Liverpuli dominoi çmimet e UEFA-s në Montekarlo, me Virxhil Van Dajkun që fitoi dy çmime dhe Alison Bekerin që u shpall portieri më i mirë i sezonit. Qendërmbrojtësi holandez, përveçse u shpall mbrojtësi më i mirë, mposhti edhe Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon në garën për çmimin e lojtarit të sezonit, duke u bërë holandezi i parë që e fiton këtë çmim.
I vetmi lojtar i Liverpulit që e kishte bërë të tijin këtë çmim, që nisi të akordohet prej vitit 1998, ishte Stiven Xherard në 2005- ën. Në 12 ndeshjet në Champions, 28-vjeçari shënoi dy gola dhe dha edhe dy asiste, ndërsa në Premier Ligë luajti 38 ndeshje, shënoi 4 gola dhe dha 2 asiste. “Jam krenar që jam këtu. ‘Anfield Road’ luajti një rol shumë të rëndë sishëm në përmbysjen e Barcelonës. Mendonim se humbja 3-0 nuk ishte një rezultat i drejtë. Kaluam ditë të çmendura me dy sfida në kampionat. Ishte e pabesueshme që ia dolëm. Mendoj se edhe Mesi mund t’jua përshkruajë atmosferën atje. Ishte një mbrëmje fantastike”, tha Van Dajk, teksa intervistohej përkrah dy rivalëve të tij.
Ai mori tri herë më shumë pikë sesa Kristiano Ronaldo në këtë garë. “Ishte një rrugë e gjatë, por është pjesë e udhëtimit tim. Është pjesë e asaj që unë jam”, tha Van Dajk pasi iu dorëzua çmimi. “Unë doja ta fitoja në këtë mënyrë. Nuk jam një lojtar 18 vjeç që do të doja ta fitoja menjëherë. Duhet të punoja çdo hap të rrugës. Kjo është pjesë imja dhe jam shumë i lumtur për këtë. Jam shumë krenar që e fitoj këtë trofe dhe është e gjitha meritë e atyre që më kanë ndihmuar gjatë kësaj rruge”, shtoi kapiteni i kombëtares holandeze, duke falënderuar shokët e skuadrës së kuqe. Në konferencën e mëvonshme për shtyp, ai komentoi edhe shortin dhe ripërballjen me Napolin, ashtu si në sezonin e shkuar. “Do të jenë ndeshje të forta. Napoli është një skuadër e shkëlqyer. Ne natyrisht u mundëm në fazën përgatitore këtë verë, por ajo nuk ka shumë rëndësi. Ajo nuk tregon shumë dhe ne e dimë se sa të fortë jemi. Ata kanë një skuadër fantastike dhe një grup fantastik lojtarësh”.
