Futboll

Skënderbeu ka pak shanse edhe në KAS, e fundosin gafat e dy viteve më parë

Skënderbeu ishte i bindur se nuk do të përjashtohej nga UEFA dy vite më parë dhe asokohe, mbrojtja e korçarëve ka lënë për të dëshiruar, me pasoja që do të ndjehen edhe tani. Mënyra se si studioja ligjore e zgjedhur nga korçarët është paraqitur para komisioneve të UEFA-s në vitin 2016, e sidomos para KAS të Lozanës, kanë vënë klubin korçar me shpatulla pas muri edhe tani dhe janë në fakt prova më e madhe që ka UEFA kundër pretendimeve të tyre për mosdënimin për një herë të dytë.

Skënderbeu ka bazuar të gjithë mbrojtjen e tij mbi hedhjen poshtë të sistemit BFDS si provë, të refuzimit të argumentimit nga ekspertët ndërkombëtarë se luhatjet e basteve provojnë se ka manipulim të rezultatit dhe se nuk ekziston asnjë provë konkrete që të implikojë klubin.

Për fatin e keq të korçarëve, të gjitha këto pretendime kanë rënë poshtë lehtësisht që dy vite më parë në KAS të Lozanës, kur UEFA i ndaloi pjesëmarrjen në edicionin 2016-2017 të Ligës së Kampioneve.

Në vendimin e publikuar sot shpjegohet qartësisht se BFDS është provë konkrete dhe përdoret si e tillë tashmë edhe nga gjykatat civile në vende të ndryshme të botës, duke rreshtuar raste në Letoni, Lituani, Portugali, Armeni, Qipro, Rumani dhe Estoni. Sikur të mos mjaftonte kjo, KAS-i ka marrë një vendim duke i pranuar si provë 4 raportet e ndeshjeve të Skënderbeut dy vite më parë, me klubin që nuk dha asnjë provë atëherë se pse ato nuk duheshin pranuar. UEFA thekson se KAS i pranoi si provë edhe pa elementët shtesë që ka sjellë këtë vit, një raport nga një analizues i jashtëm statistikash, si dhe opinionin e panelit të trajnerëve për sjelljen e lojtarëve korçarë, shkruan Vipsport.

Njëkohësisht, zyra ligjore e korçarëve nuk dha asnjëherë një provë apo një kundër-dëshmi se pse raportet e profesorit të ekonomisë të Universitetit të Liverpulit, David Forrest, dhe atij të Statistikave në Universitetin e Mançester, Ian MekHejl, mbi saktësinë e BFDS, nuk duheshin pranuar si të tilla. Ndonëse klubit iu kërkua që të paraqiste një ekspert, ai nuk e bëri kurrë një gjë të tillë.

Përveç kësaj, mbi Skënderbeun rëndon ende fraza e avokatit para KAS, ku ai argumentoi se manipulimin mund ta kishin kryer lojtarët, për të hequr përgjegjësinë nga klubi. Skënderbeu e cilësoi këtë një “argumentim teorik të avokatit” mbi mënyrën e manipulimit të ndeshjeve, por UEFA insiston se transkriptimi i plotë i fjalëve të avokatit, provon qartësisht se ai po mundohej t’ua hidhte fajin lojtarëve rreth ndeshjeve në fjalë, duke marrë të mirëqenë së BFDS kishte sinjalizuar me saktësi për ndeshje të manipuluara.

Të gjitha këto argumentime të mësipërme, të cilat janë pranuar si provë nga KAS që dy vite më përpara dhe janë përmendur në vendimin e UEFA-s, bëjnë që Skënderbeu ta ketë shumë më të vështirë të mbrohet këtë herë në Lozanë, arsye se pse studioja ligjore e korçarëve tani po përgatitet edhe për Gjykatën Supreme në Zvicër, duke u munduar që të anulojë vendimin në baza procedure, sado e pamundur që të duket./vipsport

Related posts

Tifoz me SERBINË në Botëror/ Këtë herë Kosta Grillo e terpon me “festën” KUNDRA SHQIPËRISË

Isa.Autor

Kërkesa e Dembele, shokohen te Barcelona

Sadik.Autor

PANDEMIA JASHTË KONTROLLIT/ Kompeticioni i njohur rrezikon përsëri ndryshim të vendit organizator 9 ditë nga fillimi

Delo.autor

Leave a Comment