Futboll

Formacioni më i mirë i futbollistëve që luajtën vetëm me një klub

Në shekullin e kaluar ekzistonte fenomeni ku një lojtar e niste dhe e përfundonte karrierën vetëm me një ekip. Por në kohët e sotme shumë futbollistë nuk kanë prioritet të qëndrojnë në një skuadër për një kohë të gjatë, duke zgjedhur mundësinë për të siguruar tituj, pagesa të majme dhe emër të konsoliduar me klube më të fuqishme.

Janë tejet sporadike rastet kur në 2018-n lojtarët i qëndrojnë besnik fanellës dhe tifozerive, pavarësisht se mund t’u ofrohen hapësira më të mëdha në ekipet më të mëdha. Të qenit një lojtar klubi kërkon kritere strikte: të luash më tepër se 10 vjet me një ekip, të mos jesh huazuar për asnjë sezon në hapat e parë të karrierës, etj.

Futbollistë të tillë kthehen në ikona dhe frymëzimin e shumë tifozëve për besnikërinë, devotshmërinë, gatishmërinë për të dhënë gjithçka në çdo moment për skuadrën dhe guximin për të mbrojtur ekipin e zemrës në çdo moment ballafaqimi me median apo momente kritike.

Lamtumira e tyre lë pas nostalgji por dhe një boshllëk te ekipi që vështirë se mund të mbulohet. “The Bleacher Report” ka zgjedhur sipas skemës më klasike të futbollit 4-4-2, 11 futbollistët që shkruan historinë me klubet dhe nuk tradhëtuan asnjëherë ekipin.

 

  1. Lev Yashin (portier)

Përpara se portieri mitik sovjetik të njihet si njëri nga ikonat e futbollit botëror, ai ka qenë për 22 vite simboli i padiskutueshëm i Dinamos së Moskës, skuadër që ishte në varësinë e Ministrisë së Brendshme të Bashkimit Sovjetik. Yashin u bë portieri që theu tabutë klasike të gardianëve, duke influencuar në rolin që do të kishin në lojë në dekadat e ardhshme. Nisja e aksioneve nga porta, dalja për të shmangur rrezikun dhe grushtimi i topave janë të gjitha tipare që u iniciuan nga “Merimanga e Zezë”, Lev Yashin. 150 penallti të pritura në të gjithë karrierën e tij dhe instinktet e reflekset për të ndaluar çdo goditje në çdo situatë ndikuan në dhënien kësaj nofke nga tifozët sovjetikë për portierin e Dinamos së Moskës. Mes ansamblit të sulmuesve e mesfushorëve që kanë fituar trofeun prestigjioz të “Topit të Artë”, Yashin mbron me krenari titullin në emër të portierëve. Performancat në Kupën e Botës 1966 detyruan FIFA-n të krijonte çmimin për gardianin më të mirë të turneut në nder të portierit të vlerësuar si më i miri i të gjitha kohërave Lev Yashin.

  1. Paolo Maldini ( mbrojtës i majtë)

Një kapiten dhe model shembullor për t’u ndjekur. Maldini fitoi zemrat e milanistëve që në debutimin në 1985 me “Kuqezinjtë” në krahun e majtë të mbrojtjes. Ai ndryshoi stereotipin e ngurtë të një mbrojtësi krahu duke marrë më tepër përgjegjësi në fazën sulmuese dhe duke u bërë gati i pakapërcyeshëm në mbrojtje. Si shumë pak lojtarë, Maldini arriti që në moshën 39 vjeçare të shpallej “mbrojtësi më i mirë” nga UEFA. Deri në ndeshjen e fundit kundër Romës në vitin 2009, Maldini ishte gjithmonë ndër të zgjedhurit e parë në formacion startues. Italiani ka fituar 5 Champions League nga 7 që ka marrë në total Milani, një numër që barazohet me Champions të fituara nga Barcelona, Liverpooli dhe Bayern Munchen. Një jetë e tërë me fanellën kuqezi, plot 24 vite të çmuara e kthyen Maldinin në një nga idhujt më të respektuar nga të gjithë kolegët e kundërshtarët, aq sa në derbin e fundit që ai luajti ndaj Interit, tifozët rivalë nxorën një banderolë ku shfaqnin mirënjohje për kapitenin e armiqve të përjetshëm.

