Maurizio Sarri nuk ka shqetësime mbi spekulimet në rritje për pozitën te Chelsea, duke këmbëngulur se presioni ndaj tij ishte edhe më i lartë te Napoli.
Blutë e Londrës pësuan humbjen e rëndë 4-0 në Bournemouth, çka i ka irrituar pa masë tifozët. Një seksion i këtyre të fundit shpërtheu me thirrjet “nuk e dimë se çfarë po bën”, kur përforcimi i ri, Gonzalo Higuain, u zëvendësua në mes të lojës, ndërsa një tjetër tifoz u përball me Sarrin pas daljes së tij nga stadiumi.
Duke folur përpara udhëtimit të Huddersfield Town në “Stamford Bridge”, të shtunën, 60-vjeçari u mundua të ishte i qetë dhe i palëkundur në metodat e tij të punës, duke e etiketuar veten një “ëndërrimtar”: “Unë kam ardhur nga Napoli, që është për herë të tretë me radhë në Ligën e Kampionëve. Pra, niveli këtu është me të vërtetë shumë i lartë, por niveli i klubit tim të mëparshëm nuk ishte aq i ulët.
Unë mendoj se ka pasur më shumë presion atje, sepse Napoli është qyteti i vetëm i madh në Itali, me vetëm një ekip. Pra, në Napoli, presioni nga tifozët është me të vërtetë i madh”.
Sarri është në kërkim të përmirësimit të skuadrës së tij ditë pas dite në stërvitje, por ka pranuar se orari i mbingarkuar me ndeshje është duke ia bërë punën të vështirë: “Është shumë e vështirë të trajnosh këtu në Angli. Ju filloni të luani çdo tri ditë në gusht, për pesë muaj. Kemi vetëm një javë pa një ndeshje.
Pra, është shumë e vështirë për t’i përmirësuar lojtarët veç e veç dhe si pjesë e ekipit. Ne jemi duke u përpjekur për të ndryshuar diçka, por kemi pak kohë. Tani jemi duke punuar në 30 metrat e fundit (sulmin), por koha është shumë e vogël”.