Willian i shtrin dorën klubit të Chelsea. Ndërkohë që Maurizio Sarri ka ngritur zërin për rikthimin me vonesë të brazilianit nga pushimet, në marrëdhënien e komplikuar mes sulmuesit dhe “bluve” del në skenë edhe një mister, lidhur me një firmë false të Willian.
Futbollisti, nëpërmjet profilit të tij në “Instagram”, ka sqaruar se është gati të ndjek rrugë ligjore, pasi në orët e fundit ka qarkulluar një letër e cila mbante logon e FIFA dhe firmën e Willian, në të cilën futbollisti autorizonte menaxherin e tij ta transferonte te Manchester United.
“Në orët e fundit, – ka shkruar lojtari, – kam parë një letër në të cilën Denirobson Dias paska autorizuar Renee Pinheiro Anunciação të më përfaqësojë deri më 15 gusht për bisedime të ndryshme me klube angleze ose franceze. E përgënjeshtroj kategorikisht atë firmë. Kam qenë objekt i një mashtrimi. Kam aktivizuar avokatët e mi për të zgjidhur sa më parë këtë çështje. Uroj që t’i kem sqaruar të gjithë ashtu si duhet.”
Willian, që mbetet në shënjestrën Manchester United dhe admiruesit të tij Jose Mourinho, ka pasur oferta edhe nga Barcelona dhe Real Madrid. Por ai mund të zgjedhë të qëndrojë te Chelsea, tani që Antonio Conte u largua, sepse marrëdhëniet e tij me trajnerin italian ishin përkeqësuar së tepërmi.