Sport Të tjera

BASKETBOLL/ Partizani bie në kohën shtesë, Tirana Barleti fiton Kupën e Shqipërisë

Tirana Barleti është fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra për edicionin 2021-2022. Vajzat bardheblu mposhtën Partizanin me rezultatin 74-71 në një finale dramatike të zhvilluar të shtunën në “Asllan Rusi”.

Një ndeshje e luftuar deri në sekondën e fundit, ku për të përcaktuar fituesin u nevojit koha shtesë, aty ku Tirana Barleti u tregua më e saktë dhe arriti që të marrë trofeun e shumëdëshiruar.

Kujtojmë se në javët e fundit kjo skuadër ka bërë një merkato të fuqishme, duke afruar 3 lojtare të huaja. Blerje, të cilat kanë pasur impakt të menjëhershëm. Duartrokitje meriton gjithashtu edhe Partizani, që prej disa vitesh ka ndërtuar një ekip “bio” me 100% përbërje shqiptare, duke marrë rezultate e trofe.

NDESHJA – Tirana Barleti, e drejtuar nga trajneri Jurgen Belegu, e nisi takimin me formacionin e përbërë nga kapitenia Eliverta Bujari, amerikania Barnes, Gera Bujari dhe serbet Daboviç e Stojiçiç. Ndërsa trajnerja Ledina Koçi e startoi lojën me pesëshen e formuar nga kapitenia Lalaj, Baraj, Palko, Fekollari dhe Velias.

Sfida u hap me një kosh për dy pikë nga Palko, ndërsa Velias i dërgoi shifrat në 0-4 për Partizanin. Dy koshat e parë bardheblu erdhën nga Bernes, që ekzekutoi saktë dy gjuajtje të lira. Më tej, Tirana Barleti nisi gradualisht ta marrë lojën nën kontroll për ta fituar periodën e parë 22-16.

Në periodën e dytë Partizani u paraqit më mirë dhe e fitoi këtë fraksion 15-21, me skuadrat që shkuan në pushim në barazim 37-37. Perioda e tretë foli për Tirana Barletin që triumfoi 17-13, duke kryesuar 54-50 pas 30 minutash.

Në fraksionin e katërt, Partizani kërkoi me çdo kusht reagimin, ku edhe pse e pa veten deri në 9 pikë disavantazh, të kuqet arritën të vendosin baraspeshën pak sekonda nga fundi me dy gjuajtje të sakta të lira nga Velias, me kohën e rregullt që mbyllet 64-64, dhe kështu takimi i drejtohet shtesës. 30 sekonda nga gongu rezultati shënonte 72-71 për Tirana Barletin, ndërsa me dy gjuajtje të sakta të lira Eliverta Bujari vulos triumfin 74-71 pas një beteje të vërtetë në parket.

Në fund shpërtheu festa në kampin bardheblu, teksa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari i dorëzoi trofeun kapitenes Bujari. Për sa u përket paraqitjeve individuale, Daboviç me 20 pikë dhe Eliverta Bujari me 19 ishin lojtaret më të mira në sulmin bardheblu, shkëlqeu gjithashtu edhe Gera Bujari me 17 kërcime.

Për Partizanin nuk mjaftoi paraqitja super nga Ornela Lalaj, autore e 36 pikëve dhe 15 kërcimeve.

Related posts

DEKLARATA E ASHPËR/ Louis van Gaal sulmon: Ja ndryshimi mes Mout dhe Solskjaer

Delo.autor

Nuk kishte si të mungonte LORIK CANA/ Ja postimi madhështor për “SHQIPONJAT” (FOTO)

Isa.Autor

ALLEGRI TEK INTER? Trajneri ka gati kërkesën për sulmuesin “e preferuar”

Delo.autor

Leave a Comment