeu dhe mesfushori i Bylisit me saktësinë më të madhe, ja renditja…

Delo.autor

Leave a Comment