  1. Franco Baresi ( qendërmbrojtës)

Përpara se legjenda e Maldinit të ngrihej në qiell, ishte historia e një futbollisti të spikatur në arenën italiane e europiane të lojës që njihej për përkushtimin maksimal ndaj ekipit të Milanit. Franco Baresi u priu kuqezinjve në një nga periudhat më të lavdishme të klubit nën regjimin e Arrigo Sacchit dhe Fabio Capellos. Edhe pse shtatshkurtër në pozicionin e qendërmbrojtësit, Baresi kishte vizionin e lojës dhe mënyrën e parashikimit të aksioneve të kundërshtarëve, që e bënë një mbrojtës të arrirë.

Bashkë me Maldinin udhëhoqën Milanin në dominimin në arenën europiane kur fituan dy Champions League radhazi në 1989 dhe 1990. Baresi mbulonte të gjithë hapësirën e lojës së “kuqezinjve” dhe njihej për motivimin dhe mënyrën e komandimit të shokëve të skuadrës. Megjithëse, në raftin e tij të lavdisë ai numëron 6 Serie A dhe tre Champions League, Baresi nuk u kthye në një simbol të Kombëtares Italiane për shkak të rivalitetit me Gaetano Scirean në zemër të mbrojtjes dhe mosmarrëveshjet me disa teknikë të “Të Kaltërve”. Por ai tregoi se ishte një lojtar i destinuar për të qenë kampionë me Italinë në 1994 kur skuadra që ai udhëhiqte si kapiten humbi titullin e Botërorit përballë Brazilit të Romarios. Por, Baresi mbetet testamenti më i rrallë i përkushtimit stoik ndaj klubit dhe fanellës dhe një mjeshtër i vërtetë i lojës.

 

  1. Tony Adams (qendërmbrojtës)

Ai është një ndër emrat më të dashur të tifozëve të Arsenalit bashkë me Thierry Henry, Dennis Bergkamp. Por numri “6” performoi në mënyrë të shkëlqyer gjatë gjithë 19 viteve me fanellën e “Topçinjve”. Për shërbimet ndaj skuadrës ai u shpërblye pas 5 vitesh me shiritin e kapitenit që e mbajti për 14 vjet. Adams ishte një ndër lojtarët protagonistë të Arsenalit në titullin kampion të Anglisë të 1991, kur vendosmëria e tij në mbrojtje krijoi iluzionin që Arsenal përgjatë 1990-1991 ishte një ekip i pamundur për t’u mposhtur kur pësuan vetëm një humbje në sezonin kampion. Madje as alkooli nuk e mposhti përkushtimin ndaj ekipit kur në një ndeshje kampionati flitej se ai luajti në gjendje të dehur. Arsene Wenger mbështetej gjithmonë tek Adams duke e quajtur “profesorin e mbrojtjes”. Edhe në vitet e fundit të karrierës, menaxhimi i pakompromentuar e Arsene Wenger bëri që Adams të fitonte stabilitet në gjendjen fizike dhe kompaktësi në prapavijë.

Një “Zotëri” që e meriton këtë titull për plot 672 ndeshje me fanellën e londinezëve

 

  1. Carles Puyol (mbrojtës i djathtë)

Shpirti i skuadrës së Barcelonës. Puyol ishte një nga mbrojtësit më të mirë të dekadës së fundit dhe simbol i klubit katalanas. Në fushën e lojës ai do të mbahet mend për qëndrueshmërinë, ashpërsinë dhe duelet e paepura me sulmuesit më të mirë të kohës. Edhe pse karriera mund të kishte zgjatur më tepër, dëmtimet e njëpasnjëshme e detyruan të tërhiqej nga futbolli pas 15 vitesh në 2014. Pavarësisht talenteve dhe gjenialiteteve në fushë si Messi, Xavi, Iniesta dominimi i Barcelonës do të ishte i vështirë të zgjaste nëse nuk do të ishte shpirti i paepur i Puyol. Në 682 ndeshje, ai mbrojti me krenari fanellën e Barcelonës. Ai është një ndër lojtarët më të dekoruar në histori me 6 La Liga, 3 Champions League, 1 Kupë Bote e 1 Kampionat Europian.

