Basketball Të tjera

SUPERSTAR NË PARKET/ JA pse LeBron James vlen 450 milionë dollarë

LeBron James ishte një 18-vjeçar në vitin e fundit të shkollës së mesme, kur u përzgjodh nga Cleveland Cavaliers në vitin 2003, nga lista e lojtarëve debutues në NBA. Pritshmëritë u bënë menjëherë tepër të mëdha në pamje të parë, sepse ESPN transmetoi ndeshjet e shkollës së tij dhe Sports Illustrated e kishte vendosur në kopertinë në vitin 2002, duke titulluar “I përzgjedhuri”. Megjithatë, James në mënyrë befasuese i ka kaluar gjithë parashikimet si lojtar, biznesmen dhe bamirës.

 

Suksesi brenda e jashtë parketi ka bërë që James të krijojë një pasuri për familjen e vet dhe brezat pasardhës, me një vlerë neto sipas Forbes që shkon në 450 milionë dollarë, ndërtuar në 16 vite në nivele të jashtëzakonshme, paga të frikshme, kontrata sponsorizimi mahnitëse dhe lëvizje shumë të zgjuara në biznes.

James ka qenë basketbollisti më i paguar në NBA vetëm një herë në 16 vite karrierë, në sezonin 2016/17, edhe pse ka qenë lojtari më i mirë në Amerikë thuajse çdo vit prej 15 vitesh. Gjithsesi, nuk është për t’u trishtuar, sepse LeBron ka arkëtuar 270 milionë dollarë në paga deri më sot, duke qenë ndër lojtarët më të paguar në histori, i katërti në listë, pas Kevin Garnett, Kobe Bryant e Shaquille O’Neal.

Fitimet më të mëdha për James kanë qenë gjithnjë jashtë parketit, sepse të ardhurat nga reklamat dhe sponsorët janë 2-3 herë më të mëdha se paga e tij vjetore. Nike është miniera e arit për James që kur ky është bërë pjesë e NBA-së, sepse kontrata e parë me kompaninë e njohur të veshjeve sportive vlente 100 milionë dollarë për 7 vite, ndërsa kontrata e parë me Cleveland Cavaliers vlente 18.8 milionë dollarë për 4 vite.

Këpucët Nike firmosur nga LeBron James kanë qenë më të shiturat në dekadën e fundit nga lojtarët aktivë në NBA, ndërsa rekordin e mban ende Michael Jordan.

James ka rinovuar dy herë me Nike që kur ka nisur karrierën, së fundi në vitin 2015, një kontratë e përjetshme që do të futë në llogarinë bankare të James të paktën 1 miliard dollarë, sipas menaxherit të biznesit të LeBronit, Maverick Carter.

James ka sigluar akorde me më shumë se 15 marka gjatë karrierës së tij profesioniste, duke kapur shifrën e 600 milionë dollarëve në kontrata sponsorizimi kur të përfundojë ky sezon. Megjithatë, vlera e tij neto rritet ndjeshëm nga një seri marrëveshjesh fitimprurëse që shkojnë matanë kontratave të thjeshta të sponsorizimit.

James kishte aksione te Beats Electronics dhe arkëtoi miliona dollarë, kur Apple pagoi 3 miliardë dollarë për kompaninë prodhuese të kufjeve, në vitin 2014. Po ashtu, James përfitoi financiarisht nga një partneritet i sigluar me Fenway Sports Group në vitin 2011. James mori një pakicë aksionesh te Liverpuli, si këmbim për disa të drejta marketingu. Vlera e Liverpulit është rritur nga 552 milionë dollarë në vitin 2011 në 1.9 miliardë dollarë sipas vlerësimit të kohëve të fundit.

McDonald’s i jepte 15 milionë dollarë LeBronit për të qenë imazh i fastfood-it të njohur, por LeBron zgjodhi të mos rinovonte marrëveshjen, duke blerë aksione te Blaze Pizza, zinxhir restorantesh që po rritet me ritëm të jashtëzakonshëm dhe vlera e investimit të James dhe partnerëve të tij është rritur nga 1 milion në 25 milionë dollarë, sipas ESPN. James ka rol të dyfishtë te kjo kompani, sepse paguhet si imazh, por edhe zotëron degë në Chicago dhe South Florida.

Transferimi i tij në Los Angeles këtë verë si agjent i lirë e vendos James në zemrën e kryeqytetit të “show biz”. Uebsiti i tij Uninterrupted ka marrë një investim prej 15.8 milionë dollarësh nga Time Warner në vitin 2015, ndërsa James ka edhe një kompani produksioni, SpringHill Entertainment, që krijon telefilma dhe spektakle televizive.

Në parket James është një yll, 4 herë MVP dhe 12 herë në formacionin më të mirë në NBA, me 9 finale në NBA, por trashëgimia kryesore e tij mund të jetë impakti i tij në Northern Ohio, ku ai ka përqendruar përpjekjet e tij në filantropi.

Fondacioni i tij “I Promise” ka nisur një program në vitin 2011, ku siguronte mbështetje të vazhdueshme për 1300 studentë në Akron, duke mbuluar shpenzimet për bursat e tyre. Jo vetëm kaq, sepse këtë vit në Akron është hapur edhe shkolla e parë “I Promise School”, që në inaugurimin e saj kishte 240 studentë.

Related posts

FORMULA 1/ Raikkonen vendos dy rekorde historike në garën e Barcelonës

Delo.autor

Goga Basket mposht Studentin dhe shkon në finale, duel me Tiranën për Kupën

Q.Autor

VIDEO/ Panik në Lojërat Olimpike, përplasje e tmerrshme e skiatorit rus

Q.Autor

Leave a Comment