Futboll Kategoria Superiore Sport

MOVIOLA E SUPERIORES/ Vendime me dy standarde, “drejtësia” e VAR-it lëkundet frikshëm

Faza e tretë e Superiores po i thellon gabimet e “xhaketave të zeza”. Por, ajo që e bën më të rëndë situatën janë gabimet në vazhdimësi të gjyqtarëve të sistemit VAR. Luhatjet dhe vendimet me dy standarde të VAR-it u pikasën edhe në këtë javë.

Qaqi dhe Imeri u ndëshkuan me kartonë të kuq pas ndërhyrjes së gjyqtarëve në VAR, por ndërhyrja e Avdylit ndaj Gurishtës ishte më e rëndë se e dy të ndëshkuarve të mësipërm, por VAR-i nuk ndërhyri si në dy rastet e mësipërme për të korrigjuar vendimin e gabuar të gjyqtarit në fushë. VAR-i nuk ndërhyri as te penalltia e mohuar ndaj Partizanit. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 20-të në Superiore:

VLLAZNIA-TEUTA 4-2
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), N.Rrapaj (Patos) / VAR: K.Meta (Tiranë), E.Ganxhi (Elbasan)
31’ Avdyli kryen një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Gurishtës në gju. Jorgji gabon, pasi e ndëshkon lojtarin e Teutës me të verdhë, por nga ndërhyrja që bënte meritonte të kuqin direkt.
41’ Kotobelli, top të gjatë për Hebajn, i cili e ul për Lorenco Vilën, që shënon. Pati kontestime për pozicionin e Hebajt, po përsëritjet televizive treguan se Bulatoviç është tërhequr me vonesë dhe kur është nisur topi sulmuesi shkodran i Teutës ka qenë në pozicion të rregullt. Vendim i drejtë i gjyqtarëve në fushë dhe në VAR.
45+2’ Aksion premtues për Teutën, por përplasja e Lorenco Vilës me Dianje konsiderohet faull. Nga pamjet del se gjyqtarët janë nxituar në këtë rast, pasi nuk duket si faull. Minimumi që Jorgji duhet të bënte në këtë rast ishte të lejonte aksionin, siç bëri në minutën e 16-të dhe nëse do të shënohej gol, rasti do të vlerësohej edhe nga VAR-i.
89’ Qaqi në lojë pa top bën një ndërhyrje të gabuar duke goditur me krah Aralicën në fytyrë. Jorgji thirret nga VAR-i për të parë rastin dhe më pas me të drejtë e ndëshkon me karton të kuq Qaqin.

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-2
GJYQTARË: E. Bastari (Tiranë), M. Shazivari (Tiranë), O. Grabova (Fier)/ VAR: O. Ferataj (Tiranë), N. Rrapaj (Patos)
65’ Frashëri gjatë një dyluftimi ajror në zonë duket që e rrethon me dorë në qafë Belicën, duke mos e lënë që të godasë topin dhe e rrëzon në fushë. Gjyqtari vijon lojën, por në këtë rast gabon edhe VAR-i duke mos e vlerësuar ndërhyrjen, si dhe duke i mohuar penalltinë të kuqve.
67’ Dean Liço përplaset te Shehi, i cili nuk bën asnjë veprim për të penguar mesfushorin. Arbitri akordon faull në pozicion të favorshëm shënimi për Partizanin. Pamjet tregojnë se ka gabuar.
74’ Pak para se Partizani të shënonte golin e parë, gjyqtari ka gabuar. Në një dyluftim në ajër, lojtari i Partizanit shkakton faull të pastër ndaj portierit. Gjyqtari nuk e ndalon lojën, por akordon goditje këndi. Në aksionin më pas, të kuqtë tundin rrjetën.
78’ Kallaku tenton një goditje, por Zhan Viktor e ndal. Braziliani e prek topin me dorë. Arbitri nuk zgjedh ta shohë në VAR. Moment shumë i dyshimtë, teksa ekziston edhe mundësia për penallti.

DINAMO-LAÇI 0-1
Gjyqtarë: K.Bajramaj, A.Zalla, Xh.Mani (Tiranë) / VAR: J.Xhaja (Tiranë), F.Lama (Durrës)
Dinamo-Laçi u gjykua nga arbitri i kolegjiumit të Tiranës, Kreshnik Bajramaj, ndërsa në VAR ishin Juxhin Xhaja dhe Fatmir Lama. Gjatë lojës pati pretendime për penallti nga lojtarët e Dinamos, por kryesori mori vendime të drejta. Momenti më pikant ishte pas ndeshjes, kur mbrojtësi i majtë i Dinamos, Indrit Prodani, protestoi tek arbitri Bajramaj. Ky i fundit, në momentin që lojtarët po i drejtoheshin dhomave të ndeshjes, nuk ngurroi t’i tregonte direkt kartonin e kuq lojtarit të bluve, i cili tashmë do të humbasë ndeshjen e radhës.
Sa u përket rasteve gjatë lojës, në minutën e 53-të kemi një ndërhyrje të rëndë të Turkajt ndaj Haxhiut. Bajramaj e ndëshkoi vetëm me të verdhë lojtarin e Laçit, por mund të ishte edhe i kuq direkt.
Në minutën e 59-të, Çinedu kërkoi penallti pas rrëzimit në zonë në duel me Velkoskin. Arbitri vijoji lojën dhe pamjet filmike i dhanë të drejtë.

TIRANA-EGNATIA 2-0
Gjyqtarë: K.Cjapi, I. Tartaraj (Fier), E.Gjoni (Elbasan) / VAR: A.Koçi (Durrës), F.Kolleshi (Tiranë)
45’-45+4’ Ndërhyrje e rëndë e Imerit ndaj Behiratçes nga prapa. Karton i verdhë për lojtarin e Egnatias. Pas disa sekondash Cjapi thirret nga VAR-i për të vlerësuar një karton të kuq. Pas konsultimeve i jepet i kuq lojtarit të Egnatias, vendim i drejtë.
55’ Xhixha merr një top nga Toshevski, i vidhet mbrojtjes, shënon dhe 2-0. Gjithsesi, kryesori pret konfirmimin e golit. Në të 58-ën goli anulohet nga VAR-i. Vendim i gabuar i anësorit Tartaraj, që jep lojë.

KUKËSI-KASTRIOTI 4-0
GJYQTARË: O.Yzeiraj (Patos), R.Malaj (Vlorë), R. Zaimi (Tiranë) / VAR: F.Lata (Durrës), J.Podgorica (Shkodër)
Në këtë takim rasti i vetëm për moviolë ishte momenti kur u akordua një penallti në favor të verilindorëve në minutën e 45-të. Huseini ndërhyn brenda zonës ndaj Feizhaos dhe gjyqtari Yzeiraj akordon penallti. I ndihmuar edhe nga anësori nuk ka nevojë që të ndërhyjë as sistemi VAR. Vendim i drejtë i gjyqtarit, por harroi të ndëshkojë Huseinin me karton të verdhë.

Related posts

Spanjë – Marok/ Zbulohen formacionet e mundshme me plot surpriza

Isa.Autor

Skuadra e Ansi Agollit merr portierin që i priti penalltinë Messit

Isa.Autor

Griezmann bën parashikuesin: Fatkeqësi pa MESSIN, “El Clasicon” e fiton ekipi i…

Isa.Autor

Leave a Comment