Futboll Premier League Sport

PREMIER LEAGUE/ 100 pikë, sfida e fundit e Guardiolës…

Me titullin e fituar dhe festuar, Manchester City i Guardiolës do të përballet me javën e fundit të Premier League me një objektiv fiks. Një fitore e arritur të dielën do t’i lejojë “qytetarët” të arrijnë në kuotën e 100 pikëve në kampionat, diçka që nuk e ka ka bërë askush më parë në historinë e kësaj konkurrence në Angli.

Manchester City konkuron në këtë kuadër kundër vetes. Të mërkurën e kaluar, lojtarët e Pep Guardiolës mundën tri rekorde historike të Premier League, duke përfshirë numrin më të lartë të pikëve të grumbulluara në një edicion. Me fitoren ndaj Brighton, “qytetarët” u ngjitën në kuotën e 97 pikëve, duke lënë pas rekordin e mëparshëm prej 95 pikësh, të vendosur nga Chelsea i Mourinhos.

Me 3 golat e shënuar në ndeshjen e fundit, ata, gjithashtu, u bënë skuadra golashënuese më e mirë në Premier League, deri më tani, me 105 “rrjeta”. Po ashtu, Manchester City është skuadra me më shumë fitore në një sezon të Premier League, deri më tani, me 31 të tilla. Këto arritje janë shtuar në një listë të gjatë të “markave” të mposhtura nga skuadra e Guardiolës në këtë sezon rekordesh.

Skuadra e Pep Guardiolës është aktualisht me raportin më të lartë të golave ​​për ndeshje në Premier League, deri më tani (2.84 gola për ndeshje), duke tejkaluar Chelsea e sezonit 2009-2010. Ata kanë diferencën e golave (golaverazhin) më të madhe në histori, me +78 gola, dhe vetëm një katastrofë do ta largonte nga ky rekord.

“Qytetarët” kanë numrin më të madh të fitoreve të njëpasnjëshme (18) në Angli. Po ashtu, Pep është bërë trajneri, i cili fiton çmimin e “trajnerit të muajit” në Premier League më shumë dhe kaq shpejt (4). Kundërshtari i javës së fundit të Manchester City në Premier League, këtë sezon, do të jetë Southamptoni, që ende rrezikohet për mbijetesë.

Megjithatë, duket e pamundur që Guardiola, i ushqyer nga etja për të shënuar dhe shtuar pikët, të “bëjë pushim”. Përtej shifrës prej 100 pikëve, “qielli i kaltër” mund ta fitojë titullin me avantazhin më të madh të pikëve në histori, nga ndjekësi më i afërt. Rekordi aktual është diferenca prej 18 pikësh, me atë që Manchester Unitedi fitoi titullin në sezonin 1999-2000.

“Qytetarët”, gjithashtu, kanë në dispozicion të tyre mundësinë e të qenurit vizitori më i mirë ndonjëherë. Asnjë skuadër nuk ka fituar më shumë se 15 ndeshje në transfertë, në një sezon. Të dielën, kjo shifër mund të arrijë në 16. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për t’i dhënë fund një sezoni historik për “blues”. Pep i dha dy ditë pushim skuadrës së tij dhe do të bëjë vetëm një seancë trajnimi këtë javë, para duelit.

Related posts

Shqipëria në KRYE të Europës për bastet në Azi, ndërsa Korça shpallet “kryeqyteti”

Q.Autor

SERIE A/ Inter “injektohet” me 40 mln euro nga Kina

Sadik.Autor

FOTO/ Drejtori i Interit reagon pas postimit të Icardit në Instagram për largimin

Q.Autor

Leave a Comment