Futboll Sport

LEA KAMPOS, MISI I USHTRISË BRAZILIANE QË U BË GJYQTARE/ Historia e 77-vjeçares që fitoi mbi dhunën e meshkujve

Historia e Lea Kamposit ësh të një nga ato më të veçantat që kanë të bëjnë me botën e sportit. Bëhet fjalë për një nga femrat e para që u përfshi në botën e futbollit të meshkujve duke u bërë gjyqtare. Sot duket diçka e zakonshme, por 50-60 vjet më parë ishte si një mision i pamundur. Ka qenë kanali televiziv “BBC” që i ka kushtuar një histori të gjatë brazilianes. Kthehemi në vitin e largët 1971, kur Brazili drejtohej nga gjenerali Emilio Garrastazu Mediçi.

Presidenti i Brazilit ishte një nga figurat famëkeqe që përçonte frikë e tmerr. Ai ishte fytyra e një regjimi represiv ushtarak, që kujtohet për torturat, përndjekjen dhe vrasjen e mjaft personave. Pikërisht këtë figurë ishte gati të takonte Lea Kampos. Ajo besonte do të ishte pikërisht gjenerali Mediçi ai që do ta ndihmonte të tejkalonte problemet që ajo kishte me autoritetet sportive në Brazil, që drejtohej nga një figurë e madhe si Zhoao Havelanzh. Jo pak vite më vonë ai do të bëhej president i FIFA-s. Katër vjet më parë, Kampos kishte fituar të drejtën, ishte kualifikuar për t’u bërë gjyqtare futbolli. Ajo pritej të bëhej një nga pionieret e para që do të drejtonte një ndeshje futbolli.

Por Federata Braziliane refuzoi të punësonte vajzën e talentuar. Brazili, si shumë vende të tjera në Amerikën Latine, nuk lejonte organizimin e futbollit për femra. Në Europë e tillë ishte Anglia. Në Brazil, përjashtimi i femrave nga ushtrimi i disa sporteve ishte miratuar në vitin 1941. Havelanzh, i cili drejtonte Federatën Braziliane që prej vitit 1958, besonte se ky përjashtim i femrave nga disa sporte, përfshi dhe futbollin, duhet të aplikohej edhe në rastin e gjyqtarëve.

Vetë Kampos ka rrëfyer një bisedë me Havelanzhin, ku ky i fundit ia ka bërë të qartë pozicionin e tij në lidhje me femrat në botën e futbollit si gjyqtare. “Havelanzh fillimisht më tha se femrat nuk ishin të përshtatshme për të drejtuar ndeshjet e meshkujve. Ai këmbëngulte se femrat nuk mund të bëheshin gjyqtare derisa ai të ishte në krye të këtij organi drejtues”, ka thënë Lea Kampos për “BBC Sport”. Kjo nuk ishte sfida e parë e Kamposit për dashurinë e saj për futbollin.

INTERESI PËR FUTBOLLIN – Lea Kampos, e lindur në vitin 1945 në Abaete, një fshat i vogël në juglindje të Brazilit, nisi të interesohej për futbollin që në fëmijëri, duke luajtur me ato që ne në Shqipëri i njohim si topat prej lecke. Por fillimet e saj ishin vërtet të vështira, pasi nuk gjente asnjë përkrahje.

“Gjithnjë jam përpjekur të luaj futboll me djemtë në shkollë, por mësuesit gjithmonë më ndalonin ta bëja një gjë të tillë. Ata më thoshin se ky nuk ishte një sport për femra. Në fakt, edhe në familjen time, prindërit nuk ishin shumë entuziastë për këto qejfe të miat. Ata mendonin se futbolli nuk ishte sport për mua”, ka shtuar Lea.

KONKURSET E BUKURISË – Në vend të futbollit, prindërit e Leas, duke parë edhe bukurinë e saj, më mirë preferonin ta dërgonin të bijën në konkurse bukurie. Ajo arriti të fitonte disa konkurse bukurie njëri pas tjetrit. Dhe ishte pikërisht ky sukses që e futi atë në botën e futbollit. Klubi i Kruzeiros në Brazil vendosi t’i ofronte një punë si përfaqësuese në marrëdhëniet publike. Bëhet fjalë për vitin 1996.

Kjo bëri që Lea Kampos të udhëtonte në çdo cep të Brazilit me klubin e saj, duke i ndezur sërish dashurinë e vjetër për futbollin. “Nëse do të përpiqesha të luaja futboll, do ta kisha të pamundur të gjeja mbështetje, sepse asokohe do të cilësohesha si një ilegale, pasi femrat nuk mund të luanin futboll. Por mund të përfshihesha në botën e futbollit, duke bërë profesionin e gjyqtares. Në ndryshim nga futbolli i aplikuar, në ligj nuk ndalohej që unë apo çdo femër të ushtronim profesionin e gjyqtares”, ka shtuar Lea.