 

  1. Ryan Giggs (mesfushor i majtë)

Një nga mesfushorët më dinamikë dhe ekspresivë që ka dalë nga toka britanike. Uellsiani dhe në vitet e fundit të karrierës tregoi se nuk i mungonte klasi dhe finesa në fushën e lojës. Giggs ka ditur të përshtatet në çdo pozicion të mesfushës, si në krah dhe në qendër ku orkestroi gjatë gjithë karrierës lojën e Manchester United bashkë me Paul Scholes. Ai shërbeu dhe si sulmues mbështetës i Van Nistelrooyt. Fantazia e tij ende prodhonte krosime dhe pasime fantastike dhe në ditët e perëndimit të karrierës së tij. Për më tepër Giggs është ndër paktët futbollistë që ka shënuar në çdo sezon të Premier League-s. Ai u sillte panik mbrojtësve rivalë sa herë që shpërthente nga krahu i majtë.

 

  1. Matt Le Tissier ( mesfushor qendre)

Një emër pak i njohur në arenën europiane, por në Angli ai mbahet mend për 16 vitet që luajti me Southamptonin. Nuk fitoi shumë trofe, për më tepër nuk u bë një futbollist aktiv i Kombëtares së Anglisë, por edhe midis emrave të mëdhenj të futbollit anglez ai arriti të gjente hapësirë në Angli. Le Tissier fitoi dhe vlerësimet nga legjenda e mesfushës Xavi Hernandez.

“Talenti i tij ishte thjesht jashtë norme. Ai mund të driblonte thjesht 7 ose 8 lojtarë pa shpejtësi, ai vetëm i linte pas. Për mua ai ishte sensacional”, – deklaronte në një nga intervistat “mjeshtri i mesfushës së Barcelonës”.

Edhe pse në një pozicion larg portës, “Le God” arriti të kapte shifrën e 100 golave duke qenë dhe një qitës i saktë i penalltive ( 48 gola nga 49 penallti të fituara). Goli më i paharruar është ndaj Newcastle-it kur manovron disa lojtarë kundërshtarë dhe hipnotizon me një parabol portierin e “The Magpies”. Prekja e topit, kontrolli, pasimi janë ngjyrat më të shndritshme që i japin shkëlqim madhështisë së tij. Talenti natyral i tij nuk njohu shpërblimin e merituar nga trajnerët ndër të vite të “Tre Luanëve”.

 

  1. Paul Scholes (mesfushor qendre)

Në Manchester United janë të destinuar të lindin legjenda. Truri i mesfushës së “Djajve të Kuq” gëzon të gjitha atributet e një lojtari të madh: inteligjencë, maturi, përkushtim, vullnet dhe dedikim ndaj fansave të Manchester United. Scholes ishte në gjendje të shënonte dhe pasonte në momentin e duhur dhe të gjendej në çdo vend të fushës. Në 466 ndeshje ai e përshëndeti rrjetën 102 herë. Por ndikimi i tij në lojën e “Djajve të Kuq” ishte jetik dhe i pamohueshëm. Ferguson e konsideroi gjatë gjithë viteve të drejtimit të Manchester United si futbollistin e tij më të preferuar dhe më të vyer. “Artisti” dhe “gjeniu” i futbollit modern Zinedine Zidane shfaqi përulësi ndaj kontributit të Scholes në futboll.

“Scholes është padyshim mesfushori më i mirë i brezit të tij”, mësohet të ketë deklaruar në adresë të Scholes ish-kampioni i botës dhe Europës me Francën. Ferguson në një seancë gjyqësore mori në mbrojtje mesfushorin e Anglisë kur avokati i çështjes nisi të lexonte emrat e futbollistëve të Manchester United.

“Harrove Paul Scholes, futbollistin tim më të mirë”, – dëshmoi në favor të “dishepullit” të tij Ferguson.

 

  1. Steven Gerrard (mesfushor i djathtë)

I destinuar për të luajtur jo vetëm me Liverpoolin por me çdo ekip të madh, Gerrard fitoi adhurimin e tifozëve “Të Kuq” që kur hodhi hapat e parë në “Anfield Road”. Një mesfushor klasik në fushë, Gerrard dërgonte pasime me destinacion të saktë dhe lëshonte silura perfekte nga jashtë zone.

