Futboll Sport

KUPA E AFRIKËS/ Salah dhe Mane, 90 minuta për t’u bërë të… pavdekshëm

Kupa e Afrikës ka ardhur në aktin e saj final dhe çdo dy vjet lind pyetja: A janë yjet e kombëtareve finalistë të denjë për t’u bërë të pavdekshëm? Dhe përgjigjja është, sivjet ndoshta po! Kjo, pasi në finale do të përplasin brirët Mohamed Salahu, njeriu që riktheu egjiptianët në një Botëror, në “Rusi 2018”, pas 28 vitesh pritjeje, ndërsa nga ana tjetër qëndron shoku i tij te Liverpuli, Sadio Mane.

Si Salah, ashtu sikurse edhe Mane, nëse fitojnë Kupën e Afrikës nesër në mbrëmje (të dielën) dhe duke bashkuar me karrierën që kanë bërë në vitet e fundit edhe në klubin anglez, pa dyshim që emrat e tyre do të gdhenden përjetë në histori dhe jo vetëm në aspektin sportiv.

SALAH, SI ABUTRIKA

Por, si shihet Mohamed Salah në sytë e popullit dhe mbështetësve të tij? Si një ikonë, pasi përveç anës sportive ndihmon shpesh edhe njerëzit në nevojë, ndonëse për t’u bërë një perëndi pa dyshim që nevojitet edhe ky trofe i fundit:

“Salah është lojtari më i mirë egjiptian i të gjitha kohërave, sepse ai arriti nivelet që askush nuk i kishte ëndërruar ndonjëherë. Por, me Kupën e Afrikës do të bëhej edhe diçka më shumë se kaq”, tha Adel, një tifoz egjiptian.

Në vitin 2019, Salah u bë egjiptiani i parë që fitoi Ligën e Kampioneve dhe ka ruajtur një nivel fenomenal, por sulmuesi i Liverpulit është edhe më shumë sesa kaq.

“Faraoni” i ardhshëm i Egjiptit është gjithashtu i përkushtuar shoqërisht. Midis shumë veprimtarive bamirëse, ai i delegoi babait të tij, Galy, menaxhimin e një fondacioni përmes të cilit nxit rritjen e nivelit të jetesës së fshatit të tij të lindjes, Nagrig. Për shumë tifozë egjiptianë të futbollit, veçanërisht mbështetësit e gjigantëve vendës, Al Ahli, Salah nuk ka bërë ende sa duhet për të arritur në lartësitë e Mohamed Abutrika.

Numri 22 legjendar nuk e braktisi kurrë Egjiptin gjatë karrierës së tij, derisa u detyrua të mërgonte në Katar për shkak të qëndrimeve të tij kundër regjimit aktual, ndonëse edhe Salah, është i përkushtuar politikisht. Abutrika fitoi 5 Champions-e afrikane me Al Ahlin dhe dy nga tri Kupat e Afrikës radhazi që Egjipti ngriti në qiell mes viteve 2006 dhe 2010.

Dhe ai e bëri atë përpara miliona egjiptianëve që ishin në gjendje ta shijonin trofeun kontinental në tokën e tyre. Gjithsesi, nëse Salah fiton këtë trofe edhe mbështetësit e Abutrikës do të shndërrohen në fansa të tij:

“Për mua, Abutrika ishte një lojtar fantastik, por me karrierën e tij në Egjipt nuk e mati asnjëherë veten me më të mirët, – tha Mina, një tjetër tifoze egjiptiane. – Salah na riktheu në Kupën e Botës pas 28 vitesh pritjeje. Kush do e bënte tjetër?!”

MANE, “MESI I SENEGALIT”

Ndërsa Egjipti është gati ta shpallë “Faraon” Salahun, në Senegal Sadio Mane tashmë e ka marrë ndoshta titullin e tij më të madh të mundshëm. Dhe kur mendon se ai që ia ka vënë etiketën është pikërisht legjenda e Kombëtares së vendit të tij, ai El Haxhi Djuf, që përveç gjurmëve në përfaqësuese luajti edhe në “Anfield Road”, pa dyshim që krenari më të madhe nuk mund të ketë.

“Të rinjtë mendojnë se Mane është më i miri, por më të moshuarit ende zgjedhin Diufin”, tha Salif, një gazetar senegalez. Gjithsesi, nëse Diuf bëri epokën e tij në Botërorin “Japoni/Kore e Jugut 2002”, është vetë ish-sulmuesi ai që adhuron Manenë dhe nuk ka frikë që ta deklarojë hapur, edhe përpara finales së Kupës së Afrikës me Egjiptin.

“Të jesh i dashur nga vendi yt është shumë e thjeshtë. Duhet të japësh gjithçka nga vetja dhe mendoj se kjo është ajo që kam bërë gjithmonë. Kam treguar se vendi im është më i rëndësishëm se klubet e mia, ndaj pas futbollit vendosa të rikthehem dhe të vazhdoj të jetoj në Senegal, – shprehet El Haxhi Djuf, që më pas i përulet Manesë.

– Gjithsesi, nëse ka një lojtar më të dashur, një person më të zotë në vendin tonë, ai është pa dyshim Sadio Mane. E di që edhe mua më duan shumë, më adhurojnë, por unë adhuroj Manenë, pasi për ne është njësoj siç ka Argjentina Lionel Mesin. Ndërkohë, ndoshta Sadio bën edhe më shumë sesa Mesi për vendin e tij, duke parë angazhimin e tij shoqëror, në vendlindjen e tij në Bambali.

Ndoshta ai është modest dhe nuk e tregon, por Mane ka financuar ndërtimin e një shkolle të mesme, një spitali, një xhamie dhe infrastruktura të tjera në Bambali. Ky është art, ky është sportivitet dhe kjo është ajo që e bën madhështor një lojtar dhe një burrë në jetë. Prandaj, shpresoj që Mane ta fitojë jo vetëm për Senegalin trofeun e Kupës së Afrikës, por sidomos për veten, për të gjitha gjërat e bukura që i ka dhuruar vendit të tij”, përfundoi Djuf.

Related posts

I JEP FUND POLEMIKAVE PËR TË ARDHMEN E TIJ/ Guardiola e bën të qartë: Nuk ka vend më të mirë se…

Delo.autor

Klasifikimi në Grupin E/ Brazili dhe Zvicra drejt kualifikimit për 1/16

Sadik.Autor

BARCELONA DYFISHON SHIFRAT/ Dembele shënon një super gol (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment