Futboll Shqipëri Sport

RRËFIMI PREKËS/ Leo nuk më tha kurrë pse e donte aq shumë PARTIZANIN, lojtari i preferuar ishte…

Të premten u luajt derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, por ky derbi nuk kishte emocionin dhe shijen si çdo derbi i kaluar. Tifozi më i veçantë i “Ultras Guerrils”, Leo Cara ndërroi jetë vetëm pak orë para ndeshjes së shumë pritur. Leo ishte në stadium atë ditë, me kujtimet, nderimet dhe respektin për imazhin e tij, megjithëse mungoi fizikisht.

Dashi Cara, babai i Leos, në një rrëfim prekës, ka treguar momentet e para kur Leo ka nisur të ndjekë futbollin, lidhjen e tij me Partizanin, emocionet e transfertave, humbjet e fitoret e të kuqve dhe derbin, që tashmë nuk do të quhet “Derbi i Kryeqytetit” por “Derbi LEO”.

Si nisi dashuria për futbollin dhe Partizanin?
“Si tifoz që jam unë dhe jam bashkë familje, babain e djalin tim të madh, Klevin. Kur lindi Leo, ishte me probleme me paralizë cerebrale por ka qenë shumë i kthjellët mendërisht dhe më shihte që vishesha me të kuqe e nisesha drejt stadiumit. Kur filloi të kuptonte më shumë dhe më shihte duke shkuar me djalin në stadium me të kuqe, një ditë nisi të qante dhe nuk po e kuptonim se pse, pasi ai nuk fliste.

U ktheva e mora në krah e lashë, por ai po qante prapë. Kur ika në stadium më thotë nusja se Leo ka parë gjithë ndeshjen në TV dhe çdo minutë shihte nga dera. Ai kishte qarë dhe ishte mërzitur se pse nuk e mora në stadium.

Një ditë, në ndeshjen e radhës e mora në stadium, dhe ka qenë ndeshja me Bylisin 1-2 në “Qemal Stafa” dhe që atëherë nuk kemi lënë ndeshje pa shkuar madje edhe kur temperatura ishte -12 gradë. Kemi shkuar edhe në transferta.

E kuqja e tërhiqte shumë dhe kishte shumë emocion kur shihte Partizanin. Lëvizte shumë në karrocë pasi duart i lëvizte dhe dridhej nga emocioni i ndeshjes. Nuk kishte rëndësi nëse ishte shi apo ftohtë dhe vetëm vjet në ndeshjen me Lushnjen kur ra borë nuk e mora. Nuk pendohem për atë ndeshje pasi kisha frikën e ndonjë shiu ose të ftohti dhe ka qenë pikërisht ndeshja kur Lorenc Trashi më dha fanellën e tij për djalin. E ka pasur kënaqësi dhe ndjente shumë për Partizanin.

E kam çuar edhe në ndeshje të tjera, por nuk reagonte fare teksa e shihte ndeshjen. Gjithçka ishte ndryshe kur luante Partizani. Nuk arrita kurrë të flisja me të për ta pyetur tamam pse e do Partizanin. Ndoshta ishte pasioni për topin, ndoshta dashuria për futbollistët, ndoshta arsyeja se pse e doja unë Partizanin apo edhe ndoshta se vetrë Partizani ishte skuadra që ai donte, e kuqja ishte ngjyra që e tërhiqte. Për mua, rëndësi ka që ai e donte atë ekip.

I përjetonte shumë ndeshjet. Humbja me Kukësin sezonin e kaluar 4-0 ekishte mërzitur aq shumë Leon sa nuk donte që ta shihte ndeshjen nga minuta e 60 e mbrapa. Ishim në Kukës atë ditë. Kur humbiste Partizani në Tiranë, nuk donte që të rrinte më as në tribunë. E kuptoja se ishte shumë i lidhur me atë fanellë.

Lidhja e Leos me Trashin?
Me 19 nëntor ka lindur Leo dhe Trashi kishte fanellën me numrin 19 dhe duke i treguar që Trashi është preferencë e imja dhe do na fali fanellën, ai u dashurua shumë. Çdo herë që shkonim në fizioterapi nuk futej brenda pa folur njëherë me kamera me Lorencin. Ndihej mirë kur fliste me të. Ai i jepte shpresë, e lumturonte dhe e bënte optimist. Trashi thonte gjithmonë që ti je miku im, të kam xhan dhe do të bëhesh një futbollist si unë. Leo kënaqej dhe këto ishin momente që i jepnin lumturi.

Transfertat i përjetonte shumë mirë dhe kur më shihte me të kuqe nuk kishte rëndësi se ku shkoja, sa larg dhe vetëm më shihte me syrin që donte të vinte se s’bën. Nuk i interesonte nëse do ikja në Korçë, Kukës, Gjirokastër apo Shkodër. Ai nuk lodhej, kurrë, për asgjë. Vetëm shijonte transfertën.

Dedikimi i derbit?
(Nis të qajë) Për mua, nuk do të ketë më derbi të Tiranës. Unë nuk e njoh më me atë emër. Për mua do të jetë gjithmonë Derbi i Leos. Është skalitur në kokë dhe tru që është derbi Leo. Gjithmonë kur të luhet ky takim, unë do të kem kujtimet më të bukura nga derbi Leo.

Nderimi nga “Tirona Fanatics”?
Nuk e prisja kurrë atë reagim nga “TF” dhe kur nuk mendoja që do e bënin atë banderolë por jam shumë i emocionuar. As në mendje nuk më kishte shkuar, që dashuria për Leon do të kalonte çdo kufi, edhe atë të rivalitetit mes tifozëve.

Edhe faqet në “Facebook” i pashë por kurrë nuk mendova se kishte krijuar aq emocion te të gjithë. Ajo ka qenë dita më e lumtur e jetës sime për respektin që u treguar karshi Leos dhe jam shumë krenar për të. Çdo derbi do të më kujtohet ai emocion. Por jeta qenka kështu, nuk kemi se çfarë i bëjmë për ta ndryshuar. Unë në stadium do të shkoj gjithmonë për ta ndjekur Partizanin dhe Leo do ta shohë nga lart. Nuk e ndryshoj dot…”, mbyll rrëfimin e tij babai i Leos, që tashmë do të ndjekë Partizanin nga lart

Related posts

Jose Mourinho: S’kthehem në Serinë A, Italia plot me trajnerë të zotë

Q.Autor

LËSHON DEKLARATË KUNDËR ANCELOTTIT/ Sulmuesi King: Nuk duhet të kesh kurrë besim tek një trajner që…

Delo.autor

LIVE/ Liga e Kombeve: Spanja “fundos” Kroacinë, Belgjika “leksion” Islandës

Isa.Autor

Leave a Comment