Futboll Sport

PROBLEMI NË PULPË DUKET SERIOZ/ Lideri i Juventusit rrezikon Champions-in

Pas euforisë që ofroi fitorja kundër Hellas Veronës në kampionat, Juventusi papritur zgjohet të nesërmen me lajme negative.

Ashtu siç ishte menduar, dalja e parakohshme nga fusha e lojës e Xhorxho Kielinit kishte përhapur menjëherë shqetësim në Torino, me trajnerin Alegri i cili konfirmoi se ajo që e kishte detyruar veteranin të dorëzohej ishte një kontraktim muskulor në pulpën e majtë, e cila i shkakton shpesh probleme 37-vjeçarit.

Nëse ditën e djeshme stafi mjekësor i ka lënë “King Kongut” një ditë pushimi të plotë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është paraqitur normalisht në fushën stërvitore, ndjesitë janë se dëmtimi i Kielinit është më i rëndë sesa mund të mendohet.

E sigurt është se mbrojtësi do të mungojë ditën e enjte në mbrëmje, në çerekfinalen e Kupës së Italisë kundër Sasuolos.

Por siç raportoi mbrëmjen e djeshme rrjeti “Sky Sport”, nga brenda “Kontinasës” përflitet se ndoshta kapiteni bardhezi mund të rrezikojë edhe një periudhë 3-javore qëndrimi jashtë fushave të lojës, e cila do të thotë se ai do të humbë ndeshjen e vajtjes në 1/8-at e Ligës së Kampioneve kundër Vijarealit, në program më 22 shkurt, në Spanjë.

Gjithsesi, ky është vetëm informacioni që ka mundur të mbledhin gazetarët e “Sky”-it, pasi për momentin klubi nuk është prononcuar ende dhe me shumë mundësi diagnoza reale e dëmtimit të Xhorxho Kielinit do të vijë ditën e sotme, kur janë në program edhe analizat e plota mjekësore.

Nëse diçka e tillë konfirmohet, atëherë përveç Sasuolos në Kupë e Vijarealit, Kielini do të humbë edhe sfidat që janë në mes, si transferta me Atalantën dhe derbi me Torinon, respektivisht më 13 dhe 18 shkurt.

Related posts

Buffon: Italia nuk kishte forcën e duhur për t’u kualifikuar në Kupën e Botës

Sadik.Autor

MERREN VENDIMET/ Disiplina jep dënimet e zakonshme për Partizanin e Teutën, Kastrioti duhet të qetësojë lojtarët

Delo.autor

Marquez: Nuk vendos limite, dua të fitoj sa më shumë tituj

Sadik.Autor

Leave a Comment