Futboll Seria A Sport

MOTIVET E PËRHUMBJES “ZIKALTËR”/ Gabime në zëvendësime dhe nervozizëm, Interi bën… “harakiri”

Humbja e dytë në kampionat lëndon sepse erdhi në derbi dhe në një nga ndeshjet që hapi një cikël ndeshjesh shumë të vështira për zikaltrit. Ashtu si ndaj Lacios, kryesuesit shpërdoruan avantazhin, edhe atëherë të firmosur nga Perisiç, dhe humbën toruan në fund. E njëjta panoramë edhe ndaj Milanit që u shoqërua po nga polemikat me arbitrin, në një moment kur skuadra zikaltër duhet të bëjë autokritikë të shëndoshë sepse një skuadër e madhe nuk mund t’ia lejojë vetes këtë. Por, çfarë shkoi keq?

ZËVENDËSIMET – Inzagi ka organikën më të kompletuar të kampionatit, por futbollistë të caktuar bëjnë mirë në momente të caktuara. Perisiç e Çalhanoglu ishin ndër më të mirët e ekipit dhe me daljen e tyre situata u përkeqësua. Kroati u dëmtua dhe turku kishte harxhuar energji për më tepër që ishte ndëshkuar me karton të verdhë, por në këtë rast duhet të menaxhohej më mirë. Dimarko e Vidal nuk dhanë atë që duhej në krah dhe në mesfushë, ishin tepër të humbur dhe e ulën shumë lojën e zikaltërve. Perisiç po e irritonte Kalabrian dhe Çalha prodhonte shumë topa dhe ishte tejet gjeometrik. Me largimin e tyre, Inter u duk se humbi busullën.

SULM I FIKUR – Lautaro nuk ishte në ditën e tij më të mirë, kjo edhe për meritë të Milanit. Argjentinasi nuk arriti dot ta zotëronte zonën duke u shfaqur i fikur, por edhe Xheko nuk ishte në asnjë moment kërcënues për Romanjolin e Kalulunë. Thënë kjo për sulmin më të mirë të kampionatit, duket blasfemi. Edhe Sançez nuk bëri asgjë mirë, e ndërsa Inzagi ka vetëm këta të tre në dispozicion me Korrean e dëmtuar e Kaisedon jashtë forme, sulmuesit duhet të zgjohen.

QASJA NDAJ SFIDËS – Pas tre muajsh pathyeshmërie, në derbi nuk ka bindur edhe qasja e kryesuesve ndaj ndeshjes. Shpërdorime pa fund (falë edhe Menjasë fantastik), humbje kthjelltësie në momentin e parë të dobët të skuadrës dhe pastaj gabime individuale. Nervozizmi në minutat pas kalimit në disavantazh nuk i lejoi të gjenin golin e barazimit edhe pse koha nuk mungonte. Reagimet e panevojshme bënë që në bilancin e ndeshjes, minutat e fundit të saj të dukeshin sikur nuk ishin luajtur nga zikaltrit, të cilët duhet menjëherë të kthejnë faqe, nëse duan që kjo përmbysje të jetë vetëm një rast i izoluar.

Related posts

LËVIZJA E BUJSHME E JANARIT/ Sulmuesi i BARÇËS gati për tu transferuar në Serie A

Isa.Autor

LIVERPULI NË ALARM/ Van Dajk rrezikon të mungojë disa javë

F.autor

Ja për cilin ekip bën tifo Alexis Sanchez në Kupën e Botës

Sadik.Autor

Leave a Comment