Futboll Sport

FIDANISHTE TALENTESH/ Ajaksi po sfidon milionerët me djemtë e rritur në “shtëpi”

Nëse pyet çdo tifoz që ka ndjekur prej disa dekadash futbollin botëror se cili klub mund të konsiderohet më i zoti për punën me të rinjtë dhe zbulimin e talenteve, thuajse të gjithë do bien dakord në një emër: Ajax. Klubi i themeluar në vitin 1900 në Amsterdam, me logo ku është stampuar emri i Ajaksit të famshëm të mitologjisë greke, e ka ndërtuar legjendën e vet në fushë, por sidomos në atë të stërvitjes, ku ka evidentuar me mijëra talente, aq sa njihet si klubi që furnizon Europën.

Muajin e shkuar një gazetar i vendosi mikrofonin përpara mbrojtësit të Ajax-it Matthijs de Ligt dhe e pyeti kë preferonte, Barcelona apo Manchester City. 19-vjeçari e kuptoi kurthin e ngritur dhe u shmang mjaft bukur, duke u përgjigjur me buzëqeshje: “Ajax”.

Megjithatë, Ajax-i e di mirë që një fjalë plot dashuri nuk do të mjaftojë të mbytë zhurmën e tringëllimës së parave, që në fakt flasin më shumë se çdo ndjenjë e besnikëri në futbollin modern. Për herë të parë prej vitit 2006 klubi i “Bijve të Zotit” është pranë kalimit të fazës së grupeve në Champions League, por është një bekim dhe një mallkim, sepse çdo paraqitje e mirë dhe çdo fitore në arenën ndërkombëtare afron gjithnjë e më shumë largimin e pasardhësve të të madhit Johan Cruyff.

Shkarkoni aplikacionin më të mirë sportiv të momentit! Telesport është pjesë e tij. Kliko këtu > bit.ly/krowd9 për të marrë njoftimet në kohë reale për gjithçka ndodh!

Ajax-i ka fituar 4 herë Kupën e Kampioneve, por historia nuk mjafton për të qëndruar në elitë dhe jo rastësisht triumfi i fundit ndërkombëtar për Ajax-in ka ardhur në vitin 1995, 23 vite më parë. Në dy dekadat pasuese Ajax-i nuk ka mundur kurrë të ndërtojë ekip ambicioz e afatgjatë, sepse duke nisur nga heroi Patrick Kluivert e deri më sot, lojtarët më të mirë largohen pa mbushur 23 vjeç.

Nëse deri në vitet ’90 klubet konkurronin me para, por mbi të gjitha me fanellë dhe kjo e fundit peshonte shumë, tashmë peshon shumë vetëm llogaria bankare dhe Ajax-i nuk është një ga ato klube që shet shpirtin, duke ndërruar pronar e duke sfiduar botën me milionat e sheikëve apo rusëve.

Pagat kanë tavan dhe nuk kalojnë më lart, lojtarët e rinj shiten për të mbushur arkën e klubit, në momentin kur konsiderohen të pjekur dhe kur vlera në treg ka arritur nivele të kënaqshme.

Megjithatë, drejtori i futbollit tek Ajax, Marc Overmars, këmbëngul se De Ligt nuk do të shitet te Barcelona në janar. Diskutim i njëjtë edhe për Frenkie de Jong, mesfushor 21-vjeçar i kërkuar nga gjysma e Anglisë. Gjithsesi, Overmars e di mirë si do shkojë kjo histori, sepse edhe vetë iku nga Ajax-i në 1997, duke firmosur për Arsenalin.

Muzika është e njëjta: prej vitesh largohen më të mirët, skuadra bëhet e zhbëhet dhe vitet e fundit janë larguar emra si Davy Klaassen, Davinson Sánchez e Justin Kluivert. Në vitin 2017 një brez shumë i talentuar mbërriti në finalen e parë europiane pas shumë vitesh, ndërsa humbja ndaj Manchester United ishte e pritshme, ashtu si largimi i trajnerit Peter Bosz, i cili shkoi te Dortmundi.

