Sebastian Vettel pësoi në pistën e SPA një tjetër zhgënjim. Ai e nisi garën në pistën belge në vendin e dytë, por e përfundoi i katërti. “Me gomat që kisha e dija që nuk mund të ruaja atë pozicion. Ndaj, u përpoqa të ulja ritmin e Mercedes dhe të ndihmoja Charles të shkëputej e fitonte”, u shpreh piloti gjerman i Ferrarit.
Për Vettel, suksesi i Leclerc në Belgjikë, fitorja e parë e “kokëkuqes” këtë sezon, ishte fitore ekipi. “Ajo garë nuk ishte e mirë për mua, por për Ferrarin po. E pranoj që në këtë garë punova për skuadrën dhe mendoj se ia dola mbanë. Bëmë një hap përpara dhe kjo është një notë pozitive për Ferrarin”, tha Vettel.
Edhe Leclerc e pranon se ndihma që i dha shoku i skuadrës ishte e rëndësishme në këtë sukses. “Pa ndihmën e tij dhe punën e madhe që bëri për të ngadalësuar dy makinat Mercedes nuk do ta kisha fituar garën”, u shpreh piloti monogask.
