Futboll Seria A Sport

SHTOHET TENSIONI TEK JUVENTUS/ Dybala përplaset me drejtuesin “bardhezi” për zgjedhjen e trajnerit

Pas mungesës së detyruar në dy ndeshjet eliminatore me Argjentinën, si rrjedhojë e problemeve të tij me stomakun, sërish zero minuta për Paulo Dibalën në ndeshjen e të shtunës, mes Krotones dhe Juventusit. Sulmuesi, edhe pse i grumbulluar, qëndroi gjatë gjithë takimit në stolin e rezervave dhe kjo situatë nuk i pëlqeu aspak numrit 10 bardhezi.

Madje, siç raporton torinezja “TuttoSport”, Dibala ka dashur që ta manifestojë hapur mospëlqimin e vendimit që trajneri Andrea Pirlo ka marrë ndaj futbollistit, me Paulon që ka kërkuar ta sqarojë këtë situatë jo me “Maestron”, por me drejtorin ekzekutiv dhe gjithashtu sportiv, Fabio Paratiçi. Sipas burimit në fjalë, Dibala ka pasur një diskutim shumë të ashpër me drejtuesin e klubit, i ndodhur në tunelin e dhomave të zhveshjes, pas fundit të sfidës me Krotonen.

Fakti që Pirlo nuk e hodhi në fushën e lojës e ka revoltuar shumë 26-vjeçarin. “Paulo është stërvitur vetëm 10 minuta ditën e premte dhe nuk mendoj se aktivizimi i tij ishte zgjedhja e duhur për t’u marrë, aq më tepër kur skuadra kishte mbetur edhe me 10 lojtarë”, ishte arsyetimi i trajnerit bardhezi, lidhur me çështjen. Por, me sa duket, ky sqarim jo vetëm që nuk e bind, por as që pranohet nga Dibala, i cili për ta bërë edhe më publike pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të trajnerit, i ka dhënë “like” një postimi të Fabiana dela Vales, gazetares së të përditshmes “Gazzetta dello Sport”, e cila prekte pikërisht argjentinasin dhe situatën e parë në Krotone:

“Pyes veten se çfarë sensi ka të grumbullosh Dibalën për ndeshjen me Krotonen, nëse nuk ke ndërmend që ta hedhësh për asnjë minutë në fushë. Nëse nuk ishte në kushte për të luajtur, mos ndoshta do të kishte qenë më mirë sikur Paulon ta kishin lënë në Torino për t’u stërvitur?”, ishte postimi i gazetares, ndonëse Dibala pas pëlqimit që i bëri, më pas vendosi që ta anulojë “like”-un e tij.

Related posts

PAS POLEMIKAVE TË SHUMTA BRENDA KLUBIT/ Drejtori i Barcelonës merr këtë vendim përfundimtar për Neymar

Delo.autor

Mijatovic shigjeton Zidane: Real Madridi shumë i trembur, nuk ka siguri

Q.Autor

LIVE/ Kamza-Laçi: Nis me vonesë takimi pa tifozë, ekipet të dyja në kërkim të fitores

Isa.Autor

Leave a Comment