Futboll Kategoria Superiore Sport

RRËFEN ARSYET E KTHIMIT/ Besnik Prenga: Kam trajnuar Brozoviç, por jam tifoz i…

Besnik Prenga debutoi me fitore në krye të stolit të Laçit në Superiore. Trajneri mirditor bëri historinë me kurbinasit në verë, pasi kaluan një tur në Ligën e Europës, ku eliminuan Anorthosis Famagustën.

Të shtunë në darkë, në rrëfimin e bërë në emisionin “Zona Gol” Prenga tregoi arsyet e rikthimit te Laçi, synimet që ka me këtë ekip, por edhe zbuloi edhe disa gjëra të tjera. Besnik Prenga pohoi se në Kroaci ka trajnuar te moshat lojtarin e Interit, Marselo Brozoviç, por tifo bën për Juventusin.

Kjo është eksperienca juaj e dytë me Laçin. Keni ardhur për të qëndruar gjatë tani?

Puna e trajnerit është e tillë dhe ne rrimë gjithmonë me valixhe në dorë. Herën e parë erdha për një bashkëpunim të shkurtër, ndërsa këtë herë kam ardhur për një bashkëpunim të gjatë, por nuk i dihet sa do zgjasë, ndaj edhe unë i mbaj rrobat në valixhe.

Keni një marrëdhënie shumë të mirë me Pashk Laskën dhe ai vështirë se do t’ju lërë të largoheni shpejt këtë herë…

Do Zoti të jetë kështu…

E ndoqët derbin e Torinos?

Patjetër, pasi unë jam edhe tifoz i Juventusit. Bardhezinjtë janë një skuadër mjaft e kompletuar dhe harmonizuar. Me Ronaldon kanë shtuar më shumë vlerat e tyre, por unë mendoj se është pikërisht mbrojtja ajo që i jep garanci dhe qetësi këtij ekipi.

Njihni mirë futbollin kroat. Çfarë mendimi keni për Mario Manxukiç?

Unë e ndjek prej kohësh Marion dhe mund të them se nuk është lojtar tipik i shkollës kroate, pasi ka një shpirt të jashtëzakonshëm kolektiviteti. Ai vihet në shërbim të skuadrës me shumë qetësi, cilësi që nuk e sheh shumë te kroatët dhe ballkanasit.

Ka disa kroatë edhe tek Interi, ndaj mund të ishit edhe tifoz i tyre…

Jam tifoz i Juventusit, por nuk jam kundër Interit. Jam, madje, i lidhur me atë skuadër, sepse Brozoviçin e kam pasur lojtar dhe e kam stërvitur 3 vite, ndaj e ndjek dhe më vjen mirë që zikaltrit të ecin dhe të jenë anti-Juventus.

 

Si e keni parë Laçin gjatë kësaj kohe?

Unë Laçin e kam ndjekur jo vetëm 10 vitet e fundit, por që kur kam qenë fëmijë. Është një qytet i vogël, por me traditë të madhe në futboll, por në 10 vitet e fundit më vjen mirë që është një faktor i rëndësishëm në futbollin shqiptar. Fillimisht ishim një ekip fushe, por tashmë është bërë një skuadër që di të luajë dhe të fitojë edhe në transfertë.

Mendoj se presidenti është shtylla kryesore e kësaj skuadre dhe ia vlen t’i rrish afër, për të kuptuar sesi ka arritur të mbajë klubin dhe ekipin. Laska jeton 24 orë me futbollin dhe kërkon të dijë çdo gjë në lidhje me skuadrën. Bashkëpunoj për herë të dytë me të dhe është një person që e di mjaft mirë pozicionin e vet. I jep mundësi trajnerit të punojë lirshëm dhe e mbështet shumë atë, por di të dalë i pari, aty ku duhet të jetë i pari .

Ndikoi miqësia që ju të riktheheshit te Laçi?

Patjetër që po, por mund t’ju siguroj se nuk do të jetë miqësia, por puna ajo që do të përcaktojë vijueshmërinë e eksperiencës sime te Laçi. Pikërisht për shkak të miqësisë, kam një motivim për të punuar shumë më tepër te skuadra kurbinase, pasi dua të shpërblej besimin e të gjithëve. Pashku respekton miqësitë, por nuk fal dhe vendos në bazë të rezultateve.

Prenga kampion

Sa peshë kishit ju në fitoren e fundit të Laçit, duke qenë se keni ardhur para pak ditësh?

Unë u mundova të motivoj sa duhet skuadrën, që të futet me frymën e duhur në fushë dhe të gjejë ata dy gola të shpejtë. Terreni i rënduar bëri që skuadra të mendonte më shumë për menaxhimin e lojës, ndonëse unë në pushim u kërkova lojtarëve të gjejnë edhe golin e tretë për të blinduar triumfin.

Duhet të theksoj se Tirana ka shumë cilësi dhe sot luajti një ndeshje mjaft të mirë, ndaj sot na rrezikoi shumë me topa të gjatë. Për ta thënë më qartë, sot nuk ishte Laçi më i dobët, por Tirana po vjen në rritje dhe shumë shpejt do të jetë duke luftuar për të tjera objektiva, pasi ka një skuadër cilësore, që nuk është kurrsesi për mbijetesë.

Do të përballeni me Teutën dhe Kukësin në ndeshjet e radhës. Cili ju duket kundërshtari më i vështirë nga të dy?

Më i vështirë është kundërshtari i radhës, pra, ndeshja e radhës është më e vështira dhe më e rëndësishmja për mua dhe skuadrën. Cili është objektivi juaj? Të marrim ndeshjet me radhë dhe të bëjmë të gjithë mirë punën tonë, për të parë më pas se deri ku mund të shkojmë.

prenga selmani

Do të ndërhyni në merkato?

Deri të shtunën kam këta lojtarë dhe për mua janë më të mirët. Për merkaton do të mendojmë më vonë, por natyrisht që kemi nevojë për përforcime. Përderisa ka nevojë për përforcime Partizani i vendit të parë, natyrisht që kemi edhe ne, por çdo gjë në kohën e duhur.

Related posts

E FUNDIT/ Para ndeshjes ndaj Katriotit: Skandal në Fushë-Krujë, dhunohen lojtarët e Skënderbeut (FOTO)

Delo.autor

“MOS TË BËJMË BUDALLALLËQE”/ Gatuzo i bën thirrje ekipit: Mjaft me Barçën dhe Champions-in

Delo.autor

SELFIE TË “NXEHTA” PARA PASQYRËS/ Erjona Sulejmani e nis vitin furishëm (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment