Kategoria Superiore Shqipëri

Milinkoviç përballë të kaluarës: Të ringrejmë ‘kështjellën’ Kukës

Do të jetë Luftëtari ndalesa e fundit për 2017-ën, për kampionët në fuqi, Kukësin, me gjirokastritët që duket se kanë gjetur ritmin e duhur dhe kanë marrë 6 pikë në 2 takimet e fundit, me Kamzën dhe Partizanin. Në daljen e tij para medieve, tekniku Milinkoviç deklaroi se skuadra është maksimalisht e përqendruar për këtë ndeshje dhe se beson se do të arrijë suksesin ndaj Luftëtarit .

“Luftëtari është një skuadër shumë e mirë dhe një rival i vështirë. Besojmë që do ta mbyllim këtë vit me fitore, pasi vëmendja jonë është maksimale për këtë takim të radhës. Për mua Luftëtari nuk është vetëm skuadra që ne kemi parë këto ndeshjet e fundit, ku dhe ka fituar. Luftëtari është një skuadër që ka luajtur shumë bukur edhe atëherë kur ka humbur, pavarësisht se shpesh është penalizuar nga fati.

Është ende në nivelet e vitit të kaluar dhe fakti që shënuan 5 gola ndaj Partizanit, tregon që janë në një formë shumë të mirë. Sidoqoftë ne nuk duam më të gabojmë në shtëpinë tonë, pasi dhe diferenca që kemi krijuar me Skënderbeun, ka ardhur prej hapave falsë që kemi bërë në “Zeqir Ymeri”. Duam që Kukësin ta bëjmë sërish një ‘kështjellë’ ku askush të mos marrë pike” u shpreh Milinkoviç.

Bregu dhe Abazaj janë 2 futbollistë të gjirokastritëve, që filluan shkëlqimin e tyre kur Luftëtari drejtohej pikërisht nga Milinkoviç. Sot ata po ‘marrin për dore’ skuadrën dhe kanë tërhequr vëmendjen e shumë ekipeve në merkato. Trajneri serb i verilindorëve shpreh vlerësim për ata, por pranon se është gati e pamundur për t’i afruar te Kukësi.

“Bregu dhe Abazaj janë 2 lojtarë shumë të mirë, por që e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për të luajtur jashtë Shqipërisë. Përvec kësaj, janë 2 lojtarë që janë nën kontratë me Luftëtarin dhe nuk është etike që të lakojmë emrat e tyre në këto momente”, u shpreh serbi i Kukësit.

Milinkoviç është shumë i qetë në punën e tij, pavarësisht se në çdo rezultat negativ është vënë në diskutim e ardhmja e tij. Për teknikun, e rëndësishme është që lojtarët të mos punojnë nën trysni.

“Jo vetëm tek Kukësi, por tek të gjitha skuadrat presingu ndaj trajnerit është i madh. Rëndësi ka që presioni të mos kalojë tek lojtarët, pasi për trajnerët është diçka e zakonshme”, tha ai.

Në merkato do të ndërhyhet së bashku me menaxherin Halili, ndërsa Milinkoviç deklaroi se do të kërkohet ardhja e 2 ose 3 lojtarëve që do bëjnë diferencën.

“Ne duam të sjellim në ekip lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Besoj se mund të gjejmë lojtarë që mund të ndryshojnë diçka në lojën tonë. Së bashku me menaxherin Halili, ne do të tentojmë të përzgjedhim 2 ose 3 futbollistë që mund të bëjnë diferencën, por si fillim kemi ndeshjen me Luftëtarin dhe më pas do të shohim dhe për merkaton”, deklaroi Milinkoviç.

Related posts

MERKATOJA E VERËS NË SUPERIORE/ Dalin nga “koma” Skënderbeu dhe Flamurtari, ja të gjitha lëvizjet

Delo.autor

Me Izraelin nuk luhet vetëm për prestigj, por edhe për më shumë se 1 milionë euro

Isa.Autor

EURO 2021/ Kombëtarja U-21 mëson kundërshtarët për kualifikueset, në grup me Italinë dhe Skocinë

Delo.autor

Leave a Comment