Futbollisti spanjoll, Pablo Mari, ka thënë se është ‘me fat’ që është gjallë pasi i mbijetoi një sulmi me thikë në një supermarket të Milanos ditën e djeshme, pasi ai iu nënshtrua me sukses operacionit sot.

Mbrojtësi, i huazuar te klubi italian Monza nga skuadra angleze, ishte një nga pesë të plagosurit në incidentin që nododhi mbrëmë, ndërsa një person tjetër u vra në supermarketin e linjës Carrefour në qendrën tregtare Milanofiori di Assago.

29-vjeçari tha për Gazzetta dello Sport: “Sot isha me fat,pashë një person të vdiste para meje”.

Mari iu nënshtrua një procedure në spitalin Niguarda të Milanos pasi u plagos në shpinë ndërsa bënte pazar me gruan dhe djalin e tij dhe raportohet se ai do të qëndrojë në spital për dy deri në tre ditë, tha klubi i Monza-s, duke shtuar: “Gjithçka është në rregull tani”.

 

Sportisti qëndronte pranë gruas Veronica dhe kishte djalin 4-vjeçar Pablo në një karrocë përpara tij, kur ai ‘ndjeu diçka të dhimbshme’ dhe kuptoi se ishte goditur me thikë, tha  administratori i klubit, Adriano Galliani.

Ai shtoi se lojtari spanjoll kishte fat, sepse sipas tij i shpëtoi dëmtimit në organet jetësore p#r shkak të gjatësisë së tij trupore.

Sulmi ndodhi rreth orës 18:30 të së enjtes kur një 46-vjeçar, që besohet se kishte probleme të shëndetit mendor rrëmbeu një thikë nga raftet në një supermarket dhe filloi të sulmonte njerëzit me të.