KURSI – Në vitin 1967, Lea Kampos do të regjistrohej në një kurs gjyqtarësh për 8 muaj, duke kaluar me sukses provimet dhe testet në gusht të atij viti. Por ajo nuk ishte e para femër në botë. Edhe sot është shumë e vështirë për të gjetur se cila ka qenë femra e parë gjyqtare në botë. Në vitin 2018 u raportua se FIFA ka njohur zyrtarisht turken Drahsan Arda si femrën e parë gjyqtare. Arda mori licencën e ushtrimit të profesionit të gjyqtares në botën e futbollit në nëntor 1967, teksa ndeshjen e parë do ta drejtonte në qershor 1968.

Më vonë FIFA do të korrigjonte shkresën e saj dërguar gjyqtares turke, duke mos e cilësuar atë si femrën e parë gjyqtare, por duke e etiketuar si një ndër të parat. Një tjetër kandidate si ndër të parat gjyqtare femra është suedezja Ingrid Holmgren, që ka marrë licencën në vitin 1966. Austriakja Edit Klinger mendohet të ketë bërë gjyqtaren e futbollit që në vitin 1935! Ajo çfarë mund të thuhet me plot bindje është se Lea Kampos ka qenë ndër të parat femra gjyqtare. Por kualifikimi i saj si gjyqtare futbolli ishte vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë plot pengesa e beteja me Federatën Braziliane për ushtrimin e profesionit.

BETEJAT PËR PROFESIONIN – Pas përfundimit të kursit, federata vendosi të mos i jepte licencën, duke përmendur ligjin si pengesë. Sipas ligjit, femrat e kishin të ndaluar futbollin në Brazil. Në një interpretim të ligjit, federata e këtij vendi besonte se femrat duheshin përjashtuar edhe nga gjykimi, jo vetëm nga praktikimi i futbollit. “Duke parë atë çfarë ndodhi, vendosa të merrja një konsulent ligjor.

Sipas konsulencës, asnjë nen në ligj nuk më pengonte të ushtroja profesionin, por autoritetet nuk donin t’ia dinin”, ka thënë ajo. Çfarë ndodhi më pas, ishte një histori e gjatë lutjesh e kërkesash drejtuar Federatës Braziliane dhe vetë shefit të madh, Zhoao Havelanzh. Jo vetëm kaq, por ajo nisi të merrte iniciativa duke organizuar ndeshje miqësore me qëllim që të ushtronte profesionin. Në disa raste ajo grumbullonte edhe femra futbolliste, duke paguar haraçin me arrestime e dhunë nga policia. Lea kujton se është arrestuar të paktën 15 herë nga policia.

LETRA E KTHESËS – Por, në vitin 1971 ajo do të merrte një letër që do të ndryshonte historinë e ngjarjeve. Ajo mori një ftesë për të marrë pjesë jo zyrtarisht në Botërorin e Futbollit të Femrave në Meksikë. Ajo nuk mund ta linte kurrsesi t’i ikte nga duart një mundësi e tillë. Megjithatë, udhëtimi i saj në Meksikë varej nga Zhoao Havelanzh, një pengesë e pakalueshme. E vetmja mënyrë për të kaluar këtë pengesë ishte të kërkonte ndihmë në rangje më të larta në vend. Për të dytën herë që pas historisë me Kruzeiron, bukuria i erdhi në ndihmë.

Një nga konkurset e shumta të bukurisë të fituara prej saj ishte “Mbretëresha e Forcave të Armatosura” për shtetin e Minash Geraishit. Nëpërmjet një shefi të ushtrisë braziliane, ajo kërkoi një takim me presidentin Mediçi, i cili do të vinte për vizitë në kryeqytetin e provincës, Belo Horizonte. Asaj iu la një takim vetëm prej 3 minutash! Lea ishte e qartë me numrin një të shtetit, i kërkoi ndihmë të shmangte Havelanzhin. “Mediçi më pa mua dhe më tha se do ta takonte Havelanzhin në Rio de Zhanejro disa ditë më vonë”, ka thënë Kampos. Më pas ajo vijon:

“Është e kotë të them se isha e frikësuar deri në palcë. Ishim një shtet diktatorial dhe me veprimin tim unë po sfidoja një sistem të tërë. Ide të çmendura më kalonin në krye, që nga arrestimi e deri te zhdukja”. Kampos udhëtoi drejt Brazilisë, kryeqytetit të Brazilit, dhe u prit në një drekë nga presidenti Mediçi. Për habi të saj, presidenti i drejtoi asaj një letër nëpërmjet së cilës i kërkonte Havelanzhit t’i jepte asaj licencën e ushtrimit të profesionit të gjyqtares së futbollit. Mrekullia nuk mbaron me kaq, pasi presidenti i tha Leas se ajo kishte edhe admirues të tjerë në qarqet drejtuese në kabinet. “Një nga djemtë e Mediçit kishte ndjekur me vëmendje karrierën time.

