Futboll Seria A Sport

PËRBALLJA MILAN-JUVENTUS/ Nga hidhërimet e fundit në “San Siro” te duelet e lojës, ja 50 hijet e super sfidës…

Ka “50 Hije të Greit”, por ka edhe “50 Hije të Milan-Juventus”, në program të dielën në mbrëmje. “Zonja e Vjetër” do të rikthehet në “San Siro” pak ditë pas humbjes së dhimbshme në minutën e 121-të kundër Interit, në finalen e Kupës së Italisë, pas një ulërime të papritur të Aleksis Sançezit.

Por edhe Milani rikthehet në shtëpi jo pak i traumatizuar pas ndeshjes së fundit në kampionat kundër Specias, ku pas një goli të Mesiasit që mund të dhuronte fitoren, por u anulua pasi arbitri kishte vërshëllyer një fraksion sekondi më parë një faull, shuplaka e rëndë ishte humbja e firmosur në të 96-ën nga shokët e Rei Manajt, një dopio disfatë për “Djallin”…

Ndaj, për Stefano Piolin dhe Masimiliano Alegrin objektivi është i njëjti, të rikthejnë “San Siron” në një habitat feste, ndonëse i garantuar është spektakli… Atmosfera aktuale e të dyja skuadrave është disi e ndryshme, duke qenë se Juventusi vjen më i fortë dhe i karikuar nga 8 rezultate pozitive radhazi (6 fitore dhe 2 barazime), të cilat e kanë afruar ndjeshëm me zonën Champions.

Ndërsa Milani, pasi pa t’i sfumojë parakalimi në krye ndaj Interit, duhet të rinisë sprintin, duke qenë se tashmë nis të ndjejë “frymën” e Napolit në qafë dhe mbi të gjitha sepse kërkon që të jetë sa më i karikuar dhe të shfrytëzojë në maksimum derbin e datës 6 shkurt, me “kushërinjtë e urryer”.

Gjithsesi, arsyet për të mos humbur Milan-Juve janë shumë herë më shumë se kaq. 50 të paktën sipas “Gazzetta dello Sport”, e cila ka provuar që të hyjë në çdo “hije” të supersfidës së të dielës.

1) Tuneli – Milani, i tërbuar pas gabimit të arbitrit Serra ndaj Specias, do të dalë duke shfryrë, më agresiv se kurrë, si një dem…

2) Dhimbje – Juventusi do të rikthehet në “San Siro” me shijen e hidhur të humbjes në sekondën e fundit në Superkupë kundër Interit, ndaj edhe bardhezinjtë do të jenë një zemër, gati që të shkelmojë.

3) Hap fals – Milani nuk duhet të pengohet sërish, pas hapit fals kundër Specias, pasi rrezikon që të parakalohet edhe nga Napoli.

4) Tetë radhazi – Si rezultatet pozitive në kampionat të Juventusit, i cili nuk kërkon më që të frenojë për të pasur në dorë zonën Champions.

5) Adrenalinë – Në librin e fundit me të njëjtin titull, Ibra e thoshte qartë: “Askush nuk më jep adrenalinën e të luftuarit kundër me Kielinin”. Dhe ndoshta ky mund të jetë dueli i fundit mes tyre.

6) Miq – Prova e vërtetë nëse Dibala do të kërkojë vërtet ndonjë “mik” në tribunë apo do të nisë të mendojë që të ambientohet më së shumti me faktin se “San Siro” do të jetë stadiumi i tij i ri.

7) Kokoshka – Nevojiten për t’i dhënë më shumë shije sfidës, kur mendon se në të njëjtën korsi do të përballen “lokomotivat” Teo e Kuadrado.

8) Sulmues – Si Milani i Piolit, i cili me 47 gola të shënuar është aktualisht sulmi më i mirë i Serisë A.

9) Si Reali – Sepse në vitin 2022 vetëm Reali i Madridit, në 5 ligat e para, ka shënuar sa Juvja (12 gola).

10) Shtrëngoni TV-në – Në mënyrë që askush të mos ju rrëmbejë ekranin, duke qenë se në të njëjtin orar (në Itali) joshja për të parë serialet “La Sposa” apo “CSI Las Vegas” mund të jenë tunduese për pjesëtarët e shtëpisë. Fundja, Milan-Juve do të jetë një skenar alla Spielberg ose Tarantino.

11) Mbrojtje – Juventusi është prapavija e tretë më e mirë e Serisë A (21 gola të pësuar), pas Napolit (15) dhe Interit (16).

12) Pëlqime – Milani rigjen Romanjolin, lojtarin që Alegri vlerëson.

13) Ronaldinjo – Një kohë Alegri stërviste Ronaldinjon në Milano.

14) Platini – Një kohë edhe Pioli stërvitej krah francezit te Juvja.

15) Zhiru – Francezi do të presë radhën e tij nga stoli.

16) Bonuçi – Ish-i nuk do të jetë në dispozicion të dielën.

17) Tonali – Njeriu që duhet mbajtur nën kujdes, duke qenë se deri tani ka notën mesatare më të mirë të Serisë A, 6.68.

18) Lokateli – Kthehet si ish në stadiumin e tij, ndonëse në tetor 2016 me bluzën e Milanit dhuronte fitore, pasi i shënonte Juves.

19) Xhevahirë – Lokateli e Tonali janë dy diamantë të Italisë së Manços.

20) MeKeni – Në formë madhështore, ka shënuar 2 gola në 3 ditë.

21) Sherr – Amerika ka shënuar edhe karrierën e Ibrës. Jo vetëm për aventurën te Los Anxheles Galaksi, por mbi të gjitha për sherrin e së shkuarës te Milani me gjigantin Onievu. Doli me një brinjë të thyer.

22) Raiola – Ibra kërkon që t’i bëjë një dhuratë të rëndësishme mikut-menaxher që aktualisht ndodhet në spital, njeriut që e dërgoi te Juvja kur ishte ende adoleshent.

23) Pikët – Në javën e 14- të Juvja ishte e shtata me 7 pikë nga Atalanta e vendit të katërt, ndërsa sot është e pesta, 1 pikë nga bergamaskët.

24) Diferenca – Milani kishte rastin të hënën të kalonte Interin, ndaj kërkon të fitojë në mënyrë që në derbin e 6 shkurtit, të mos shkojë dhe të sfidojë kushërinjtë në 5 pikë distancë dhe me një ndeshje më shumë.

25) Penallti – Morata i ka shënuar të gjashta penalltitë sivjet. Snajper! 26) Gabime – Milano është skuadra që ka gabuar më shumë penallti sivjet (tri, Kesi, Ibra e Teo), ndaj në rast se fiton një të tillë pritet me shumë kureshtje për të parë se cili do të ketë kurajë…

27) Goditje – Vlahoviç 75, Imobile 66 dhe Berardi 65, janë të vetmit lojtarë që kanë tentuar portën rivale, më tepër sesa Dibala (64).

28) Pritje – Vetëm Handanoviç (79%) dhe Ospina (77) kanë një përqindje më të lartë pritjesh sesa milanisti Menja (75%).

29) Gjysmë – Shezni, në 10 ndeshjet e fundit në kampionat ka pësuar gjysmën e golave të Menja 6-12.

30) Europa – Vetëm MilanJuve do të jetë një sfidë për zonën e Kupave të Europës, në javën e 23-të të Serisë A.

31) Të vetmet – Përballen të vetmet ekipe italiane që kanë sfiduar njëra-tjetrën në një finale Champions-i (viti 2003).

32) Tribuna – Maldini dhe Nedved më në fund përballë njëri-tjetrit, duke kujtuar duelin e munguar në finalen e Champions-it në Mançester, me çekun që e humbi në lot atë, për çështje kartonësh.

