Futboll Sport

DORTMUND-BAJERN/ Haland-Levandovski ikën, tani “Klasikja” është… Bellingam-Musiala

Robert Levandovski-Erling Haland ishte superdueli i “vrastarëve” të portës kundërshtare në Bundesligë, aty ku “Klasikja” e Gjermanisë merrte nuanca shumëngjyrëshe mbi bazë të repertorit të tyre.

Sot shumëçka ka ndryshuar që nga takimi i fundit mes klubeve, të cilat kanë shkruar historinë, jo vetëm në tokën gjermane, i janë nënshtruar një brezi të ri udhëheqësish, konkretisht Bellingam-Musiala do të jenë ata të cilët do të ndezin xixat e para në sfidën e sotme në “Signal Iduna Park”.

Interesante qëndron situata edhe në pozicionin që kjo dyshe mban në fushë, Musiala në rolin e një mesfushori të avancuar, ndërsa Xhud Bellingam si mesfushor qendror.

 

 

Detaji i mësipërm shton akoma më tepër kuriozitetin se lojtarët kryesorë të të dyja ekipeve vijnë nga dy dimensione të ndryshme, ku baza nuk është goditja fatale para porte, por kombinimi i driblimeve me goditjet e rafinuara plot klas. Të ndalemi më në detaj mbi statistikat e këtij sezoni të ri për ta:

BELLINGAM: 19-vjeçari është lojtari më i shtrenjtë në Bundesligë, vlera e të cilit llogaritet në kuotën e 90 milionë eurove. Në 12 përballjet e këtij fillimsezoni, talenti anglez ka konkretizuar me 4 gola dhe 2 asiste (përfshirë sfidat në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Champions-in), jo keq për pozicionin e tij në fushë, si organizator.

Rritja e vazhdueshme e Xhud nga sezoni i kaluar në këtë dëshmohet fare lehtë nga interesimi i gjigantëve evropianë, si Real Madrid, Liverpul, Çelësi, etj. Fitorja e fundit e Dortmundit ndaj Seviljës, e vlefshme për Champions, me shifrat 1-4 në transfertë, e vërtetoi edhe një herë se sa i rëndësishëm është mesfushori anglez për të tijtë, me 1 gol dhe 1 asist.

MUSIALA: Termi më i duhur për të prezantuar mesfushorin e avancuar të përfaqësueses gjermane dhe klubit më të titulluar në tokën gjermane, Bajerni, është njeriu i momentit në “Allianz Arena”, i vlerësuar në shifrën e 80 milionë eurove, sipas “Transfemarket”.

Golat dhe asistet nuk prezantojnë tërësisht ndikimin e tij në klub, marrë në konsideratë ndihmën që ai jep në repartin e mesfushës dhe lidhjen me sulmin, në krijimin e hapësirave për shokët e skuadrës në shënimin e golave. 12 është numri i ndeshjeve për lojtarin gjerman në këtë sezon të ri me ngjyrat bavareze, të përkthyera në 6 gola dhe 5 asiste (përfshirë ndeshjet në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Champions).

Aftësitë e Xhamalit nuk u kanë shpëtuar as shokëve të ekipit, të cilët nuk kanë ngurruar të tregojnë vlerësimin ndaj tij, si Myler, Nojer, Gorecka e deri te trajneri Nagelsman, si lojtari i së tashmes dhe së ardhmes në Mynih.

REKORDET: Të dy mesfushorët kanë thyer rekorde nuk janë ndezur motorët në maksimum të formës dhe ndeshjeve. Musiala ndaj Leverkusenit theu rekordin e tij personal, i cili përkon me pjesën e përfshirjes së golave në një ndeshje, saktësisht në 3 (1 gol dhe 2 asiste) nga 4 golat e Bajernit ndaj “Aspirinave”.

Në asnjë rast, një precedent i tillë nuk kishte ndodhur për të, por kjo arritje nuk mund të shkurorëzonte anë të tjera, si lojtari më i ri që përfshihet në një kompeticion madhor me kombëtaren gjermane, (paraqitja në “Euro 2020”, mosha 18 vjeç e 117 ditë) tjetër arritje e lojtarit me numër 42 në Mynih është shënimi i 8 golave në vetëm 11 ndeshje nën moshën 20 vjeç, e pasuar nga rekordi për Bajernin në Champions, si lojtari më i ri që shënon për bavarezët dhe lojtari që shkon më shpejt në kuotën e 50 ndeshjeve me rekordmenët gjermanë, në lidhje me moshën e tij.

Bellingam, nga ana tjetër, gjatë fundjavës së kaluar shënoi rekord, jo vetëm në historinë e Borusia Dortmundit, por edhe të Bundesligës, si lojtari më i ri që mban shiritin e kapitenit (19 vjeç), pas mungesës së Rojsit dhe Humelsit në kampin e verdhezinjve.

Anglezi vazhdon më tej si lojtari që ka krijuar dhe fituar më shumë duele në këtë sezon në kampionatin vendës (duele të përfshira 225, duele të fituara 137). Është fakt se të dy talentet e lartpërmendur kanë luajtur bashkë me përfaqësuesen e moshave me “Tre Luanët” (U-15, U-17 dhe U-19), derisa më pas Southgejt nuk i siguroi vend në formacionin bazë, ndryshe nga sa veproi Flik dhe rrëmbeu lojtarin me nënshtetësi të dyfishtë (mamaja e tij me nënshtetësi gjermane dhe babai me nënshtetësi angleze), për ta kthyer në titullar me “Pancerat”.

Tjetër detaj është se ata nuk janë takuar kurrë në fushë si titullarë kundër njëri-tjetrit, gjë që mund t’i japë fund në superpërballjen e sotme.

Related posts

Gjokovic eliminohet nga Montekarlo, Nadal avancon në çerekfinale

Sadik.Autor

“DREJTUESIT SIKUR JANË TAPË”/ IBRA nuk vjen, MILANI i qepet një “GOLEADORI PLAKUSH”

Isa.Autor

NGA KUPA UEFA ME PARMËN TEK KANTINA E VERËS/ Ish-trajneri Malesani: Kur braktis futbollin miqtë zhduken…

Delo.autor

Leave a Comment