Futboll La Liga Sport

BILANC LUFTE/ Për 50 vite kanë VDEKUR 328 TIFOZË, njihuni me botën e ERRËT të Barras Bravas

Si  veprojnë organizatat kriminale? Sigurisht, në fshehtësi. Bëjnë të duket e bardha e zezë dhe e anasjellta. Një vrasje e kryer me paramendim kthehet në rastësi, një sulm i pilotuar dhe programuar në një aksident e kështu me radhë. Një ligj i pashkruar që ka shoqëruar njerëzimin që në kohën e proibicionizmit. Praktikisht, ilegaliteti ka qenë dhe është pasuria e tyre.

Në ditët e sotme, futbolli është kthyer në biznes dhe xhiro e parave që qarkullojnë është aq komplekse saqë të vjen ndonjëherë neveri të shkosh në stadium. Fitojnë klubet, drejtuesit, aksionerët, firmat e mëdha që sponsorizojnë, por edhe ata, tifozët.

Kujdes, këtu nuk flitet për disa familjarë që shkojnë në stadium për të kaluar një ditë të dielë, apo ata adoleshentë e të rinj që bëjnë tifo për një skuadër të caktuar. Këtu është lufta e pushtetit për të komanduar në tribuna. Ata që hiqen si të dashuruarit pas skuadrës së zemrës, por që në hije mbushin xhepat. Aktorët perfektë në fasadën e tribunave.

Ajo që ndodhi në Argjentinë përpara disa ditësh nuk është veç se maja e ajsbergut. Nëse mendoni se sulmi ndaj autobuzit të Boca Juniors teksa i drejtohej stadiumit “El Monumental” për finalen e kthimit në Libertadores ishte akt i disa të dehurve dhe droguarve, atëherë nuk keni kuptuar asgjë nga bota latine.

Me kapele te zeze dhe muskuloz, Pato Calvici, lider i barras se Del Oeste, River Plate

Barras Bravas (Arkivolet e Bardha). i thërrasin kështu në Argjentinë. Prej thuajse 50 vjetësh mbajnë nën kontroll futbollin argjentinas dhe ku në vend të “tangos”, preferojnë që të “kërcejnë” nën ritmet e armëve, drogës, kërcënimeve, por edhe gjobvënieve, përveç se riciklim parash dhe shitje biletash në mënyrë klandestine dhe të pakontrolluara.

River Plate, il Boca Juniors, il Rosario Central ed il Newell’s Old Boys. Këto janë klubet më të rëndësishme dhe që komandojnë. Tifogrupet e organizuara të këtyre skuadrave, për të thënë një shifër: fitojnë diku te 13-15 mijë euro në muaj. Praktikisht, pa punuar asnjë ditë të jetës së tyre, më të fuqishmit, linja e parë, ose “Koop”, ndajnë këto para mes tyre. Ndonjë “copëz mish” i ngel dhe më të vegjëlve, por janë thjesht thërrime krahasuar me tortën.

Ekziston një fije e kuqe që prej dekadash përshkon futbollin argjentinas. Një fije e kuqe që nis nga vitet 50′ dhe që vjen deri te aktualiteti, te bombat me gaz të lëshuara drejt xhamave të autobuzit të Bocas e deri te shtyrja e ndeshjes, duke provokuar një dëm të parikuperueshëm imazhi në lëvizjen futbollistike në Argjentinë.

Një fije e kuqe që lidhet pikërisht me emrin e dyfishtë “Barras Bravas”. Këto janë grupe të vërteta mafioze, që kanë një peshë domethënse në ekonominë e Amerikës Latine. Grupe që kanë mundësi të menaxhojnë trafiqe të ndryshme dhe të kushtëzojnë zgjedhjet e klubeve.

Barras janë një realitet komplet ndryshe nga hooligans. Nuk kufizohen të organizojnë tifozeritë në tribuna, të përgatisin koreografi, të goditen mes tyre jashtë stadiumit. Janë krahu i djathtë i njerëzve me pushtet dhe të korruptuar, që përdorin ndikimin e këtyre grupeve për të shuar protestat e rrugëve, pretendimet e sindikatave, demonstratat popullore të partive. Por edhe mjete për disa presidentë që duan të ngrenë një konsensus, për të bindur një futbollist që të qëndrojë apo largohet. Por, me kalimin e kohës janë bërë sidomos makina të vërteta parash. “Një Mafie”, siç i ka quajtur kryebashkiaku i Buenos Aires.

Sulmi ndaj autobuzit të Bocas ka bërë xhiron e botës, një njollë për futbollin, Argjentinën dhe kapitalin e saj. Kryebashkiaku i Buenos Aires, Horacio Rodriguez Larreta, ka akuzuar barran e Riverit.

Fakti që ndoshta është mbajtur i fshehur është ky: 24 orë përpara finales që nuk u luajt, policia bën një operacion “blitz” në banesën e një prej liderave të grupit të Riverit. i konfiskon 10 milion pesos (225 mijë euro) dhe 300 bileta për Superclasicon e ditës vijuese.

Problemi janë këto Barras Bravas, një organizatë mafioze që ka në dorë futbollin. Përgjegjësit e vërtetë të asaj që ndodhi. 300 persona nuk mundën të futeshin në stadium dhe u hakmorrën në këtë mënyrë.

Po pse kryebashkiaku i Buenos Airesit arrin të thotë fjalën “mafie”? Barras, falë mbështetjes së politikanëve, menaxhojnë çdo gjë të jashtëligjshme. Nga trafiku i drogës, te abonetë e parkingut abuziv, shitja e ushqimeve dhe pijeve në stadium, deri te biletat e ndeshjeve. Praktikisht, një perandori. Por, nuk kufizohen vetëm te kjo.

Grupimet kanë fituar me kalimin e kohës një rol më vendimtar. Aftësia e tyre për të ndikuar te opinioni, madje dhe gazetarët e ndryshëm, që kanë frikë të flasin për ato që dinë dhe thonë. Kërcënime, telefonata dhe madje edhe prita të ndryshme. Me Barras Bravas nuk bëhet shaka. Burgun e kanë shtëpi të dytë dhe të vrasin e kanë “hobby”.

Të dielën i sheh në stadium me flamuj, të qeshur, poshtë koreografisë, ndërsa gjatë javës merren me punët e pista, lidhje politike dhe bëjnë truprojat e njerëzve të fuqishëm në Argjentinë. Ato figura pushtetarësh që duhet t’i ndalojnë, ato i favorizojnë.

Këto grupime lindin si banda tifozësh dhe të lidhura me klubet e tyre. Pikërisht me këto klube përkatësie lind edhe rrethi vicioz. Barras hyjnë në jetën e klubit, duke ndikuar në zgjedhjet presidenciale, lobuar dhe bërë fushatën e dikujt që do t’i sjellë më shumë përfitime. Ka raste kur fitojnë edhe 30% të vlerës së transferimit të një futbollisti diku tjetër.

Viktima e parë e dhunës është ajo e vitit 1924, kur Pedro Demby u vra gjatë përplasjeve mes tifozëve argjentinas dhe uruguajianë. Por, gjatë viteve ’50 shtypi nisi të fliste për Barras Bravas. Në veçanti, pas vrasjes së Albert Linker në incidentet post River-Velez. Barrio, që është edhe lagjia ku jetojnë dhe komandojnë, duhet mbrojtur edhe me gjak. Pas vdekjes së tifozit të Huracan, Hector Suoto, beteja mes grupimeve nisi të bëhej edhe më e përgjakshme.

Ishte periudha e grushtit të shtetit, mes vitit 1976 dhe 1987, që barras u bënë pjesë e shoqërisë. Në vitin 1978, në Argjentinë, luhej Botëror dhe pakti që presidenti Jorge Videla vendosi me grupimet e ndryshme ishte i thjeshtë: asnjë trazirë, asnjë problem në këmbim të lirisë për të shitur bileta të falura. Një mënyrë që u përsërit gjatë Botërorit 1982 dhe 1994. Nga ai moment, këto banda u legalizuan dhe nisën aktivitetin e tyre.

Historia, pra, është shumë e thjeshtë. Ata që duhet të përpiqeshin të luftonin këtë realitet, i kanë tuteluar, mbrojtur dhe kanë favorizuar rritjen dhe përhapjen.

Për këtë gjë u akuzua në veçanti Julio Gordona, nëntë herë president i federatës argjentinase të futbollit, që u nda nga jeta në vitin 2014. Gjatë nëntë mandateve vdiqën 183 persona për shkak të përplasjeve të gjeneruara nga barras bravas.

Dhe në vitin 2010, disa nga këto pjesëtarë grupesh, me mandat arresti që binte mbi kokat e tyre, udhëtuan në të njëjtin avion me kombëtaren argjentinase. Një fakt që Gordona e quajti “rastësi”.

