Futboll Sport

DERBI I LONDRËS/ Arsenali dhe Totenhemi, një finale për vendin e katërt

Mikel Arteta nuk pranoi të komentonte deklaratën e menaxherit të Gabriel Zhezusit se Arsenali ka diskutuar transferimin e sulmuesit brazilian në “Emirates”.

“Topçinjtë” janë në kërkim të një numri 9 për sezonin e ardhshëm dhe talenti i Sitit është në fokusin e tyre. Menaxheri i 25-vjeçarit, Marselo Petinati, konfirmoi për “The Guardian”:

“Ne kemi pasur diskutime me Arsenalin për Gabriel Zhezusin. Na pëlqen projekti, është një mundësi dhe jemi duke diskutuar. Ka 6 klube të tjera të interesuara për Gabrielin.

Ai është i fokusuar te ndeshjet e fundit me Sitin. Do të shohim”. Por përpara derbit të sotëm me Totenhemin që do të jetë edhe si një finale për vendin e katërt, tekniku spanjoll nuk pranoi të fliste për merkaton:

“Ju e dini që unë nuk flas për futbollistë të klubeve të tjera. Unë po kërkoj sulmuesit që kemi në skuadër, ky është fokusi im. Kemi edhe tri ndeshje dhe kjo është e vetmja gjë në të cilën jam i përqendruar”.

FINALJA – Me një fitore sot ndaj Totenhemit, Arsenali do të siguronte biletën në Champions sezonin e ardhshëm dhe tekniku spanjoll është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e derbit të sotëm:

“Është ndoshta ndeshja ime më e rëndësishme. Por ne kemi pasur edhe sfida të tjera të emocionuese kur kemi luajtur finalet kundër Çelsit dhe Liverpulit në Kupën FA dhe Superkupën e Anglisë. Kur ke mundësinë për të arritur një prej objektivave sezonalë, mezi pret për ta luajtur ndeshjen, sepse është shpërblimi për lodhjen që ke bërë gjatë gjithë sezonit. Motivim ekstra përballë rivalëve?

Mesazhi është i qartë, nëse fitojmë kundër tyre, jemi në Champions sezonin e ardhshëm. Lojtarët nuk kanë nevojë për ndonjë motivim apo t’i thotë dikush diçka më shumë se kaq.

Shansi është atje, ne do të luajmë dhe luftojmë siç bëjmë gjithmonë”. Me një fitore, Arsenali do të siguronte renditjen më të mirë në Premier Ligë që prej sezonit 2015-’16 kur përfundoi i dyti.

Kjo do të ishte hera e tyre e parë që prej atëherë që ata do të klasifikoheshin mbi “Spërsat”. Antonio Konte i ka mundur vetëm 1 herë “Topçinjtë” në 8 përballjet me ta në karrierë dhe të gjitha ato kanë qenë kur italiani ishte në stolin e Çelsit.

Related posts

Barazim i marrë me zemër/ DURO e ka me FATIN: Bëjmë lojë europiane, koha të marrim atë që kemi humbur

Isa.Autor

PUBLIKOHET LISTA/ Katër lojtarë në qendër të merkatos, tek Tirana vendosin ultimatum për shitjen e talenteve

Delo.autor

INTER-REAL MADRID/ Kompanitë e basteve shikojnë “Zikaltërit” favoritë, ja formacionet e mundshme…

Delo.autor

Leave a Comment