Zlatan Ibrahimovic goditi kritikët, që thonin në fillim të karrierës së tij se ai nuk ishte në gjendje të shënonte shumë gola, ndërkohë që tashmë ka kapur kuotën e 500 golave në karrierë.
Sulmuesi suedez e kompletoi “500” me një përpjekje akrobatike gjatë humbjes së LA Galaxy në Toronto, në MLS, të shtunën e kaluar.
Përpjekja e tij spektakolare ishte goli i 500-të i karrierës profesionale të Ibrahimovicit, gjatë së cilës ai luajti në klube të njohura, duke përfshirë PSG, Inter, Barcelona dhe Manchester United.
Ibrahimoviç, 36 vjeç i kujtoi sërish kritikët, duke iu thënë se kishin menduar gabim për të:
“Unë kisha një shans për të luajtur me të gjitha klubet e mëdha, ku kam pasur si bashkëlojtarë emra të mëdhenj. Në të gjitha këto stacione të karrierës kam qenë kryegolashënues. Më e bukura është se, kur e fillova karrierën time, thanë se ky lojtar është i mirë, por nuk është në gjendje të shënojë shumë gola. Me sa duket, unë isha i zoti në këtë drejtim. Tani kam arritur shifrën e 500 golave në karrierë. Ky është një numër i çmendur në futboll”.
Superstari suedez shtoi se vetëm ai ishte i aftë për të shënuar gola si ai kundër Torontos: “Goli i fundit nuk mund të ndodhë përsëri, vetëm unë mund të shënoj një gol të tillë.” Ibrahimoviç do të kërkojë të vazhdojë të shtojë numrin e tij të golave të dielën, kur Galaxy përballet me Sounders Seattle, kundërshtar i cili aktualisht është është gjashtë pikë përpara LA në Konferencën Perëndimore.