Jo vetëm kaq, por ai mbajti peshë shpirtin e tifozëve të Liverpool-it në finalen më mitike të të gjitha kohërave të Champions League ndaj Milanit në 2005, kur detyroi “Djajtë Kuqezi” t’i dorëzonin titullin skuadrës angleze. Gerrard ishte i lidhur pazgjishmërisht me “Merseyside” dhe mohoi ofertën lakmuese të Chelsea-t në 2005. Ai nuk u vlerësua me trofetë madhorë si Premier League apo Kupa e Botës, por në fund të fundit ai mbetet një kampion i denjë në fushën e lojës dhe një pjesë e madhe e tifozëve “i heqin kapelen” Gerrard-it për personalitetin dhe nivelin e lartë të lojës që tregoi gjatë gjithë 17 viteve me fanellën emblematike të Liverpool-it. Njësoj si himni i të kuqve “ai nuk do të eci kurrë vetëm në historinë e futbollit”.

 

  1. Francesco Totti ( sulmues)

Njësoj si Gerrard, kapiteni i përjetshëm i Romës nuk fitoi një seri trofesh gjatë 25 viteve me fanellën e “ujkonjave”. Por titulli kampion i Serisë A në vitin 2001 dhe Kupa e Botës në 2006 janë dy momentet kur italiani preku majën e karrierës dhe lavdisë. Totti ishte një sulmues i dytë shumë i zoti dhe golat spektakolarë ishin një rastësi për të. Ai kaloi legjendarin Roberto Baggion për numrin e golave në Serinë A, ku në 610 ndeshje të kampionatit italian ai arriti shifrën e 250 golave, ndërsa “Bishtaleci i Shenjtë” në 490 takime shënoi 220 gola në Serinë A. Totti mund të kishte fituar trofe shumë të lakmuar si Champions League me Milanin ose me Real Madridin, por ai nuk pranoi kurrë të tradhtonte qytetin e tij të Romës. Por kapitenit të vetëm romanist në aspektin individual i ka munguar vetëm “Topi i Artë” por ai është entuziazmuar me fitoren e çmimit të “Futbollistit më të mirë italian” 5 herë, “Futbollisti më i mirë i Serisë A” 2 herë dhe “Këpucën e Artë” në vitin e 2007.

Kurse me fanellën e “Kaltër” Totti nuk shënoi shumë gola, por ishte një motor dinamik në mesfushën italiane me Andrea Pirlon dhe Demetrio Albertinin. Pasi la futbollin vitin e kaluar, Totti ka fituar vendin e “senatorit të përjetshëm” të futbollit italian, si Maldini, Del Pierio, Baresi, Bergomi, Zoff etj.

 

  1. Nat Lofthouse (sulmues)

Pas Luftës së Dytë Botërore, Anglia gjeti një tjetër lojtar që mund të frymëzohej. Lofthouse shkëlqeu në nivel klubi dhe kombëtareje me fanellat e Boltonit dhe “Tre Luanëve”. Statistikat e tij me Kombëtaren janë impresionuese që dëshmojnë saktësinë në goditje të sulmuesit anglez; 30 gola në 33 takime. Në ditët e sotme ai do të ishte një lojtar i shumëdëshiruar nga çdo klub i madh. Në kampionatin e anglez ai regjistroi 255 gola në 452 paraqitje. Shpirti i tij luftarak u njoh na publiku ku në një ndeshje miqësore ndaj Austrisë ai vrapoi 50 metra në fushë duke i rezistuar goditjeve me bërryla dhe ndërhyrjeve të ashpra të rivalëve derisa sa mposhti në fund austriakët me golin e dytë. Goli i dytë dhe fitorja ndaj Austrisë i dhanë nofkën “Luani i Vjenës”. Pas vitit 1960 kur “vari këpucët në gozhdë” Lofthouse nuk pranoi të largohej nga shtëpia e tij e dashur e Boltonit, duke marrë rolet e trajnerit, menaxherit, skautit dhe deri në majën e hierarkisë së klubit.

 

EMRA TË RËNDËSISHËM PËR T’U PËRMENDUR

Iker Casillas (Real Madrid), Jamie Carragher (Liverpool), Jimmy Dickinson (Portsmouth), Xavi (Barcelona), Gary Neville (Manchester United), Jack Charlton (Leeds United), Alessandro Costacurta (Milan), Giussepe Bergomi (Inter).

Related posts

ZOTËRON SHIFRA MBRESËLËNËSE/ Ky lojtar i Real Madrid është më efikas se “Pleshti” dhe CR7

Delo.autor

VIDEO/ Barcelona në avantazh ndaj Betis, Rakitic autor i golit

Q.Autor

BUZËQESH PANUCCI/ Etrit Berisha fiton besimin e Gasperinit, titullar edhe në vijim

Isa.Autor

Leave a Comment