Nëse kalon një orë pa një lajm merkatoje për mbrojtësin Elseid Hysaj, atëherë duhet të bëheni merak. Shqiptari është ndër emrat më të përfolur të skuadrës napolitane dhe largimi i tij nga ekipi italian duket thuajse i sigurt. Mbrojtësi i krahut të djathtë nuk do të largohet brenda për brenda Seria A-së, pasi ekipi napolitan nuk e lejon këtë. 24-vjeçari me shumë mundësi do të përfundojë jashtë kampionatit italian. Klauzola e largimit të tij është 50 milionë euro, një shifër e frikshme për një mbrojtës të djathtë, pavarësisht se në tregun që jetojmë, diçka e tillë mund të duket normale, pasi u mësuam me shifrat e çmendura.
Një ndër opsionet e mundshme të mbrojtësit Elseid Hysaj ka qenë dhe kampionati gjerman. Shqiptari është përfolur për një kalim të mundshëm te skuadra e Bayern Munchen-it, por së fundmi në skenë ka dalë dhe Borussia Dortmund. Në fakt, Hysaj është afruar me shumë klube të ndryshme nga Gjermania, Anglia, por dhe Spanja, pa harruar dhe PSG-në. Duket se e gjithë Evropa do futbollistin shqiptar, por nuk duhet harruar fakti se mediet italiane janë të parat për të ekzagjeruar situatat dhe për të mbivlerësuar lojtarët e tyre.
Në lidhje me një largim të mundshëm të Hysajt te skuadra e Dortmund-it, ka folur dhe gazetari gjerman i prestigjiozes “Kicker”, Michael Richter. Ai e pranon hapur se ekipi i Dortmund-it nuk do të paguajë klauzolën e Hysajt prej 50 milionë eurosh. “Sarri është një trajner i shkëlqyeshëm, por unë nuk mendoj se do ta trajnojë Borussian në sezonin e ardhshëm. Ai ka probleme me gjuhën, por dhe me faktin se nuk e njeh kampionatin gjerman. Hysaj? Unë nuk mendoj se Borussia mund të shpenzojë 50 milionë euro për një mbrojtës, kështu që unë nuk mendoj se Hysaj është në planet e ardhshme dhe prioritetet e Dortmund-it”, – u shpreh ai në një emision radiofonik në Itali.