Juve bën “Zonjën e Vjetër” në derbin e Italisë, thyen pastër 2-0 Inter, praktikisht nxjerr ziklatër nga gara për titull, 11 pikë diferencë me kreun pas 13 javësh janë shumë. Një mbrojtje e hekurt dhe dy kundërsulme perfekte i mjaftuan ekipit të Allegrit për të dalë me pikë të plota nga kjo përballje. Bardhezinjte vijojnë ecurinë pozitive në Serie A, katër fitore radhazi janë shifra që ngrohin ambientin, Juve është ende në kohë të shpëtojë këtë sezon të nisur në mënyrën më të keqe të mundshme. Inter vërteton edhe një herë se problemi i tyre më i madh janë ndeshjet kundër ekipeve të mëdha, mbi të gjitha jashtë “San Siro” ku mbrojtja e tyre mbetet pikat më e dobët.
Në fakt, në ‘Stadium’ ishin superior në pjesën e parë, iu afruan në më shumë se një herë golit të avantazhit, fillimisht me Dzeko dhe Dumfreis, ndërsa Calhanoglu goditi edhe traversën.
Historia ndryshoi me fillimin e pjesës së dytë, ku Juve me një kundërsulm perfekt të finalizuar nga Rabiot kaloi në avantazh në minutën e 52-të. Pak minuta më pas, “Zonja e Vjetër” gjeti edhe golin e dytë me Danilo, por VAR anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë. Për të mbyllur llogaritë me Inter mendoi Fagioli që në minutën e 82-të, me një kundërsulm thuajse fotokopje realizoi golin e dytë për bardhëzinjtë.
Kjo ishte një mbrëmje ku Juventus kishte më shumë se një arsye për të festuar, morën një trepikësh të madh, pas 301 ditësh në Serie A në fushë u rikthyer edhe Chiesa, ndërsa pas pauzës së Botërorit, me grupin e plotë, Allegri beson se ekipi i tij mund të luftojë për gjëra të rëndësishme, për momentin kreu është ende lart, 10 pikë.