Futboll Kategoria Superiore Sport

“LAMË DY PIKË ME VLLAZNINË”/ Frashëri: Luajmë vetëm finale, ja si e mposhtim Kastriotin

Skënderbeu vijon të mbetet në fundin e renditjes dhe situata sa vjen e bëhet më e vështirë për korçarët. Barazimi ndaj Vllaznisë në javën që shkoi ka mbetur në mendjen e të gjithëve për vetë faktin se si erdhi ai rezultat 2-2, pas kalimit në avantazh në pjesën e parë.

Edhe për Erlis Frashërin, barazimi ishte një rezultat që nuk i bën punë Skënderbeut në këtë moment të kampionatit, ndaj edhe për këtë korçarët duhet të rikthehen sa më shpejt te fitoret për të mbajtur ritmin e duhur, me qëllim largimin nga zona e ftohtë e renditjes.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Frashëri flet për barazimin e së premtes ndërsa motivon shokët e ekipit që të shmangin gabimet në javët e mbetura.

“Të them të drejtën na vjen keq për dy pikë të tjera të lëna rrugës, si pasojë e gabimeve tona. Ishte një ndeshje që e kishim përgatitur mirë dhe me shumë përgjegjësi për të marrë maksimumin ndaj Vllaznisë.

Kjo, edhe për faktin se e dinim mirë gjendjen ku jemi në këto momente dhe kemi luftuar në çdo centimetër të fushës për të marrë fitoren, si të vetmin rezultat që na bënte punë në këtë ndeshje. Por futbolli është i tillë dhe nëse shpërqendrohesh në një moment, gjithçka të del kundër dhe mundi të shkon kot.

Shpërdoruam shumë raste për të mbyllur ndeshjen, pasi ishim në avantazh. Më pas u treguam të pakujdesshëm në dy momente që mund t’i kishim evituar më thjesht dhe kundërshtari shënoi dy gola. Na vjen vërtet keq, por ky është futbolli”, theksoi fillimisht mbrojtësi i Skënderbeut.

KASTRIOTI – Më pas korçari u ndal edhe te ndeshja e së enjtes kundër Kastriotit, një takim i cili duhet vlerësuar në maksimum dhe mund të quhet një nga finalet e parakohshme të kampionatit për Skënderbeun.

Frashëri, nga ana e tij, është i bindur se nëse Skënderbeu luan me të njëjtën dëshirë dhe grintë që tregoi ndaj Vllaznisë, mund të dalë me pikë të plota nga kjo transfertë përballë krutanëve.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë ndeshje na pret dhe se si është ky takim për ne apo edhe për kundërshtarin. E dimë mjaft mirë edhe përbërjen e Kastriotit dhe cilësitë që ky ekip ka në përbërje.

Por, nga ana tjetër mund të them se me këtë grup që kemi në dispozicionin dhe grintën që na karakterizon, mund t’ia dalim mbanë. Jemi të bindur se nëse bëjmë më të mirën në fushë dhe luajmë me të njëjtën shpirt gare si ndaj Vllaznisë mund të marrim tri pikët në këtë përballje. Kualitetet i kemi dhe nuk i vë kush në diskutim.

Na presin edhe 14 finale për të arritur objektivin. Jemi të bindur që do t’ia dalim”, mbylli prononcimin e tij Erlis Frashëri për “Panorama Sport”.

Related posts

“ODEGAARD I MUNGOI GUXIMI”/ Valdano: Haaland ose Mbappe? Do të merrja në ekip…

Delo.autor

MOMENTI I GAFËS SË RËNDË/ Shikoni si reagojnë lojtarët shqiptarë kur ngatërrohet himni (VIDEO)

Delo.autor

Twente ndal Ajaxin, “asist” për PSV Eindhoven

Q.Autor

Leave a Comment