“Jam i uritur për të shënuar”, është një frazë e thënë shpesh nga lojtarët apo sidomos sulmuesit, mirëpo, jo të gjithë e përkthejnë këtë frazë dhe dëshirë realisht në gola.
Sokol Cikalleshi është një prej atyre lojtarëve, që më së pari ka një sfidë personale me veten dhe aftësitë e tij, gjë që e bën atë të jetë produktiv në fushën e lojës, duke përkthyer në gol mundësitë e pakta të aktivizimit.
“Nga e thëna në të bërë” dhe sulmuesi i Kombëtares, që në debutim tek Akhisarspor, gjeti “dy” herë rrugën e rrjetës. Një gol në pozicion jashtë loje për pak centimetra dhe një tjetër i rregullt, që shërbeu për të ngushtuar statistikat e ndeshjes, por dhe për t’i dhënë bomberit kuqezi motivimin e duhur që në start.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon nisjen, rikthimin te goli, arsyen e ndryshimit të ekipit, problematikën me të huajt në ekip si dhe përballjen me Kariusin, portierin e shumëkritikuar për gafat e tij.
Debutim me gol, e kishit menduar të tillë?
Në fakt, shënova dy gola, por një nuk ma quajti arbitri (qesh…). përtej shakave, pasi ishte gol në pozicion jashtë loje. Që kur vendosa të transferohem tek Akhisarpor, brenda vetes kisha besim dhe mbi të gjitha, isha i motivuar dhe shumë i uritur për të shfrytëzuar në maksimum çdo minutë në fushën e lojës dhe për të shënuar.
Isha i sigurt se kjo skuadër është e duhura për mua, pasi më bën të ndihem në shtëpi dhe më lejon të shpreh veten më së miri. Në mendjen time, sa herë që zbres në fushë, mendoj të bëj më të mirën për skuadrën dhe ndaj Beshiktashit tentova të shfrytëzoj çdo mundësi. Për fat, në aspektin personal ia dola, por fatkeqësisht ekipi u mund. Personalisht për mua, ishte nisja e duhur
Kishit përballë portierin Loris Karius. E menduat që duhet të godisni sa më shumë në portë, nisur nga gafat që ai bën?
I shënova, madje dy herë (qesh…). kur luan me portierë të klasit botëror, e them këtë pasi pavarësisht atij gabimi që bëri në finalen e Champions-it, Karius mbetet një portier shumë cilësor, që e ka treguar me paraqitje pozitive edhe në Turqi. Ai ka treguar se është një nga më të mirët, pavarësisht kritikave për ndonjë gabim, ndaj për mua ishte kënaqësi që i realizova një portieri të tillë me shumë cilësi.
cikalleshi
Patët ndonjë bisedë gjatë, ose në fund të ndeshjes?
Po, ishte një moment dyluftimi për një top të gjatë që po më vinte në sulm dhe tentova që t’i fitoj penallti. Në atë moment, ishte e vetmja gjë që mund të tentoja, mirëpo ai realisht ia doli të më neutralizojë saktë. Më tej, kur loja rifilloi, më tha se “tentove që të bësh diçka të zgjuar”.
Iu përgjigjët?
I thashë vetëm që “bëre ndërhyrje të saktë. Më bllokove si duhet”.