Futboll

Sulmuesi i momentit në Superiore, rrëfehet Soue: Qëndroj për Europën…

Fitorja ndaj Lushnjës ishte më shumë se një detyrim për Skënderbeun që mban të pandryshuar renditjen në pjesën e kreut. 14 pikë shkëputje nga kundërshtari më i afërt, që është Kukësi, janë shumë, për më tepër kur mbeten edhe 12 javë për t’u luajtur. Një gjë të tillë e vlerëson edhe sulmuesi dhe lojtari i momentit në Korçë. Ali Soue shënoi golin e radhës në ndeshjen ndaj Lushnjës dhe tani është gati për të synuar gjithçka në këtë sezon.

Soue, një tjetër gol për ty, jeni lojtari i momentit në Korçë?

Jam i lumtur që arrita të shënoj sërish dhe më vjen mirë që po shënoj rregullisht në këto takimet e fundit. E rëndësishme është mbi të gjitha që ekipi po fiton dhe loja po bëhet mjaft e mirë. Kjo është kryesorja për momentin.

Lushnja kaloi me sukses, vijon diferenca +14 pikë me ndjekësit. Gjithçka bëhet më e lehtë?

Natyrisht që po, besoj se gjithçka është më e lehtë tani pasi sa më shumë kalojnë javët, aq më pak ndjehet presioni i kundërshtarëve. Diferenca të jep qetësi dhe siguri për të vijuar i qetë përpara. Normalisht që e vlerësojmë dhe mundohemi të jemi të përqendruar deri në fund për të vijuar me këtë ecuri.

Veç kryesimit në kampionat, jeni në garë edhe për “Këpucën e Artë”. Si e shihni këtë kompeticion individual?

Nuk është se më intereson shumë fakti që jam apo jo në krye të klasifikimit për golashënues, pasi nuk jam në garë me askënd. E përsëris nuk garoj me asnjë, vetëm me veten time dhe përpiqem të jap maksimumin.

Mbështetja e ekipit ka qenë e madhe për ju këto javë?

Sigurisht, dhe duhet t’i falënderoj shokët për gjithçka çfarë kanë bërë për mua. Më mbështesin gjithmonë edhe jashtë fushe, por mbi të gjitha brenda fushës.

Skënderbeu në luftë për dy kompeticione. Kupa, objektiv tjetër veç kampionatit?

Besoj se është mirë që të tentojmë të fitojmë të dy kompeticionet. Fakti që jemi në krye dhe kaq të shkëputur në renditje na jep sigurinë për të tentuar, që të luajmë më të përqendruar edhe në kupë pasi nuk rrezikojmë asgjë. Duhet vetëm të jemi të përqendruar në çdo ndeshje. Nuk besoj se do të ishte diçka e paprecedentë që Skënderbeu të fitonte të dy trofetë. Kjo, për vetë faktin se jemi ne ekipi më i mirë absolut i Shqipërisë.

Keni filluar ta mendoni të ardhmen tuaj?

Unë jam mirë te Skënderbeu dhe nuk kam menduar asgjë. Të dy klubet e dinë se çfarë duhet të bëjnë me të ardhmen time dhe kam besimin se do të bëjnë zgjedhjen më të mirë. Unë jam mirë këtu ku jam dhe po shijoj momentin. Të them të drejtën dua dhe një tjetër aventurë në Europë dhe për këtë jam gati që të qëndroj sërish këtu. Por i takon menaxheres sime dhe klubeve që të vendosin.

 

 

Related posts

KA FESTË NË TORINO/ Pogba-Juventus: Vjen përgjigja përfundimtare e Mourinhos

Isa.Autor

MERKATO E BUJSHME/ “Veterani” Buffon nis negociatat me gjigantët e Europës…

Delo.autor

E BUJSHME/ As POGBA dhe as MARCELO: JUVENTUSI bën gati planin 160 milionë euro

Isa.Autor

Leave a Comment