Futboll Sport

Plaku udhëheq Kamzën, por sa vuajtje ndaj Lushnjes

Shumë vuajtje, por në fund buzëqesh Kamza pas dy golave të Sebino Plakut, i cili i dha tri pikët ekipit të tij kundër Lushnjes. Ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, ku Lushnja edhe pse e dorëzuar në kampionat, bëri ndeshje të fortë dhe rezistencë deri në fund. Megjithatë, në pjesën e dytë erdhën tre gola, ku Plakut fillimisht iu përgjigj Sefa, megjithatë shtatshkurtri i Kamzës realizoi në minutën e 86 duke i dhënë tri pikët e para trajnerit Julian Ahmataj, me shpresën për të qëndruar në Superiore.

Pjesa e parë – Temperatura optimale në Kamzë për një ndeshje futbolli, por në fushë lojtarët vendës nuk po përgjigjen në mënyrën që pritej. Lushnja ka bërë rezistencë në 45 minutat e para, duke mbajtur larg sulmin vendës.

Raste sporadike nga skuadra e Julian Ahmatajt, por që ekipi i drejtuar nga Ilirjan Gjyla është më i vendosur në fushë dhe sapo gjen rastin krijojnë kundërsulme në portën e mbrojtur nga Avdyli. Sefa dhe Canka kombinohen mirë me njëri-tjetrin, megjithatë, mbrojtja e Kamzës është në ditë të mirë.

Saktësisht, Kamza u zgjua vetëm në dhjetë minutat e fundit të takimit, aty ku kërkoi me ngulm kalimin në avantazh. Por, mbrojtja verdhejeshile ishte e vendosur mirë, apozicionale dhe nuk lejoi që kuadrati të goditej në ndonjë rast të veçantë. Mbetet të presim se çfarë zhvillimesh do të na sjellë pjesa e dytë e ndeshjes.

Pjesa e dytë – Nis menjëherë me gol fraksioni i dytë i ndeshjes. Sebino Plaku lëviz mirë dhe hyn brenda zonës së rreptësisë së Lushnjës, gjuan me të djathtën dhe topi përfundon në rrjetë, 1-0. Kaq mjafton dhe te blutë shpërthen festa. Megjithatë, Lushnja nuk dorëzohet. Rastet janë të njëpasnjëshëm drejt portës së Avdylit, megjithatë, gardiani kosovar mbron mirë.

Në minutën e 50 sërish Kamza ka kërkuar golin, ku Plaku ka kombinuar me Fukuin, por krosimi i këtij të fundit në zonë nuk ka qenë ai që pritej. Madje, brenda këtij momenti është goditur dhe porta e Bejtes, megjithatë, portieri është përgjigjur më së miri duke larguar topin.

Rezistenca e verdhejeshilëve vijon, madje kërkojnë të shkojnë në sulm për të gjetur golin e barazimit, por mbrojtja kamzalie është në ditë të mirë dhe e mbajnë topin në gjysmëfushën e tyre. Por, në minutën e 72 është Mehmeti që bën kalim spektakolar brenda zonës së Lushnjes, jep një asist për Rezin dhe ky i fundit është i pafat duke gjuajtur jashtë.

Megjithatë, Lushnja nuk dorëzohet. Mbrohet mirë, por edhe hidhet në kërkim të golit. Në minutën e 76 një krosim në zonën e Kamzës shfrytëzohet mirë nga Sefa, i cili gjuan me kokë dhe sfera kalon mes këmbëve të portierit duke përfunduar në rrjetë, 1-1. Barazohen shifrat në Kamzë.

Shtohet presioni te kamzalijtë në fundin e ndeshjes. Nerva dhe aksione të njëpasnjëshme, por ai që mendon për të zgjidhur situatën është kapiteni Sebino Plaku. Shtatshkurtëri shfrytëzon hapësirën e pambuluar në mbrojtjen e Lushnjes, futet atje ku nuk mendohej dhe e dërgon topin në rrjetë me kokë, 2-1 kur duheshin dhe 4 minuta që të mbyllej ndeshja. Deri në përfundim nuk ka ndryshim, që do të thotë se Kamza rikthehet te fitorja dhe lë pas rivalët për mbijetesën.

Kamza – Lushnja 2-1
Shënues: 
Plaku 47’, 86 / Sefa 76’

Kamza: Avdyli, Idrizaj (Rezi 58’), Çukoviç, Kuqi, Zguro, Fukui, Arrabal, Malaj (Zefi 71’), Mehmeti, Plaku, Fili. Trajner: Julian Ahmataj

Lushnja: Bejte, Meto, Premçi, M.Korreshi, Magani, Branica, Taullau (Haxhiu 74’), Gava, Papa, Pepa (Ademi 58’), Sefa (M.Çela 82’). Trajner: Ilir Gjyla

Gjyqtarë: Olsid Ferataj, Enea Pashaj, Nuri Rrapaj, Emirion Sino
Kartonë të verdhë: Branica 58’, Meto 78’
Delegat: Lysien Nurishmi
Vëzhgues: Mikel Shestani

Related posts

Djali i Tottit çmend spanjollët: Futbolli rrjedh në venat e tij

Q.Autor

ZYRTARE/ E kërkoi Tirana e Partizani, Armando Sadiku befason me ekipin e ri

F.autor

E BUJSHME NGA ARGJENTINA/ Maradona ka përjashtuar Claudia-n dhe vajzat nga testamenti

Delo.autor

Leave a Comment