Të gjithë presin që Khabib “The Eagle” Nurmagomedov të marrë një dënim të lehtë nga Komisioni i Sportit në Nevada, pas përfshirjes në një sherr masiv në fund të eventit UFC-229. Në këtë event, rusi mbrojti titullin kampion bote në peshën e lehtë, duke mposhtur me “submission” irlandezin Conor McGregor. Nëse dënimi do të jetë i lehtë, atëherë për Khabib janë të shumta mundësitë për të ardhmen.
Në një emision televiziv, gazetari e komentatori i njohur i UFC-së, Joe Rogan kishte të ftuar legjendën e peshës së rëndë në boks, Mike Tyson. Duke folur për Khabib Nurmagomedov, ata dhanë opinionin e tyre në lidhje me të ardhmen e kampionit rus.
Joe Rogan u shpreh: “Khabib mund të bëjë çfarë t’i dojë qejfi. Unë mendoj se ai është luftëtari më i mirë i të gjitha kohërave, një përbindësh në kafaz. Mund të vazhdojë të qëndrojë në këtë Divizion ose të kalojë një Divizion më lart, ku ka disa rivalë të fortë e duele të bukura. Sfida ndaj Tony Ferguson është një përballje e vështirë për Khabib, duel që do ta shihja me kënaqësi. Por edhe nëse shkon një Divizion më lart do të ishte interesante”.
Më tej, Joe Rogan shtoi: “Nëse ngjitet në një peshë më lart, do të ketë përbnallë Tyron Woodley, gjithashtu kampion bote në artet marciale mikse. Ndoshta mund të kemi një sfidë ndaj Georges St-Pierre, në rast se kanadezi vendos të rikthehet në kafaz, çka do të ishte një sfidë e madhe. Unë besoj se Khabib ka mbyllur punë në këtë Divizion dhe do të kalojë në një peshë tjetër”.