Me mbylljen e sezonit të rregullt, tashmë e kemi të qartë edhe panoramën e “Final 4”.
Ndërkohë që skuadrat po përgatiten për trofeun e madh, drejtuesit po bëjnë edhe llogaritë se sa para do të fitonin nga verdiktet që të sjellë “Final 4”. Padyshim që objektivi maksimal është triumfi që, përveç titullit kampion, do të sillte në arkat e klubit edhe 100 milionë lekë.
Vendi i dytë sakaq, pra finalisti, që do të humbasë, do të fitojë 70 milionë lekë. Vlerë të konsiderueshme monetare do të ketë edhe për finalen e vogël, ku vendi i tretë do të marrë 50 milionë lekë, ndërsa vendi i katërt 20 milionë lekë. Këto katër shuma do të ndahen nga FSHF-ja për katër ekipet.
Në “Final 4” janë Egnatia, që doli e para në kampionatin e rregullt, Vllaznia e vendit të dytë, Dinamo e treta dhe Partizani, i cili arriti të triumfonte vetëm në javën e fundit kundër Elbasanit me rezultatin 2-0.
Kjo fitore nuk i siguroi Partizanit vetëm të ardhurat nga “Final 4”, por gjithashtu i siguroi dhe një biletë në Europë, ku do të ketë të ardhura të tjera. Ndeshjet e “Final 4” do të luhen më 4 dhe 5 maj, ku nga dy çiftet gjysmëfinaliste, do të dalin më pas dy ekipet që do të “përplasin” brirët më 12 maj për trofeun dhe sigurisht 100 milionë lekët.