Dukej si fundi i një ëndrre, ashtu si goditja e marrë në play-off në Champions League sezonin e shkuar, kundër Rosenborg-ut, ndërsa Marcel Keizer nuk zgjati shumë si pasues i Bosz.

Megjithatë, optimizmi është kthyer me Erik ten Hag në stol dhe një skuadër të re e shumë guximtare në fushë, që ka marrë kreun e grupit A me 7 pikë në 3 ndeshje, ku spikat barazimi në Mynih, përvec fitoreve shtëpiake kundër AEK-ut dhe Benfica-s.

Shefi ekzekutiv i klubit është legjendari Edëin van der Sar, i cili me hidhërim e quan Champions League një kompeticion “shesh lojërash për të pasurit dhe të famshmit”. Gjithnjë milionerët janë favoritë, por Ajax nuk tregoi asnjë shenjë inferioriteti ndaj Bayern-it, edhe pse pësoi goli që në fillim, ndërsa 20-vjeçari maroken Mazraoui barazoi dhe holandezët ishin pranë fitores së bujshme.

Ajax po bëhet gjithnjë e më shumë i varur nga talentet e vet: De Ligt tregon klas në qendër të mbrojtjes, De Jong po ecën me ritëm fantastik dhe Hakim Ziyech në krahët e sulmit është impresionues. Kasper Dolberg është një “veteran” në sulm, edhe pse vetëm 21 vjeç, ndërsa po spikat gjithnjë e më shumë Donny van der Beek në mesfushë. Po ashtu, Mazraoui po konfirmon se goli në Mynih nuk ishte një rastësi dhe po luan mjaft mirë.

Në Amsterdam nuk bëjnë kompromise dhe nuk dalin nga rruga e vet. Detyra e klubit është të gjejë gjithnjë rrugë të reja inovacioni, të besojë gjithnjë tek akademia e vet dhe të mendojë një vit përpara për të zëvendësuar çdo lojtar, duke e ditur se të gjithë janë në treg.

“Ne duam t’i rritim vetë lojtarët tanë, kjo është ajo që pëlqejnë njerëzit tek Ajax. Kështu ishte në vitet ’70, kështu ishte në vitet ’90, kur njerëzit adhuronin futbollin e luajtur nga Johan Cruyff. Mëpas erdhën Louis van Gaal dhe Edgar Davids, Clarence Seedorf, Patrick Kluivert, Marc Overmars dhe vëllezërit De Boer. Ne shpresojmë të përsëritim atë cikël, këtë duan njerëzit. Nga trajneri i 11-vjeçarëve deri tek trajneri i parë e dinë çfarë klubi jemi dhe shpresojmë që kjo të mjaftojë që të rikthehemi në vendin që na takon, pranë elitës”, shprehej para një viti Van der Sar për The Guardian.

Ndjenja fisnike, por që nuk mjaftojnë për t’u kthyer tek ditët e lavdishme. Edhe në Holandë Ajax-i ka pasur probleme, PSV është kampioni në fuqi dhe Feyenoord triumfoi vjet, ndërsa Ajax nuk fiton trofe prej vitit 2014, ndaj presioni është i madh. Megjithatë, Ajax-i mbetet Ajax, klubi i “fëmijëve” të tmerrshëm, i adhuruar nga gjithë tifozët që duan ende futbollin “bio”, ku çdo klub punon dhe mbahet me “miellin” e vet, jo duke grabitur gjithçka që shkëlqen.

Related posts

ME MASKË DHE DOREZA/ Ibrahimovic zbarkon në Itali, 14 ditë karantinë në Milanelo (VIDEO)

Delo.autor

“UNË NUK JAM QEN ROJE, POR TRAJNER”/ Allegri prish vendimin e klubit me Juventusin

Delo.autor

SKANDALI ME BILANCET FALSE/ Gjykata e Apelit merr vendimin për “Triadën” e JUVES

Isa.Autor

Leave a Comment