Futboll Sport

“SHTËPIA” E KOMBËTARES SKOCEZE/ Stadiumi gjigand dhe marrëveshja që po “vret” historinë

Ish-presidenti i Queen’s Park F.C., Jim Hastie, ka parë ndeshje shtëpiake me shumicë, si tifoz i lashtë e si historian, për të vënë re një model identik sjelljeje. Sipas tij, ndodh gjithnjë e njëjta gjë: shumë kohë para startit të ndeshjes, shumë kohë para se lojtarët e Queen’s Park të dalin në nxehje para ndeshjes, skuadra udhëtuese del në fushë, gati për të nisur nxehjen.

Situata është e njëjtë para një takimi kundër Annan Athletic. Është efekti i Hampden Park, 52.000 vende, pak rëndësi ka që aty mund të jenë pak qindra tifozë, apo që më shumë njerëz janë në panairin e martesës që po zhvillohet në një nga suitat e stadiumit, sesa në shkallët e stadiumit mitik. Pak rëndësi ka, sepse për lojtarët e Annan është dita e jetës: për herë e parë do të luajnë në Hampden Park.

Hampden ka pasur gjithnjë një jetë të dyfishtë. Shtëpia e kombëtares skoceze, skena e finaleve të mëdha kombëtare dhe e sfidave epike europiane, është konsideruar gjithnjë një nga skenat më të mëdha dhe të rëndësishme të futbollit. Aty 150.000 njerëz ndoqën Skoci-Angli në 1937, aty Zinedine Zidane shënoi ndoshta golin më të bukur të historisë së Champions League në 2002.

Hampden, njëkohësisht, ka qenë shtëpia e Queen’s Park, mes shkretëtirës dhe emocioneve të futbollistëve që e shkelin për herë të parë fushën e ëndrrave.

Queen’s Park është klubi më i vjetër në Skoci dhe ndër më të rëndësishmit historikisht, edhe pse mbetet klub amator, me disa qindra anëtarë dhe me organizim vullnetar, ndërsa futbollistët luajnë për qejf, u paguhen vetëm shpenzimet e ndeshjes. Klub që i ka kaluar vitet e fundit në kategorinë e katërt apo të tretë, Queen’s Park e quan Hampden Park shtëpi, të paktën për momentin, sepse në vitin 2020 Queen’s Park, klubi që e zotëron këtë vend dhe që e ndërtoi para më shumë se një shekulli, po detyrohet të largohet.

Vitin e shkuar Federata Skoceze lajmëroi se do rishohë marrëdhëniet me Hampden, sepse Skocia ka luajtur historikisht aty duke paguar qira, ndërsa kontrata aktuale përfundon në 2020, pas Euro 2020, që do të luajë ndeshje edhe në stadiumin e kombëtares skoceze. Mes shumë opsioneve, Federata Skoceze vendosi të blinte Hampden nga Queen’s Park, për rreth 5 milionë sterlina, plus 19 milionë detyrime që do të paguhen të shpërndara në kohë, ndërkohë që 1 milionë sterlina u dhanë donacion nga dy prej njerëzve më të pasur në Skoci, sepse Federata Skoceze nuk kishte fonde të mjaftueshme.

Dukej një çmim shumë i ulët, për një tokë me vlerë të madhe në jug të Glasgoë, 10 minuta nga qendra e qytetit, me sipërfaqe 133,546 metra katrorë, që vlen të paktën 28 milionë sterlina, qoftë edhe pa stadiumin.

Gjithsesi, Queen’s Park nuk kishte zgjidhje tjetër, sepse nëse Federata Skoceze largonte kombëtaren prej Hampden Park, Queen’s Park humbiste 300 mijë sterlina në sezon, nga 750 mijë që ka të ardhura totale.

Marrëveshja u arrit. Prej 2020, Queen’s Park nuk do luajë më në Hampden Park, duke i dhënë fund një historie 150-vjeçare. Ndërkaq, me 5 milionë sterlina do të transformojë Lesser Hampden – ambientet e klubit pranë stadiumit të madh – në shtëpi të re.

Për shumë skocezë gjithçka është në rregull: më mirë të gjejë shtëpi tjetër Queen’s Park, sesa kombëtarja, pasi fundja Hampden njihet si shtëpia e Skocisë. Megjithatë, për tifozët e thekur të Queen’s Park nuk është kaq e thjeshtë. Queen’s Park ka ndryshuar historinë e futbollit, edhe pse futbolli u shpik në Angli (thonë). Nëse në fillim lojtarët vraponin me top derisa dikush i ndalte, me të mirë apo të keq, Queen’s Park ka meritën e krijimit të lojës me pasime, që mori emrin “stili skocez”. Queen’s Park ishte në pararojë, kishte stil të ri, ndërsa Anglia kishte mbetur pas.

 

Në vitet 1880 Queen’s Park mbërriti dy herë në finalen e Kupës FA angleze, diçka që asnjë klub tjetër skocez nuk e ka bërë dot. Ishte koha kur Queen’s Park ishte përfaqësuesi i denjë i Skocisë në arenën ndërkombëtare, ndërsa klubet e mëdha angleze merrnin sa më shumë lojtarë skocezë, të cilët morën edhe nofkën Profesorët Skocezë.

Klubi që duhet adhuruar nga gjithë Skocia, si burim krenarie, tashmë po përballet me dëbim nga shtëpia e vet dhe rrezikon të përfundojë në harresë, apo edhe të vdesë, sepse nuk di ku t’i çojë 8 ekipet e moshave, duke mos pasur mundësi që t’u gjejë fusha për stërvitje e ndeshje.

Cili vend do e bënte diçka të tillë, me një skuadër që ka bërë më shumë se kushdo për historinë e futbollit? Tifozët e Queen’s Park janë të revoltuar, por të pafuqishëm dhe të dorëzuar, pak a shumë si tifozët e Dinamos sonë, që deri para një dekade jepte leksione futbolli, ndërsa tani zhgërryhet në baltën e Kategorisë së Parë, pa shpirt, shtëpi e respekt.

Related posts

LEGJENDA E “KATALANASVE”/ Xavi: Ylli i Bayernit, lojtari perfekt për Barcelonën

Delo.autor

SAKRIFICA PËR TË ARRITUR OBJEKTIVAT/ Salah zbulon njeriun që nuk e lejoi të dorëzohej…

Isa.Autor

I PASKA IKUR TRURI/ ICARDI i dhuron ”BISHËN” prej 200 mijë eurosh, WANDËS (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment