Ka lojtarë të rëndë sishëm, por edhe lojtarë thelbësorë. Luçiano Spaleti nuk do ta pranojë kurrë këtë gjë, por Ivan Perisiç është nga ata lojtarë që futen në kategorinë e dytë. “Gazzeta Dello Sport” nënvizon edhe një herë rolin vendimtar që ka kroati në skuadrën e Interit, i cili është kandidat për një fanellë titullari kundër Torinos. Edhe pse jo në formën më të mirë fizike, skuadra ka nevojë për të në fushën e lojës. Lodhja e Botërorit dhe rikthimi në skuadër në 10 gusht bënë që Luçiano Spaleti të mos e zbriste si titullar në ndeshjen debutuese të sezonit ndaj Sasuolos.
Pritet titullar- Por pas asaj humbjeje në start, tani është e paimagjinueshme që Interi të luajë pa numrin 44 në ndeshjen e dytë kundër Torinos. Sepse janë pikërisht numrat për ta shpjeguar impaktin që ka kroati në lojën e zikaltërve. Me të në fushë si titullar, Interi ka fituar 48 ndeshje nga 94 të luajtura në kampionat, 51% të tyre. Që nga koha kur ai ka veshur fanellën e 18 herë kampionëve të Italisë është lojtari që ka dhënë më shumë asiste, 23 të tillë në Serinë A.
Të paktën 5 më shumë sesa çdo lojtar tjetër në Serinë A në këtë periudhë. Por ai është gjithashtu është futbollisti më i aktivizuar në skuadër, 108 herë. Nuk mjaftojnë? Atëherë do të kalojmë te golat e shënuar, edhe pse ky aspekt nuk është pika më e fortë e kroatit. Ai kontestohet shpesh që humbet shumë raste përballë portës kundërshtare, por që nga momenti kur është pjesë e Interit vetëm Mauro Ikardi ka shënuar më shumë. Kapiteni ka 69 gola, ndërsa “Ivani i Tmerrshëm” ka arritur të shënojë 29 të tillë.
Luçiano Spaleti tha në fillimin e sezonit se Ivan Perisiç është lojtari i vetëm në Serinë A që mund të krahasohet me Ronaldon në aspektin fizik. Tani është radha e kroatit që ta vërtetojë këtë gjë. Interi ka nevojë më shumë se kurrë për të marrë fitoren.
Tifozët- Nuk do të jetë vetëm ai “arma” e Spaletit kundër Torinos. Sepse në “San Siro” do të jenë mbi 60 mijë zemra zikaltër që do të mbështesin skuadrën në ndeshjen e parë në shtëpi. Humbja ndaj Sasuolos nuk e zbeh pasionin. Në Milano janë të sigurt se ky është viti i tyre, pavarësisht problemeve në fillim. Janë të bindur te forca e skuadrës dhe të vetëdijshëm që ekipi është më i kompletuar sesa një vit më parë.