33) Asiste – Asnjë mbrojtës në Serinë A s’ka bërë më mirë se Teo (5).

34) Driblime – Asnjë më mirë sesa Leoa, 50 me sukses.

35) Plakushi – Me 40 vitet e tij, Zlatan Ibrahimoviç do të jetë lojtari më i moshuar në fushë, por me 8 gola të shënuar.

36) Djepi – De Shiljo rigjen ish-skuadrën dhe do të luajë aty ku të gjithë e përkëdhelën. Në formë fantastike, pas golit me Romën.

37) Titullar – Kalabria rikthehet nga minuta e parë, gjysmë kampionati më vonë, pas daljes së fundit nga minuta e parë më 11 nëntor.

38) Shënjestër – Rebiç i ka shënuar 4 gola Juves, në 4 ndeshjet e fundit në kampionat.

39) Komplot – Milani dhe Juvja komplotuan pro Super Ligës, por pas saj humbën të dyja kundër Specias e Empolit.

40) Raste – Asnjë mbrojtës nuk ka krijuar më shumë raste për gol sesa Kuadrado (33), njësoj si Biragi (Fiorentina) dhe Bastoni (Specia).

41) Forma – Leao është lojtari më në formë i kampionatit në 2022-shin, dy gola dhe dy asiste në katër ndeshjet e fundit. Asnjë si ai.

42) Mësim – Në “San Siro” të jini të sigurt se arbitri do të presë një fraksion sekondi më shumë, përpara se të vërshëllejë një faull në limitet e zonës, nëse kërkon t’i shpëtojë duarve të Rebiçit në fytyrën e tij.

43) Bukuri – Golin më të bukur prej pesë në total që numëron te Juvja Adrian Rabio ia shënoi pikërisht Milanit në “San Siro”.

44) Formacione – Në “San Siro” formacionet do të lexohen nga milanezi i keq…

45) Thembër – Nga goditja me thembër e Betegas deri te roveshata e Del Pieros për golin e Trezegesë, Juves i dalin gjithmonë gjëra të bukura në “San Siro” kundër Milanit.

46) “Hundë e shkurtër” – Alegri ka hequr dorë së fundmi nga sukseset e stilit të kuajve në hipodrome, ku mjafton që kali të ketë vetëm hundën kundrejt rivalit për të fituar. Në 6 fitoret e fundit në kampionat, vetëm njëra ka ardhur me avantazh minimal.

47) Autoshkollë – Pioli e Alegri, ndonëse ende shumë të rinj, së bashku kanë drejtuar 22 skuadra të ndryshme. Dhe pikërisht nga kjo eksperiencë ndoshta edhe e ashpër mund të lindë edhe goditja gjeniale.

48) Picirrukë – Diaz dhe Dibala, dy numrat 10 të mbrëmjes së të dielës, ndoshta nuk kanë një fizik të fortë për t’u përplasur në fushë, por edhe pse nuk kanë një lidhje të ngushtë me palestrën, në këmbët e tyre kanë cilësi hyjnore.

49) Trekëndësh – De Ligt, i akuzuar shpesh nga Van Basten, do të provojë të ndalojë Ibrën, që në vegjëli ekzaltohej nga Van Basten. Trekëndëshi Ajaks.

50) “Kuti” – “San Siro”, edhe pse në vitet e fundit të jetës së tij, mbetet gjithsesi “Kutia” mahnitëse e futbollit botëror.

Related posts

SFIDAT KUALIFIKUESE ME ISLANDËN DHE MOLDAVINË/ Ismajli e thotë pa siklet: Nuk jam penduar që zgjodha Shqipërinë…

Delo.autor

ÇIFTI MË I RI I VERËS/ Bellanova poston foto duke puthur të dashurën

F.autor

Sterling shpjegon festimin e golit ndaj Arsenal

Sadik.Autor

Leave a Comment