Gjithsesi, lojtarëve të PSG u është dashur pak kohë për të kuptuar se ishte një shaka. Aktori ka përmendur një seri rregullash shumë të çuditshme, duke habitur futbollistët. Dy të parat kanë befasuar Nkunku dhe Diarra: arbitri do të ketë një kamera në qafë dhe nuk do të lejohen më fjalët e pista në fushë, përndryshe lojtarët do të ndëshkohen me karton të verdhë.
Diarra ka reaguar menjëherë: “Kështu do të ketë 8 kartonë të kuq për ndeshje. Seriozisht e keni?”. Më pas ka ardhur radha e Rabiot të protestojë për ndalimin e pështyrjes në fushë: “Rregull i drejtë, por kështu nuk mund të pështyjmë në asnjë vend. As në fushë, as në dhomat
e zhveshjes, as në rrugë”.
Do të ndalohen edhe modelet e çuditshme të flokëve, një rregull që do të godiste kryesisht Nkunku, i cili është tallur menjëherë nga Rabiot. Rregullat e fundit kanë shkaktuar reagimin e Draxler dhe Dani Alves. Duhet të ngrihet dora për të folur me arbitrin dhe nuk mund të festohet më shumë se 10 sekonda pas golit, përndryshe do të vijë një tjetër karton i verdhë.
“Mos ia fut kot, është e pamundur të mendosh për këto gjëra gjatë ndeshjes. Në kolegj jemi këtu?”, ka thënë Draxler. Më pas ka ardhur reagimi i Alves për festimin e limituar: “Kur fillon festimi, në momentin kur shënohet goli? Ai është momenti më i bukur i futbollit”. Vetëm në këtë moment lojtarët kanë kuptuar se ka diçka që nuk shkon, me Draxler që ka zbuluar kamerën e fshehur dhe i ka dhënë fund shakasë, që deri në atë moment ka qenë shumë e suksesshme.