Futboll Sport

Botërori rus, Kremlini kërkon ndihmën e kozakëve për sigurinë

Luftëtarët “Cossack” me qëndrime pro Kremlinit, pikërisht ata që përdorën shkopa gome ndaj protestuesve në mitingun opozitar në Moskë gjatë fundjavës, pritet të patrullojnë rrugët në kryeqytetin rus gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.

Kozakët, që zakonisht mbajnë kapela leshi, bashkuan forcat me policinë dhe forcat e sigurisë të Gardës Kombëtare për të shtypur protestën e së shtunës që u mbajt përpara betimit të Vladimir Putinit, këtë të hënë, për mandatin e katërt presidencial.

Më shumë se 700 persona, përfshi edhe udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny, u prangosën. Navalny u lirua mëngjesin e së dielës, por përballet me rrezikun e 30 ditëve burgim me akuzën e organizimit të një mitingu të paligjshëm. Ai është urdhëruar të dalë para gjyqit më 11 maj.

Por, protestues të shumtë u mblodhën edhe në dhjetëra qytete të tjera anembanë Rusisë, në ato që konsiderohen si demonstratat më të mëdha anti Putin prej mbi një viti.

“Do të merremi me këdo që kërkon të shqetësojë Putinin”, është cituar të ketë thënë një kozak i paidentifikuar me emër, nga faqja e internetit “Meduza”. Kozakët përdorën edhe shkopinjtë e gomës ndaj protestuesve, që ishin mbledhur në sheshin “Pushkin” të Moskës.

Disa prej tyre u identifikuan si pjesëtarë të “Central Cossack Troops” (CCT), një organizatë që ka lidhje të ngushta me forcat e sigurisë së Rusisë. Administrata e Kremlinit ka paguar rreth 190 mijë paund ndaj kësaj organizate për të trajnuar kozakët për garantimin e sigurisë publike në çfarëdolloj shfaqjeje që mund të mbahet në qytet, sipas dokumenteve të publikuara nga zyra e kryebashkiakut.

Pjesëtarët e organizatës kozake janë takuar së fundi me zyrtarë të Gardës Kombëtare për të diskutuar mbi operacionet e sigurisë gjatë Kupës së Botës, që do të fillojë më 14 qershor. Media ruse e identifikon “atamanin” (udhëheqësin) e CCT-së si Ivan Mironov, një ish-oficer i shërbimit të sigurisë së FSB-së.

Related posts

CHELSEA-LEEDS/ Pas një krosimi nga James, sulmuesi Giroud rihap sfidën për “Blutë e Londrës” (VIDEO)

Delo.autor

DERBI I KRYEQYTETIT/ Trajneri Shehi: Fitorja është armë e fortë për vazhdimësinë dhe prandaj duhet të…

Delo.autor

LIVE/ Kukësi-Teuta: Pranë golit të dytë verilindorët, e pabesueshme çfarë humbet Rexhinaldo (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment