Futboll Seria A Sport

7 GOLA NË 6 NDESHJE/ “PISTOLETA” Piatek shënjestron “Pleshtin” dhe një tanzanez

Kristof Piatek (shqiptohet Piontek dhe përkthehet e “Premte”). Milani luajti ndaj Empolit të premten dhe polaku respektoi ditën e emrit. Që kur ka zbarkuar te kuqezinjtë, ai shënon të paktën një herë në javë, pa i kushtuar rëndësi nëse është e martë, e shtunë, e diel apo pikërisht e premte.

Nuk ka problem as kompeticioni. Kupë apo Serie A, 23-vjeçari është gjithnjë gati të shkruajë emrin në tabelën e golashënuesve të “Djallit”. Me 18 realizime, ai konkurron për çmimin e golashënuesit më të mirë ndaj Kristiano Ronaldos në kuotën 19. Total në sezon golat janë 26, shtatë më pak se Leo Mesi dhe tre më pak se Mbauana Samata i Genkut. Sulmuesi nga Tanzania në ekipin belg ka shënuar deri më tani 29 herë.

MILANO–MELBURN – Edhe Kristof Piontek tashmë është shndërruar në një profil ndërkombëtar. Jehona e bëmave të tij ka mbërritur deri në Australi dhe shkak janë bërë tifozët e Milanit. Sa herë ai shënon, ultrasit e “Curva Sud” brohorasin në kor më një të shtënë të trefishtë: «Pum, Pum, Pum!».

Kaq ka mjaftuar për grupimin milanist “Milan Club Melburn”, që të ndërmarrë “Piontek Special”, një nismë që u hap dyert anëtarëve të rinj, duke u ofruar anëtarësimin me 35 për qind ulje. 35, si miliona eurot e shpenzuara për numrin 19 nga ana e “Djallit”. Përveç uljes, 23-vjeçari ka frymëzuar edhe kompaninë “Oji”, e cila që nga e hëna do të hedhë në treg një t-shirt, ku i stampuar do të jetë Piontek dhe festimet e tij.

ANTI-HIGUAIN – Polaku shijon Milanin dhe Milanon, teksa shtëpia e marrë me qira në zonën Gae Aulenti do të jetë rezidenca e tij për shumë kohë. Goli i së premtes erdhi mes dy episodesh: në fillim Paketa i bëri shenjë me dorë që të sulmonte thellësinë, sepse do t’i pasonte sapo të mundej, ndërsa dalja nga fusha u shoqërua me një lum brohoritjesh, intensiteti i të cilave ishte më i larti i regjistruar për të deri në atë moment.

Ai për Milanin ka shënuar 7 herë në pesë ndeshje. Gjithçka në vetëm 9 goditje në kuadrat. Piontek është milanisti i parë që shënon në katër ndeshje si debutues, duke barazuar rekordin e Oliver Bierhof, që diçka të tillë e bënte në sezonin 1998- ‘99. Kartëvizita e paraqitur deri më sot është fantastike, por viti i Milanit nuk ka mbaruar.

Teksa kanë mbetur të paktën 15 ndeshje (13 Seria A dhe të paktën dy në Kupë), Piontek ka mundësi ta shndërrojë sezonin e tij dhe të Milanit në magji të pastër.

Related posts

Rakitic flet në prag të ‘El Classico’: Dikush do të kalojë Krishtlindje pikëlluese

Q.Autor

PRAPASKENAT E BUJSHME/ Zidane do të kërkojë Ronaldon nëse ulet në stolin e PSG-së

Delo.autor

PAS KUALIFIKIMIT NË GJYSMËFINALE/ “Heroi” Simon: Ishte futboll i pastër, tani të fitojmë…

Delo.autor

Leave a Comment