Gjatë fundjavës në Tiranë është zhvilluar Kampionati Kombëtar i Dyluftimit, aktivitet i organizuar nga Federata Shqiptare e Taekwondo World.
Në këtë eveniment morën pjesë rreth 200 sportistë, të cilët përfaqësonin klube dhe shoqata të ndryshme të vendit, duke konkurruar në kategoritë junior dhe senior si për meshkuj gjithashtu edhe për femra. Me pallatin e sportit “Asllan Rusi”, të kthyer në arenë për duelet, Kampionati Kombëtar i Dyluftimit dhuroi përballje emocionuese dhe me rivalitet. Tirana u konfirmua edhe një herë superfuqi në kategorinë e të rriturve, duke vijuar serinë e rezultateve të shkëlqyera prej një dekade. Skuadra bardheblu, e përgatitur nga trajnerja Arjola Zhegu, fitoi titullin ekipor për të rritur, duke nxjerrë plot tetë kampionë në këtë kategori, katër në radhët e meshkujve dhe po kaq te femrat.

Ndërsa për të rritur vlerësimin e sportistëve më të mirë të kompeticionit e merituan Gledis Buba i Shoqatës Sportive Rinore Studenti dhe Isra Meta e skuadrës së Vllaznisë. Në fund të aktivitetit u mbajt edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve individuale dhe ekipore, ndërsa në tabelë pasqyrohen të gjithë kampionët për çdo kategori të Kampionatit Kombëtar të Dyluftimit 2025.

