Skuadra e Torinos fikson çmimin për kapitenin dhe sulmuesin kryesor, Andrea Belottin. Sulmuesi 27-vjeçar i cili është i impenjuar me Italinë e tij në EURO 2020, është objekt i dëshirave të Milanit dhe Romës së Zhoze Murinjos.
Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive italiane “TuttoSport”, presidenti i klubit piemontez, Urbano Kairo ka fiksuar çmimin e “gjelit” Beloti, ku ai që dëshiron që të bëjë për vete bomberin italian duhet të derdhë në arkat e klubit granata plot 34 milionë euro.
Një shumë relativisht e ulët në krahasim me atë çmim që presidenti i Torinos e fiksoi para 3 sezonesh, 100 milionë euro.
Pak kohë më parë, skuadra e Romës i bëri një ofertë klubit granata me një shumë prej 15 milionë euro + 3 milionë euro të tjera bonuse, por përgjigja ka qenë e menjëhershme duke e refuzuar me arsyen se është një shifër tepër e ulët.
Gjatë sezonit të kaluar Beloti është aktivizuar në total në të gjitha kompeticionet në 36 ndeshje nga ku ka realizuar 13 gola dhe duke dhuruar 7 asist.