Futboll Sport

Partizani ironizon keq FSHF-në: Shënon ‘gola’ spektakolarë në çdo ndeshje…

Drejtuesit e Partizanit pas barazimit me Lushnjen duke e konsideruar si kamikaz gjyqtarin kryesor Ziri, njoftuan nëpërmjet faqes zyrtare se do ta ndjekin në të gjitha rrugët ligjore për të denoncuar të gjithë gjyqtarët që kanë dëmtuar “Demat e Kuq”. Një ditë më vonë reagoi edhe Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet zyrës për shtyp duke u shprehur se Partizani kërkon ta gjejë dështimin tek Partizanit. Megjithatë pa kaluar shumë orë, drejutesit e klubit të kuq reagojnë sërish duke e cilësuar si të pavend deklaratën e FSHF.

“Pasi jemi njohur me reagimin e fundit të Federatës Shqiptare të Futbollit i kujtojmë këtij Institucioni, se në bazë të ligjit të Sportit të Republikës së Shqipërisë është i ngarkuar të organizojë aktivitetet kombëtare sportive për futbollin. Klubi Partizani ka mbetur i habitur që ky Institucion, duke dalë jashtë kompetencave të veta i kushton vëmendje të detajuar dhe bën një analizë të thellë të lojës së ekipit të Partizanit në ndeshjen në Lushnjë.

Persiatjet pse bëri apo nuk bëri gola Partizani e pastaj mos të merrej me gjykimin skandaloz, lënë kohën të gjejnë dhe janë biseda që mund të konsumohen në bare e pika bastesh dhe nuk i takojnë aspak deklaratave zyrtare të një Institucioni si Federata e Futbollit. I rikujtojme kësaj Federate që klubi në deklaraten e tij e pranoi paraqitjen e dobët të skuadrës, por Federata në asnjë moment nuk e mori një hap të tillë për atë, që është etiketuar si skuadra më e dobët e kampionatit, skuadrën e arbitrave. Është pikërisht kjo skuadër çdo javë dhe në çdo ndeshje shënon “gola” spektakolarë, e që kënaqin çdo pritshmëri të planifikuar nga eprorët e tyre. Për këtë e mirëkuptojmë FSHF, që rend me vrap e me dëshirë për t’u angazhuar me deklarata në mbrojtje të “yjeve” të saj ndaj reagimeve “bezdisese” dhe të përjavshme të klubeve të dëmtuara.

Duke qenë se FSHF është organizatore e kësaj gare dhe ligjërisht arbitrat janë Shoqatë e pavarur, jemi dakord që të përdoret një garë dhe një fjalor “Fair”, por kur shkelet e drejta për barazi, kur telekomandohet gara nga gjykime tendencioze dhe të programuara të arbitrave, klubi i Partizanit kërkon të dijë se si e kupton FSHF-ja fjalën “Fair”?!

I bëjmë me dije se kushdo që dëmton fanellën, investimin dhe kontributin e lojtarëve të Partizanit, do përgjigjet ligjërisht, siç i takon çdo individi apo subjekti të kërkojë të drejtën e tij. I kujtojmë FSHF-së, se fjala “Fair” nuk nënkupton që drejtuesit e saj, të përcaktojnë poshtë apo sipër tavolinave, se kush duhet të fitojë apo të dëmtohet. Fjalori i përdorur vjen si rrjedhojë e bastardimit të barazisë sportive, të realizuar vetëm e vetëm nga individë dashakeqës dhe pa pikë karakteri. Nëse FSHF është mësuar dhe dëshiron që edhe këtë sezon të vendosë se kush shkon në Europë, apo kush bie nga Kategoria, Klubi i Partizanit do luftojë deri në fund, për gjënë me elementare në futboll: për DREJTËSI”, mbyllet deklarata e Partizanit.

Related posts

“ARMIQTË” PO LARGOHEN BASHKË/ Mourinho iku edhe Pogba “NË FIJE TË PERIT”

Isa.Autor

NDESHJA NDAJ KAMPIONËVE TË BOTËS/ Reja bën 5 ndryshime në skemë, ja si priten të rreshtohen

Delo.autor

COPPA ITALIA/ Pas asisti perfekt nga Kuluseveski, talenti Chiesa ndëshkon Atalantën (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment