Futboll Sport

KURTHE DHE RREZIQE/ Kalendari “gjyqtari” i vërtetë i kampionatit. Interi e ka më të lehtë, vuajtje për Napolin e Milanin

Gara për titullin e Serisë A është e destinuar të jete e karakterizuar nga temperaturat e larta, sidomos pas barazimit të djeshëm të Milanit. Kalendari më i vështirë mes ekipeve të para është pa dyshim ai i kryesuesit.

Transferta e fundjavës ndaj Torinos është hall më vete, e po ashtu sfida pasardhëse me Xhenoan që kërkon pikë mbijetese. Më pas kuqezinjtë do t’i bëjnë vizitë Lacios në “Olimpico”, përpara se të përballen me Fiorentinën në “San Siro”.

Dy rivale në formë e që mund t’i hapin shumë punë “Djallit”. Vështirësitë do të vijojnë sepse kalendari më pas parashikon transfertat në Veronë dhe ndaj Sasuolos me në mes përballjen me Atalantën e cila vijon të kërkojë një vend në Europë.

DJEMTË E SPALETIT – Me të arkivuar çështjen “Atalanta”, në rrugën e Napolit janë Fiorentina dhe Roma. Dy rivale në formë, por edhe djemtë e Spaletit janë duke lundruar mbi kreshtën e dallgës.

Me kalimin e javëve, vështirësia e kalendarit të të kaltërve do të ulet. Empoli dhe Torinë në transfertë me në mes Sasuolon që do t’u bëjë vizitë në stadiumin “Maradona”.

Xhenoa në shtëpi dhe Specia në transfertë janë ndeshjet mbyllëse të kalendarit napolitan e ndoshta do të jenë thjesht “burokraci” nëse që të dyja do të kenë siguruar mbijetesën në Serinë A. Në të kundërt, nuk parashikohen lehtësi, por edhe jo pengesa të pakapërcyeshme.

Shtatë suksese radhazi mund të jenë një mision, i vështirë, por me këtë kalendar nuk janë diçka e pamundur për Napolin, sidomos nëse vijon të ruajë ritmin e deritanishëm.

KAMPIONËT NË FUQI – Fitorja me Juventusin ia ka shtuar energjitë Interit. Kampionët në fundjavë do të presin Veronën, ndërsa më pas do t’i bëjnë vizitë Specias që prej dy vjetësh i bën ndere duke mundur Milanin.

Ndërlikimet do të vijnë në përballjen me Romën, sidomos nëse ekipi i Murinjos vijon të tregohet solid në mbrojtje. Komplikimet mund të ndodhin në dy transfertat (Udineze dhe Bolonja), të cilat do të pasohen nga një test i lehtë në shtëpi siç do të jetë ai kundër Empolit.

Në javën e parafundit kampionët në fuqi do të shkojnë në Sardenjë. Fushë e ndërlikuar ngahera, për më tepër nëse vendësit nuk do të kenë siguruar mbijetesën në Serinë A. Sampdoria do të jetë sfida mbyllëse e kampionatit zikaltër e mund të jetë rast feste nëse djemtë e Inzagit do të kenë kapur kreun.

Related posts

SUPER SFIDA NDAJ “BARDHEBLUVE” NË “AIR ALBANIA”/ Kukësi publikon çmimet e biletave, ja sa kushtojnë

Delo.autor

KORONAVIRUSI/ Tronditen ëndrrat e Liverpool për titullin, klubet e Premier League kërkojnë…

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ E pabesushme, shikoni rastin e artë të humbur nga ylli Salah ndaj Real Madrid (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment