Futboll Sport

PARTIZANI MPOSHT 2-1 TIRANËN/ Kryeqyteti mbetet i kuq! Bardheblutë 381 ditë pa fitore në derbi

FT/ Partizani 2-1 Tirana (Maguette 77′, Mensah 90+2′ / Hasani 90′)

Java 6 e Superligës, “Air Albania” – Tiranë

Partizani mundi 2-1 Tiranën në “Air Albania” për javën e gjashtë (të prapambetur) në Superligë. Përballja derbi e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet ishte dramatike, me fundin e ndeshjes që prodhoi emocione të forta, për ata që nuk kanë probeme me zemrën. Fillimisht Maguette kaloi në avantazh Partizanin në të 77 minutë, ndërsa Hasani barazoi për bardheblutë në minutën e 90-të. Kur Tirana ende nuk kishte marrë veten nga festa, ishte Mensah që në të 90+2 minutë shënoi golin e dytë për Partizanin.

Komenetet kryesore të ndeshjes:

90+8′ Mbyllet 2-1 derbi. Partizani merr tri pikë në derbi.

90+2′ Partizani 2-1 Tirana. Fund i çmendur në “Air Albania”. Disa sekonda pasi Tirana barazoi, Mensah kalon në avantazh Partizanin pas asistit të Keko.

90′ Partizani 1-1 Tirana. Bardheblutë barazojnë me Florent Hasanin.

77′ Partizani 1-0 Tirana. Maguette kalon në epërsi të kuqtë. Në zhvillimet e një këndorje, Maguette kërcen mbi të gjithë dhe ndëshkon Abdullahun me kokë.

74′ Rrapaj driblon bukur, futet në zonë dhe shkarkon të djathtën. Sfera del jashtë.

73′ Tirana ka rastet e arta të ndeshjes. Një krosim nga këndi, bën që Hoxhallari me kokë të godasë traversën, ndërsa në vijimin e aksionit Abazajt i hiqet një gol i sigurt, me Maguette që largon mbi vijë.

70′ Eldorjan Hamiti ndal ndeshjen disa çaste, në drejtim të Alban Hoxhës hidhen copa stolash nga tifozët e Tiranës. Paralajmërohen tifozët.

67′ Rimal Haxhiu dhe Regi Lushkja në fushë, Hila dhe Latifi dalin te Tirana.

66′ Mensah dhe Bilali në fushë për Partizanin, dalin Bintsouka dhe Taipi.

52′ Adnard Mehmeti tenton nga jashtë zone, ndal gardiani i Tiranës.

51′ Kristal Abazaj ka mundësinë më të mirë të ndeshjes për Tiranën, sulmuesi godet traun e portës. Me fat Partizani.

49′ Najdovski merr karton të verdhë te Tirana.

46′ Nis pjesa e dytë, Cara dhe Bintsuka kanë shanse për gol te të kuqtë. Abdullahu hero te Tirana.

45+2′ Mbyllet 0-0 pjesa e parë.

45+2′ Bintsuka nuk përfiton në zonë, rast goli për të kuqtë.

45+1′ Doka tenton nga brenda zonës pas pasimit të Përgjonit, Alban Hoxha bën një pritje të bukur.

41′ Sota del i dëmtuar, në vend të tij Kocijan në qëndër të mbrojtjes te Partizani.

36′ Hila merr karton të verdhë te Tirana. Dy mesfushorët e Tiranës të ndëshkuar në pak minuta.

32′ Jonuzi merr karton të verdhë te Tirana.

30′ Rrapaj godet nga jashtë zone, ndal portieri i Tiranës.

27′ Abdullahu ndal Carën. Rasti më i mirë i Partizanit. “Alla-Neuer” portieri 19-vjeçar i bardhebluve.

22′ Latifi humbet një kundërsulm, e ndal Sota me një lëvizje të zgjuar.

11′ Najdovski ndal Carën në një nisje të shpejtë.

1′ Nis ndeshja në “Air Albania”, atmosferë fantastike nga tifozët (19:00).

Pragndeshje/ Partizani dhe Tirana po luajnë sot duke filluar nga 19:00 për javën e gjashtë (të prapambetur) në Superligë. Në “Air Albania” të dyja skuadrat do kërkojnë tri pikët, teksa vijnë nga fitoret respektive. Sfida do duhet të luhej më datën 26 shtator, por u shty për sot për shkak se stadiumi nuk ishte gati për të pritur një kryendeshje të tillë.

Përballja mes rivalëve historikë vjen në një periudhë të çuditshme, me të dyja skuadrat që janë me trajnerë provizor në pankina. Largimi i Zoran Zekic ka bërë që Partizani për këtë duel t’ia besojë stolin Arbër Abilaliajt, me drejtorin sportiv të të kuqve që ka riveshur tutat dhe ka zbritur në fushë si zgjidhje emergjente.

Nga krahu tjetër, Orges Shehi u pezullua nga Tirana dhe vendin e tij në stolin e bardhebluve për momentin e ka zënë Julian Ahmataj, drejtori i Akademisë së kryeqytetasve. Veç kësaj situate që i gjen skuadrat në një moment jo të favorshëm, edhe dita e ndeshjes është disi e ndryshme nga çfarë jemi mësuar.

Kjo është sfida numër 171 në histori mes dy skuadrave, me peshoren që anon nga të kuqtë. Partizani i gëzohet 70 fitoreve, ndërsa Tirana ka 47 suksese. 53 ndeshje mes tyre kanë dalë në barazim.

Ndeshja e parë mes tyre daton më 30 mars 1947, me “Demat e Kuq” që fitonin 8-0 më atë sfidë. Përballja e fundit mes tyre, e fituar nga bardheblutë është ajo e një viti më parë, më 2 tetor 2022 e fituar 0-2 nga djemtë e Orges Shehit, asokohe në pankinë.

Në katër përballjet e fundit, Partizani nuk ka humbur asnjë takim dhe ka fituar dy prej tyre. Këtë duel e drejton Elorjan Hamitaj, ndërsa Partizani ka katër mungesa. Pas shtatë ndeshjeve të luajtura këtë sezon, Tirana me 13 pikë mban vendin e tretë. Ndërkohë, Partizani me gjashtë ndeshje të luajtura mban vendin e pestë me 11 pikë.

Formacionet zyrtare:

Partizani (4-3-3): Hoxha, Atanaskoski, Bytyçi, Sota, Murataj, Rrapaj, Maguette, Taipi, Mehmeti, Cara, Bintsouka Trajner: Arbër Abilaliaj

Tirana (4-2-3-1): Abdullahu, Najdovski, Doka, Përgjoni, Hoxhallari, Hila, Jonuzi, Deliu, Latifi, Abazaj, Hasani Trajner: Julian Ahmataj

Related posts

Neymar bën diferencën, Paris SG vazhdon “arratinë”!

Q.Autor

STATISTIKAT PËR PENALLTITË/ Messi mesatarisht gabon një 11-metërsh në…

Delo.autor

NBA/ LeBron James shkuan historinë, i treti që arrin kuotën e 35 mijë pikëve

Delo.autor

Leave a Comment