Barras, në ditët e sotme, vazhdojnë që të shkaktojnë viktima. E fundit, në rang kohor, ajo e 4 nëntorit të shkuar. Martin Gonzalez, 20  vjeç, vdiq në spital pasi u godit në kokë gjatë përplasjeve të tifozëve të Gimnasia y Esgrima dhe Atletico Moron. Viktima numër 328 i incidenteve të barras bravas.

Sistemi Barras vijon edhe sot të jetë i fortë. U bënë tentativa për të prerë ato fije të kuqe, të njollosura me para të pista, drogë, pushtet, kërcënime, por edhe shumë shantazhe. Askush nuk ka mundur t’ia dalë. Sepse, barras bravas janë… Qeveria e Argjentinës.

Një gangrenë që po i merr jetën vendit, dita ditës. Disa prej tyre sot nuk mund të futen në stadium. Emra dhe mbiemra të skeduar, edhe pse në rrugët e Buenos Airesit janë ende padronë. Kanë ushtritë e tyre, që shkojnë nga 1000 deri në 1500 persona të organizuar. Banda që nëse të shohin në rrugë me fanellën e ekipit të urryer kundërshtar (River dhe Boca), të dhunojnë dhe policia bën sehir. Disa prej tyre janë futur në mënyrë klandestine në tribuna, shpesh të mbrojtur mirë nga “muri” i tifozerisë së organizuar, por në 1500-2000 fotografi i dallon se ishin aty.

Në Rusi, gjatë Botërorit, në mbështetje të Argjentinës ishte edhe ai, i përjashtuari i madh në të gjitha stadiumet. Rafael de Zeo, një “Zot” në Buenos Aires. Bashkë me të vëllain Fernando kanë përfunduar në burg të paktën njëherë, por edhe i kanë shpëtuar jetën atij që sot gjithashtu nuk mund të hyjë në stadium, Mario Martin. Të dy bashkë në stadiumet ruse, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Histori tradhëtish, deri në prita me 40 persona të armatosur dhe që si snajpera marrin shënjestëër.

Rafael de Zeo ne rreth, perkrah tij, Mario Martin

Gjashtë vite më parë, ngjarja që i vuri vulën: grupimi i Martinit, që është edhe i lidhur ngushtë me policinë, nisej për transfertë, por nuk e dinin se grupimi i Di Zeos i priste në autostradën Rosario-Santa Fe, bashkë me 900 ushtarë.

Konflikt i hapur, artilieri e rëndë dhe rreth 20 të plagosur. Mario Martin merr një plumb në bark. Do të shpëtojë në spital. Atij të cilit 15 vite më parë vëllezërit De Zeo i shpëtuan jetën teksa do të vritej gjatë një ndeshje mes tifozësh, sot e kanë rival dhe sërish mik… Të gjithë në burg nga njëherë, të gjithë me ndonjë plumb. Hesapet lahen në familje. Jo më kot është një organizatë kriminale. Një nga tifozët, “uruguajiani” Richard Fernández, sot në karrocë pasi nuk ecën dot më pas plumbave të marrë kur kishte dalë nga burgu sepse donte të rimerrte pushtetin, vuan pasojat e tradhëtisë.

Richard Fernandez, ose ndryshe “uruguajiani”, sot në karrocë pas 4 plumbave të marrë vite më parë nga të ashtuquajturit miqtë e tij

E mbyllim këtë histori përgjakjesh dhe pushteti me një fotografi të fundit. Dy ditë nga finalja e madhe, përpara autobuzit të Boca Juniors, u shfaqën miqtë e urryer. Roberto de Zeo dhe Mario Martin. Krenarë, lider të heshtur dhe vrasës. Në Spanjë nuk do të mund të futen në “Bernabeu”, por kjo nuk u intereson. Të ardhurat janë rritur, ashtu si pushteti.

Related posts

DIKUR THIRREJ NË KOMBËTARE/ Futbollisti shkodran shpërblen skuadrën rumune me gol (VIDEO)

Delo.autor

“NE LUAJMË GJITHMONË PËR…”/ Veretout sfidon Juventus-in dhe zbulon si e ka ndryshuar Mourinho ekipin

Delo.autor

KAOS TEK ARSENALI/ Emery nën presion: XHAKA rrezikon vendin në formacion

Isa.Autor

Leave a Comment