Madje, kishte një album me të gjitha gazetat ku shkruhej për mua”, është shprehur ajo. Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet e ndërhyrjes së babait të tij. Në korrik 1971 do të vinte dhe zyrtarizmi: Zhoao Havelanzh, nëpërmjet një konference për shtyp, do të deklaronte se Lea Kamposit do t’i lejohej të ushtronte profesionin e saj.

MEKSIKA – Pak javë më vonë, ajo udhëtoi në Meksikë, por fatkeqësisht pa mundur të gjykojë, për shkak të problemeve shëndetësore si pasojë e efektit të lartësisë në Meksiko Siti. Me t’u kthyer në Brazil, ajo nisi të punonte si gjyqtare, por edhe zotërimi i një licence nuk e shmangu atë nga paragjykimet.

Ajo drejtoi rreth 98 ndeshje, por të gjitha në kategoritë e ulëta, teksa pjesëmarrja e femrave në gjykim shihej si një eveniment “ekzotik”. Intimidimet dhe seksizmi ishin presione konstante në punën e saj. Madje, edhe shtypi shpesh ka publikuar lajme e foto ngacmuese dhe ofenduese në adresë të saj. Ajo kujton një ndeshje të skuadrave U-23 të Kruzeiros dhe Atletiko Mineiros.

“Para ndeshjes, një drejtues i Atletikos m’u afrua duke ngritur fanellën. Mund të shihja se kishte një armë”, kujton ajo. Duke kujtuar historitë e saj, Kampos ka thënë se ajo është trajtuar në fushë si çdo gjyqtar tjetër mashkull. “Ndonjëherë lojtarët ishin të nxehur me mua. Kujtoj se pasi kam ndëshkuar një të tillë me karton të kuq, refuzonte të largohej nga fusha. Por sa i përket pjesës tjetër, jam ndier e vlerësuar dhe e respektuar”.

AKSIDENTI – Lea kishte gjetur lumturinë e saj, por një aksident i tmerrshëm do t’i ndryshonte tërësisht jetën. Në vitin 1974 ajo po udhëtonte me autobus, i cili u përplas me një kamion. Lea pësoi dëmtime të rënda në këmbë, teksa më vonë rezultoi se autobusi zotërohej nga një kompani e personave të lidhur me Havelanzhin! Kampos iu nënshtrua rreth 100 operacioneve të ndryshme, duke kaluar dy vjet në karrige me rrota. Ajo u trajtua në Nju Jork ku gjeti edhe personin e jetës, Luis Eduardo Molina, një gazetar sportiv kolumbian me të cilin u martua në vitin 1990, kur u vendos përfundimisht në SHBA.

Momentet e vështira për Lean nuk mbaruan aty, ditë të këqija që do të vinin në vitin 2020. Bashkëshorti i saj humbi punën dhe familja e saj u gjend para një krize financiare. Ajo dhe familja e saj u detyruan të flinin te miqtë, pasi mbetën pa shtëpi. Por një fushatë ndërgjegjësimi dhe mbledhjeje fondesh nga Shoqata e Gjyqtarëve Brazilianë ndikoi që familja e saj të gjente një apartament me qira në Nju Xhersi.

Lea Kampos tani flet me krenari për gjyqtaret femra, teksa gëzimi i saj arriti kulmin kur francezja Stefani Frapart u bë e para femër që drejtonte një ndeshje në Ligën e Kampioneve në vitin 2020. “Suksesi i Stefanisë ishte një fitore edhe për mua”, ka thënë ajo. Por, edhe pse femrat po fitojnë gjithnjë e më shumë rol në botën e gjykimit në futboll, Kampos vazhdon të besojë se paragjykimet vijojnë të jenë të pranishme. Braziliania e mbyll me një pyetje: “Për se deri më sot një femër nuk ka gjykuar një ndeshje në Botëror?”

Related posts

SKANDALI/ Si Armand Duka reklamon bizneset e tij tek projektet që financon UEFA

Delo.autor

PRAPASKENA ME GARETH BALE/ Zidane në sulm ndaj uellsianit: Nuk pranoi të luante…

Delo.autor

“IBRA SHQIPTAR” FENOMENAL/ Gol fantastik me Olimpiakosin në derbin grek (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment